Teatri “Petro Marko” në Vlorë përbëri ndalesën e fundit të operas “La Traviata” në skenat e qyteteve të Shqipërisë. Tingujt e muzikës së Giuseppe Verdit, me libret të Francesco Piaves, u dëgjuan në këtë skenë pas 40 vitesh.

Rrugëtimi i artistëve të Operas dhe Baletit nisi me Shkodrën, për të vazhduar në Elbasan, Fier dhe për ta mbyllur me Vlorën. Zhvendosja e trupës, nga shtëpia tradicionale e Tiranës, ishte një zbulim edhe për Drejtoren Zana Çela.

“Nëpërmjet këtyre shfaqeve ne pamë që ekzistojnë skena operistike në të gjithë qytetet dhe mbi të gjitha ekziston një publik i mrekullueshëm, që është i etur në të gjitha qytetet, por dhe këtu në Vlorë janë shitur të gjitha biletat 2 ditë përpara.”

Arsye kjo për t’u rikthyer në këto skena dhe në të tjera, jo vetëm me shfaqje operistike, por të baletit e Ansamblit Popullor.

“Ne do kemi shumë shpejt një sezon tjetër. Do rikthehemi besoj në tur mbas 2 muajve.”

Përveç “Opera on Tour”, siç e ka pagëzuar Zana Çela, e teksa Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, është nën rikonstruksion, trupa e tij do të sjellë shfaqje edhe në qiell të hapur.

Tv Klan