Ish-presidenti amerikan Barack Obama iu kthye jetës publike të hënën, duke u bërë thirrje të rinjve në qytetin e Çikagos, që të bëhen aktivistë në komunitetet e tyre, ashtu siç kishte bërë edhe ai, para se të hynte në politikë.

Ish-Presidenti Obama jetoi për shumë vjet në Çikago, duke krijuar familje dhe ndërtuar karrierën e tij politike atje para se të vinte në Uashington.

Në fjalën e tij zoti Obama tha se si organizator komuniteti para tre dekadash në Çikago, ai kishte mësuar se “njerëz të zakonshëm kur punojnë së bashku, mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme”, një mësim që siç tha ai “iu ngulit për jetë”.

Presidenti i 44-ërt tha se shpreson që “të ndihmojë dhe të përgatisë brezin e ardhshëm që të marrë stafetën dhe të marrë në dorë botën”. Ai tha se probleme si pabarazia ekonomike, ndryshimet klimatike dhe padrejtësia më sistemin e drejtësisë penale janë “serioze, të vështira, por jo të pazgjidhshme”.

Që kur la detyrën, para tre muajsh, zoti Obama i ka qëndruar larg aktiviteteve publike, duke mos komentuar për debatet politike në Uashington. Ish-Presidenti demokrat, e kishte cilësuar gjatë fushatës presidentin aktual republikan, Donald Trump, si të papërshtatshëm për të qenë president. Megjithatë zoti Obama nuk ka pranuar të flasë për zotin Trump që kur ai hyri në Shtëpinë e Bardhë.

Si ish-Presidenti Obama edhe ish-Zonja e Patë Michelle Obama kanë nënshkruar kontrata miliona dollarëshe për të shkruajtur libra autobiografikë.

Në javët në vazhdim, zoti Obama do të pranojë një Çmimin Profil në Kurajo në Boston, do të japë fjalime private me pagesë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, si edhe do të marrë pjesë në një ceremoni në Portën e Bradenburgut në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel./VOA