Karabinierët italianë arrestuan mëngjesin e sotëm dy shtetas afganë, në një operacion anti-terrorizëm në qytetin e Barit.

Në pranga ranë 23-vjeçari Hakim Nasiri, i akuzuar për terrorizëm ndërkombëtar dhe 29-vjeçari Gulistan Ahmadzai, i cili akuzohet për favorizim të emigracionit klandestin. Sipas hetimeve të prokurorisë së Barit, të arrestuarit janë pjesë e një celule terroriste të lidhur me ISIS, e cila përveç Italisë shtrihet edhe në Francë e Belgjikë.

Autoritetet italiane thanë se në celularin e njërit prej të arrestuarve  u gjetën foto e video të një hipermarketi dhe të aeroportit në Bari, të Koloseut në kryeqytetin italian, si edhe të disa qëndrave tregtare e hoteleve në Londër. Nga ana tjetër, hetuesit njoftuan se nuk mundën të hyjnë në Iphone-in e të arrestuarit tjetër, një rast i ngjashëm ky me atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur FBI nuk zhbllokonte dot celularin e terroristit të San Bernandinos.

Në këtë foto të publikuar nga mediat italiane, Hasim Nasiri, njëri prej terroristëve të ndaluar, shfaqet përkrah kryebashkiakut të Barit, Antonio Decaro, gjatë një manifestimi për të drejtat e emigrantëve në shtator të vitit të kaluar.

Policia është vënë në kërkim të tre personave të tjerë, të akuzuar për të njejtat vepra penale. Përmes një postimi në rrjetet sociale, lideri i Lega Nord, Matteo Salvini, reagoi duke shkruar se “Bombat njerëzore po hyjnë në shtëpitë tona. Shteti është bashkëpunëtor”.

Tv Klan