Të ftuar:

Ilir Kulla,

Luan Hajdaraga,

Mirela Milori,

Dashamir Shehi,

Agim Nesho

Rritja e tensioneve mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve, kohët e fundit, është një përpjekje për të frikësuar fuqitë e mëdha, që këto të fundit, nesër, t’i japin një mbijetesë politike Kim Jong-Un-it në shkëmbim të uljes së zërit. Dashamir Shehi tha sonte në emisionin “Opinion”,  se problemi rreth kësaj figure nuk është nëse kërcënon SHBA-të, por se cila nga fuqitë e mëdha fshihet pas kësaj historie. Sipas tij, problemi në këtë histori qëndron nëse ekziston ndonjë fuqi e madhe e fshehur pas këtij aventurieri, që nesër do t’a përdorin. Ai tha se Kina dhe Rusia kërkojnë të vendosin hegjemoninë e tyre të re në rajon, duke krijuar një luftë asimetrike.

Në emisionin “Opinion” po diskutohet për luftën potenciale mes Koresë së Veritu dhe SHBA-ve. Lideri suprem i Koresë së Veriut Kim Jong Un kohët e fundit ka kërcënuar SHBA-të me armë nukleare të cilat janë një rrezik i madh që mund të shkaktojë një luftë me pasoja fatale. Ilir Kulla ka bërë një kronologji të ngjarjeve se si Kim Jong Un ka arritur të vi në pushtet. Sipas Kullës e gjitha ndodhi kur u bë divorci me Kinën. Fillimisht Kim hoqi qafe vëllain e tij dhe më pas dajën, dy personat të cilët rrezikonin ti merrnin pushtetin. Por si arriti Koreja të merrte teknologjinë e duhur për të krijuar raketat bërthamore? Sipas Kullës teknologjinë e ka marrë në një fabrikë ish-sovjetike që ndodhet në Ukrainën Lindore.  

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump nuk është treguar korrekt në deklaratat e tij në twitter në adresë të liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-Un. Për gazetaren e ABC Neës, Mirela Milori, sonte në emisionin “Opinion”, deklaratat e Trump nuk janë aspak normale dhe mbi të gjitha të papërgjegjshme. Ajo iu referuar deklaratave që Presidenti Trump ka bërë gjatë këtyre ditëve në twitter rreth Jong-Un-it, të tipit: njeriu raketë dhe vogëlushi. Milori tha se ditën e sotme situatën nuk e ka më në dorë Donald Trump, pasi vetëm para dy orësh, ai ka dalë në një konferencë me kryeministrin spanjoll dhe ka mbajtur një deklaratë tepër korrekte, duke pasur parasysh pritshmëritë e opinionit publik, pasi niseshin nga twitteri që deklaroi një ditë më parë.  

Sistemi diktatorial i Koresë së Veriut është më absurdi i 45 viteve. Sipas ish-ministrit të mbrojtjes Luan Hajdaragaj, ky sistem është më i gjati dhe më absurdi në botë. Kim ka pushtetin absolut, ku është vetë kryeministër, president, komandant, ministër etj. Në këtë mënyrë ai ka pushtet absolut mbi çdo gjë. Për të mbajtur këtë sistem, sipas Hajdaragës, Kim është detyruar të vrasë dajën dhe vëllain, pasi i tillë është edhe sistemi. Edhe pse Kim ka kaluar normat dhe vrazhdësinë e pushtetit, Hajdaragaj shprehet se e njeta metodë është përdorur në të gjithë vendet që kanë pasur sistem diktatorial.