Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pritur në takim ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.

Mustafa dhe Nuland diskutuan për zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës e ka informuar zyrtaren amerikane për progresin e arritur në proceset eurointegruese, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e shtetit ligjor, transmeton Klan Kosova.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa tha se institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga SHBA-të, do të adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së.

Nuland i përcolli kryeministri Mustafa përshëndetjet e presidentit Obama nga Samiti Varshavës ndërsa vlerësoi progresin e arritur, si dhe shprehu përkrahjen e mëtejme të SHBA për proceset në Kosovë.

Ndihmës sekretarja amerikane, theksoi rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës.

Nuland gjithashtu vlerësoi reformat e ndërmarra në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër terrorizmit si dhe shprehu përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” si dhe inkurajoi që të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./tvklan.al