3 orë pas marrjes së vendimit për kontrollin e banesës së ish – ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, oficerët e Policisë Gjyqësore mbërritën aty bashkë me dokumentin e firmosur nga gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Liliana Baku. Në momentin e mbërritjes së tyre i pranishëm ka qenë avokati i Tahirit, Maksim Haxhia. Pak minuta më vonë në banesë mbërriti edhe vetë ish – ministri.

Hetuesit kërkuan prova që e lidhin Tahirin me dosjen e trafikut të drogës “Habilaj”. Ata shoqëroheshin edhe nga dy ekspertë kriminalistë, të cilët duhej të bënin fiksimin e provave të mundshme apo këqyrjen e objekteve që do të kërkonin oficerët e Policisë Gjyqësore. Burime të Tv Klan, pohuan se nuk është sekuestruar asgjë e rëndësishme me vlerë që mund të hidhte dritë mbi çështjen. Pas rreth 2 orësh kërkime hetuesit dhe ekspertët që i shoqëronin lanë banesën e Tahirit, por nuk bënë asnjë koment për mediat.

Edhe avokati i Tahirit tha se kontrolli ka qenë procedurial.

Gjatë kontrollit, herë pas here ish – ministri i Brendshëm është parë në ballkonin e shtëpisë së tij ndërsa tymoste cigare. Pas largimit të avokatit, ministri Tahiri preferoi të qëndronte në banesë. Prokuroria pritet të ndërmarrë të tjera veprime në lidhje me këtë çështje.

Tv Klan