I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në Televizionin Klan, Lulzim Basha deklaroi se Partia Demokratike nuk do të krijojë asnjë aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Basha sqaroi se nuk do të ketë asnjë koalicion elektoral me LSI dhe se Partia Demokratike është pro koalicionit dhe bashkëpunimit me çdo forcë politike që garanton zgjedhjet e lira. 

Kreu i PD u ndal edhe tek deklaratat e pak kohëve më parë, ku kishte lënë të hapur mundësinë e një aleance politike me LSI, me qëllimin për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas Bashës, është tjetër gjë koalicioni politik dhe krejt tjetër, një marrëveshje politike për të hyrë në garë të barabartë dhe mbi të gjitha për të garantuar mostjetërsimin e votave të qytetarëve.

“Nuk ka koalicioni me LSI. Ajo për të cilën kam folur është për aleancë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që të sigurohen këto, duhen plotësuar disa etapa përsa i preket shitjes së votës, financimit të partive politike, qeverisje teknike, për të garantuar që Saimir Tahiri dhe droga nuk do të vendosë për rezultatin. Por koalicionet, partitë do i bëjnë sipas programit të tyre. Dhe programi, vlerat dhe gjithçka ka ndodhur këto tre vite, automatikisht përjashtojnë një nga dy faktorët e qeverisjes që është LSI”.

Deklaratat e deputetit gjerman

 

Gunther Krichbaum, Ligji i Vetting –ut, pesë prioritetet kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zgjedhjet e ardhshme janë disa prej temave për të cilat u pyet kryetari i Partisë Demokratike, përballë të cilit ndodheshin edhe dy gazetarët Mentor Nazarko dhe Robert Rakipllari.

basha

Intervista:

“Një pjesë e madhe e njerëzve nuk na ndjekin dot sepse siç e dini, Tirana është pa drita. Një nga problemet e shumta është dhe mungesa e energjisë elektrike. Partia Demokratike ka lindur si një parti pro europiansite, ka lindur me sloganin “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, ka dhënë kontributin e saj si në opozitë dhe qeverisje. Nëse do të ishte në dorën time, sot do firmosja hapjen e negociatave, por nuk është në dorën time. Është në dorën e vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian”.

Z. Basha kishte ndonjë entuziazëm nga opozita shqiptare pas deklaratave të një deputeti gjerman, i cili ishte i ashpër në këtë drejtim?

“Nuk ka pasur asnjë entuziazëm. Shqetësim dhe turpërim. Pas gjithë këtyre viteve përpjekje, me ecjet para me ndalesa, me zigzaget e tyre, jemi kthyer në një pikë ekzistenciale të futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ka të bëjë me problemet reale që ka të bëjë Shqipëria. Diskutimi i vërtetë sot nuk është do apo nuk do PD-ja për hapjen e negociatave. Ajo e ka dëshiruar, e ka kërkuar dhe ka lobuar për këtë. Por diskutimi i vërtetë është se çfarë po e pengon hapjen e negociatave dhe çfarë duhet të bëjmë që Shqipëria të ecë përpara, të hapë negociatat dhe të ecë përpara”.

PD duhet të bëjë detyrën e saj, të kalojë ligjin e Vetting -ut, të fillojë Vetting -u i gjyqtarëve, është kushti i parë dhe i vetëm kryesor për të filluar negociatat…

“Kjo nuk është e vërtetë, shqiptarët, por dhe bota mbanë e di fare mirë se pengesa e vërtetë ka të bëjë me problemet dhe kërkesat reale. Padyshim zbatimi i Reformës në Drejtësi është i rëndësishëm. Dhe në qoftë se ka diçka pozitive që ka ndodhur këto 4-5 muaj dhe që është treguar si diçka pozitive edhe nga partnerët tanë dhe nga Komisioni Evropian, është fakti që palët politike kaluan me konsensus unanim Reformën në Drejtësi në Korrik, kjo nuk ka ndodhur në këto 26 vite. Që nga ky moment nuk ka pasur zhvillime pozitive, por ka patur negative. Ka pasur zhvillime negative në veçanti sa i përket drogës, krimit, moszbatimit të Ligjit të Dekriminalizimit dhe probleme me ligjet që duhet të binin nga Kushtetuta e rënë dakord me konsensus unanim, ku Zoti Rama në kundërshtim me angazhimin që kishte marrë para opozitës, para ambasadorëve të Amerikës dhe Bashkimit Evropian me shkrim të konfirmuar nga ata, vendosi të përjashtojë opozitën nga procesi i hartimit të ligjit të Vetting -ut dhe hartoi një ligj për procesin e identifikimit dhe largimit të gjyqtarëve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë, të cilin Partia Demokratike dhe Lulzim Basha e mbështetën dhe e votuan në 22 Korrik. Tashmë nuk do ta bëjë siç e votuam në 22 Korrik përmes institucione të pavarura të Vetting-ut, por do ta drejtoje ai me drejtorët e tij”. 

Ju jeni pro Integrimit, Rama gjithashtu. Përse nuk uleni me Ramën dhe të gjeni një platformë të përbashkët që mund të lehtësojë rrugën integruese të Shqipërisë? Znj. Bregu tha sot se procesi integrimit është mbi partitë. Përse nuk e bëni ju këtë ?

“Padyshim që është mbi partitë dhe nuk ka nevojë të biem dakord ne, sepse detyrat na i kanë shkruajtur. Na i kanë përsëritur. Ja përsëritën dhe Zotit Rama. Këtu në Tiranë ia përsëriti i dërguari i grupit CDU- CSU, zoti Gunther Krichbaum dhe në Berlin ia përsëriti Kancelaria Merkel në konferencën e shkurtër për shtyp para takimit, e dëgjoi Zoti Rama, e dëgjuan shqiptarët. Dhe tha fare qartë që përveç 5 kritereve, rol të veçantë ka dhe lufta kundër krimit, korrupsionin, garantimi zgjedhjeve të lira. Ajo që ndodhi pas kësaj është që Zoti Rama, në radhë të parë retushoi, hoqi pjesë e zgjedhjeve nga citimi që i bëri znj. Merkel. Kjo erdhi pas një sulmi të paprecedentë që i bëri z. Krichbaum duke e konsideruar deri avokat apo lobist të Partisë Demokratike apo dhe mikun tim personal, duke mos e parë për atë që është. Njeriu më i rëndësishëm në partinë e Merkelit për çështjet e politikës së jashtme, për çështjet e politikës evropiane”.

basha-2

A ka koalicion me LSI?

“Partia Demokratike është e angazhuar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është një betejë që ne e kemi nisur në të gjitha frontet institucionale, publike, diplomatike dhe do ta vazhdojmë, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Patjetër që Partia Demokratike do të përballet me një koalicion, me një aleancë më të gjerë me këtë qeveri të dështuar, pa përfshirë LSI. PD nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. 

Nuk ka koalicioni me LSI. Ajo për të cilën kam folur është për aleancë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që të sigurohen këto duhen plotësuar disa etapa përsa i preket, shitjes së votës, financimit të partive politike, qeverisje teknike, për të garantuar që Saimir Tahiri dhe droga nuk do të vendosë për rezultatin. Por koalicionet, partitë do i bëjnë sipas programit të tyre. Dhe programi, vlerat dhe gjithçka ka ndodhur këto tre vite, automatikisht përjashtojnë një nga dy faktorët e qeverisjes, që është LSI”.

A ka realisht Partia Demokratike një plan protestash për t’u kthyer në Janar?

“Padyshim që protesta është pjesë e përditshme e aksionit tonë opozitar. Ka pasur sot, para disa ditësh në Shkodër, në Fier. Protestat janë siç kanë qenë dhe gjithmonë pjesë e aksionit opozitar dhe do të vazhdojnë të jenë, si për raste të veçanta që kanë të bëjnë për padrejtësitë ndaj qytetarëve”.

Kanë bërë më shumë lajm protestat e Arlind Qorrit. Ku është produkti i protestave tuaja?

“Produkti i protestave është mbledhja e një numri të madh qytetarësh. Rruga për të ndryshuar Shqipërinë është bashkimi i gjithë qytetarëve të ndershëm rreth një kauze dhe kauza nuk është vetëm e një partie politike, por e një Shqipërie për të gjithë. Si do ta ndërtojmë? Kjo kërkon një platformë të detajuar, një vizion se ku do të shkojmë dhe çfarë dot të bëjmë. Protestat do vazhdojnë dhe do të intensifikohen”.

Z.Basha, a bëhet shteti që çdo opozitë që vjen në pushtet thotë do të anulojë koncensionet e qeverisë së mëparshme?

“Kjo qeveri, jo vetëm që s’ka anuluar asnjë koncension, por e ka përdorur termin koncension për të lidhur kontrata me të cilat vidhen shqiptarët. Është absurde të mendosh që PD, që unë Lulzim Basha do pranoj të vazhdoj të pranoj kontrata që do të vidhen shqiptarët. Do anulohen të gjitha që javën time të parë si Kryeministër. Koncesionet si check-up, sterilizimi, laboratorët nëse guxon t’i japë, rruga Durrës – Kukës, stadiumi, edhe pse po ndërtohet, do të anulohet dhe do t’i nënshtrohet një vlerësimi ligjor dhe teknik”./

tvklan.al