Forcat ushtarake të Irakut kanë rimarrë qytetin e Hawija-s, i cili ishte nën kontrollin e ISIS. Shteti Islamik e kishte vënë nën kontroll këtë qytet që prej vitit 2014.

Sipas raporteve të autoriteteve vendase irakene në momentin që do të bien edhe zonat e tjera përreth që ka në kontroll, ISIS do të mbetet vetëm me kontrollin e disa hapësirave në kufirin e Irakut me Sirinë.

Ushtria e Irakut tha të mërkurën se kishin vrarë të paktën 196 militantë të Shtetit Islamik si dhe kishin rimarrë 98 fshatra përreth Hawija-s, ndërsa të martën kishin vënë nën kontroll një bazë ajrore në të cilën stërviteshin militantë të ISIS.

Sipas Kombeve të Bashkuara janë rreth 78,000 civilë të cilët janë të bllokuar në Hawija. Forcat e sigurisë irakene thanë se militantët e Shtetit Islamik po ndalojnë njerëzit që të largohen si dhe mund të kenë vënë eksploziv përreth qytetit.

Ushtria e Irakut së bashku me aleatë të tjerë ushtarakë dhe ndihmën ajrore nga SHBA-ja kanë ndërmarrë një ofensivë të gjatë ushtarake ndaj Shtetit Islamik dhe arritën të marrin qytetin e dytë më të madh në vend, Mosulin, pas 9 muajsh betejë.

/tvklan.al