Një ditë pas vrasjes së ambasadorit rus në Ankara, Max Fisher i “The New York Times” shpjegon në një artikull nëse kjo vrasje mund të shpie në një konflikt mes Turqisë dhe Rusisë, sfondin e përplasjeve mes këtyre dy shteteve dhe se si Moska dhe Ankaraja u kthyen nga armiq në partnerë.

Fisher citon ekspertin e Turqisë, Aaron Stein që thotë se, pavarësisht se kontradiktore, Uashingtoni do të jetë humbësi më i madh nga vrasja që tronditi botën mbrëmjen e së hënës.

Artikulli i plotë:

Turqia, Rusia dhe një vrasje: Shpjegimi i krizave që vorbullojnë

Turqia dhe Rusia, marrëdhëniet me luhatje të të cilave kanë ndihmuar në formësimin e luftës siriane dhe krizave që kanë të bëjnë me të, ndanë të hënën një traumë të re, pasi një oficer i policisë turke, jo me detyrë në vendngjarje, vrau ambasadorin e Rusisë.

Vrasja e ambasadorit Andrey G. Karlov në Ankara shkaktoi alarm global dhe ngriti pyetje rreth pasojave më të gjera.

Në medien sociale shumë hoqën paralele me vrasjen e Archduke Franz Ferdinandit të Austrisë, çka ndihmoi shpërthimin e Luftës I Botërore – një krahasim që analistët, fatmirësisht e hodhën poshtë.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për ngjarjen, e cila ndodhi në një galeri arti në kryeqytetin turk, ku Z. Karlov ishte duke folur. Atentatori, i cili u vra në vendngjarje nga forcat e sigurisë, bërtiti: “Zoti është i madh” në Arabisht dhe më pas tha në Turqisht: “Mos harroni Alepon. Mos harroni Sirinë.”

Kjo mund të nënkuptojë motivin e tij: Forca ajrore ruse ishte një pjesë kyçe në sulmin e suksesshëm të qeverisë siriane mbi pjesët e kontrolluara nga kryengritësit në Alepo, të cilat përfshinin sulme të gjera mbi civilë.

Në vazhdim mund të gjeni të shpjeguar çfarë nënkupton ky episod për Turqinë, Rusinë, Sirinë dhe Shtetet e Bashkuara.

A mund të çojë kjo në një konflikt mes Turqisë dhe Rusisë?

Kjo duket shumë e pamundur. Deri më tani, të dy vendet po punojnë tok për ta menaxhuar situatën dhe po dërgojnë sinjale bashkëpunimi. Ata duket se po përafrojnë shpjegimet e tyre mbi atë që ka ndodhur duke drejtuar gishtat tek armiqtë e përbashkët dhe jo drejtë njëri-tjetrit.

Arsyeja është Siria. Përgjatë muajve të kaluar, Turqia dhe Rusia janë përpjekur shumë për të përafruar strategjitë e tyre, dikur konfliktuese.

Aaron Stein, ekspert i Turqisë pranë Këshillit Atlantik e tha troç:

“ Turqisë i duhet Rusia për të çuar para interesat e saj të luftës. Rusisë i duhet Turqia për të fituar, ashtu siç e përcakton ajo fitoren, në Siri. Gjithësecila ka stimul për ta trajtuar këtë çështje me maturi.”

Një krizë mbi ambasadorin e vdekur mund të rrezikojë aksionet e dy vendeve në Siri – ose më keq, të ringjallë tensione destabilizuese të vitit të fundit –  kështu që ata po punojnë t’i zbusin gjerat.

Pse ka pasur tension mes Turqisë dhe Rusisë?

Arsye është edhe Siria, e cila tregon paqëndrueshmërinë e situatës. Ajo po ashtu demonstron se të dy vendet janë kaq të fokusuar tek mbrojtja e agjendave të tyre në Siri, saqë edhe liderët e tyre nacionalistë dhe ankesë-mëdhenj do të preferonin të luanin qetë.

Dy vendet kanë qenë dhe deri diku ende janë në anët e kundërta në luftën siriane. Turqia kundërshton Presidentin e Sirisë Bashar Al-Asad dhe ka mbështetur grupet rebele. Rusia mbështet Asadin dhe ka hyrë në konflikt në emër të tij që në vjeshtën e vitit 2015.

Menjëherë pasi Rusia ndërhyri në Siri, avionët e saj filluan të bombardojnë rebelët e mbështetur nga Turqia dhe fluturuan përgjatë – Turqia thotë përtej – kufirit turko-sirian. Në nëntor të vitit 2015, Turqia rrëzoi një avion rus, duke shkaktuar një krizë të madhe dhe frikë lufte. Kjo po ashtu mund të kishte tërhequr Shtetet e Bashkuara, të cilat janë të detyruara nga traktati për të mbrojtur Turqinë, një alet të NATO-s dhe kërkonin ndalimin e përkeqësimit të situatës në Siri.

Në këto kushte, vrasja e një ambasadori mund të provokojë një konflikt edhe më të madh. Por përgjatë vitit të fundit, marrëdhëniet e këtyre dy vendeve ka ndryshuar dukshëm.

Si u bënë nga armiq partnerë?

Pas vitesh duke kërkuar rrëzimin e Assadit, Turqia u zhvendos këtë verë drejtë një strategjie më modeste: Parandalimi i kurdëve të Sirisë nga akumulimi i shumë territoreve përgjatë kufirit (me Turqinë). Ky ndryshim e rreshtoi Turqinë me Rusinë.

Turqia frikësohet se një kontroll kurd përgjatë kufirit do të forconte separatizmin kurd në Turqi, ku qeveria po lufton grupet kurde, disa prej të cilave kanë kryer sulme terroriste.

Futja e Rusisë në luftë po ashtu ka ndryshuar llogaritë e Turqisë, duke e bërë papritur fushatën kundër Asadit më të kushtueshme dhe me më pak gjasa për sukses.

Rusia, nga ana e saj, fillimisht u përpoq të fitonte terren kundër rebelëve sirianë, disa prej të cilëve merrnin mbështetjen turke. Moska duket se ka arritur në përfundimin se është më mirë me Turqinë si partner se sa si kundërshtar.

Dy vendet duket se kanë arritur një marrëveshje jo-zyrtare: Turqia do të hiqte dorë nga mbështetja për grupe të caktuara rebelësh që kërcënonin interesat e Rusisë në Siri ndërsa Rusia do të hiqte dorë nga mbështetja për grupet kurde në Siri. Rusia po ashtu lejoi trupat turke dhe milicët e saj aleatë të pushtonin territorin në kufi me Sirinë, që më parë kontrollohej nga kurdët dhe Shteti Islamik.

Stein i Këshillit të Atlantikut e quajti marrëveshjen “Alepo për Al Bab-in”: Rusia dhe Asadi do të merrnin Alepon, ndërsa milicët aleatë të Turqisë do të merrnin kontrollin e Al Bab-it në një pozicion strategjik (afër kufirit).

Duke qenë se qytetet janë pothuajse ngjitur, fushatat turke dhe ruse do ti shkonin për shtat secilës. Në të njëjtën kohë, me forcat e tyre pak milje larg njëra-tjetrës, një avari e madhe mbi vrasjen e Karlov-it thjeshtë do të ishte shumë e rrezikshme për tu toleruar.

A do të ndryshojë gjë vrasja?

Deri më tani nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se Turqia apo Rusia do të ndryshojnë politikat e Sirisë. Përkundrazi, sulmi mund të çimentojë partneritetin e tyre.

Stein parashikoi se Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të kërkojë të shkëpusë vëmendjen nga politika jopopullore e qeverisë së tij në Siri, duke e gozhduar sulmin mbi klerikun e vendosur në SHBA, Fetullah Gylen, të cilin Erdogan po ashtu e fajësoi për tentativën për grusht shteti në Turqi këtë verë.

Gyleni i ka mohuar akuzat dhe Uashingtoni ka refuzuar ekstradimin e tij, duke përmendur mungesën e provave. Kjo ka tensionuar lidhjet mes SHBA-ve dhe Turqisë, megjithëse ky tension i shërben Erdoganit duke e ndihmuar të mbledhë mbështetje në vendin e tij, ku Amerika nuk është popullore.

“Humbësi më i madh nga e gjithë kjo do të jetë Uashingtoni,” tha Stein. “ Është plotësisht kontradiktore, por është Uashingtoni.” 

Burimi:

The New York Times

Përktheu dhe përshtati:

tvklan.al