Një ditë pas arrestimit të katër personave të dyshuar si pjesë e bandës së Qafë – Kasharit, policia e zhvendosi operacionin në zonën e Dibrës, në kërkim edhe të dy të dyshuarve të tjerë të grupit që janë ende të lirë, Admir Murataj dhe Admir Çerpja.

Veç tyre, Policia dyshon se pjesë e grupit janë së paku edhe dy persona të tjerë, të cilët gjithashtu janë shpallur në kërkim.

Forca RENEA, ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Njësia Operacionale e Policisë së Shtetit kontrolluan dhjetëra banesa në Zall Dardhë, Can, Tartaj dhe Lashkizë, duke krehur imtësisht zonën, ku dyshohet se strehohen dy të kërkuarit. 

Më herët, policia ka kryer kontrolle edhe në zona të tjera të Tiranës, me qëllim arrestimin e të kërkuarve.

Kreu i grupit, që ka autorësinë për grabitjen e 3.8 milionë dollarëve, më 3 Dhjetor të vitit 2015 dhe 3.2 milionë dollarëve më 9 Shkurt, në dy ngjarje të ndodhura në rrugën e Rinasit, dyshohet të jetë Admir Murataj.

Admir Murataj është i njohur për Drejtësinë. Ai është një prej grupit të 11 shqiptarëve që u arratisën nga burgu i Trikallës në Greqi, më 16 Mars të vitit 2013.

Grupi që kishte në krye Ilir Kupën, i cili gjendet në burg si kreu i “Bandës së Babagjyshëve”, përgjegjës për disa grabitje dhe vrasje, akuzohej për grabitjen e bankës së Larisës, ku u morën 1 milionë euro.

Gazeta

“Kathimerini”

shkruante në atë kohë se, autorët e grabitjes ishin Admir Murataj dhe Klement Gala, të cilët e kishin sulmuar bankën me një pistoletë dhe një kallashnikov, por pa maska.

Ai dyshohet edhe për grabitje të tjera dhe për vrasje të kryera në Greqi, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Në vendin fqinj kishte përdorur 15 emra të ndryshëm.

Televizioni Klan ka mësuar se i kërkuari tjetër është Admir Çerpja, nga Dibra. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Admir Çerpja kishte lidhje të drejpërdrejta me Neim Avdulajn, i cili e vizitonte shpesh atë në Dibër, siç tregon kjo foto e bërë në Mars të vitit 2016.

Çerpja dyshohet të jetë pjesë e grupit që sulmoi makinat e transportit të vlerave monetare në të dyja rastet. Ka dyshime se ai ishte pjesë aktive e grupit edhe në grabitjen e bankës pranë Stacionit të Trenit, ku u morën 3 milionë euro.

Burime nga grupi hetimor bënë me dije për Televizionin Klan se kjo bandë po hetohet edhe për grabitjen e ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit, më 30 Qershor të vitit 2016, ku u morën rreth 1 milionë euro.

Tv Klan