Në prag të zëvendësimit të Obamacare me Aktin e Kujdesit Shëndetësor të Republikanëve, arkitekti i ligjit, ish – Presidenti Obama shpreson që Kongresi të shikojë përtej linjave partiake.

Duke pranuar një çmim në Boston, ish – Presidenti Amerikan foli pak ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi me një rezulatat të ngushtë një projekt – ligj që kërkon të përmbys ligjin që u mundësoi më shumë se 20 milionë amerikanëve sigurim shëndetësor.

“Une shpresoj që anetarët aktualë të Kongresit ta kujtojnë se nuk duhet guxim i madh për tu ardhur në ndihmë atyre që tashmë janë të fuqishëm. Por duhet shumë guxim të ndihmosh të pambrojturit dhe të sëmurët”

Votimi i javës së kaluar ishte vetëm hapi i parë në këtë proces. Zëvendësimi i Obamacare është një nga premtimet kyçe të fushatës së Donald Trump. Ligji i miratuar në dhomën e përfaqësuesve është kundërshtuar nga pothuajse çdo grup i madh mjekësor.

Demokratët pretendojnë se Republikanët do të privojnë miliona amerikanë nga sigurimi shëndetësor. Por edhe disa senatorë Republikanë janë deklaruar skeptik për Aktin e Kujdesit Shëndetësor. Madje disa prej tyre kanë pranuar se nuk e kanë lexuar të gjithë projekt – ligjin./TvKlan