Të ftuar:

Blerina Bombaj,

Mentor Kikia,

Genc Juka,

Shkelqim Mema,

Alban Ylli,

Dritan Sejko,

Klodian Allajbeu,

Sazan Guri

Gazetari Mentor Kikia, sonte, në studion e emisionit “Opinion” ka deklaruar se 60-70 për qind e sëmundjeve kancerogjene në Shqipëri, burojnë nga ushqyerja e individit. Kikia e mbështeti argumentin e tij nga të dhënat e dala në koferencën e fundit shkencore të realizuar për kancerin në vendin tonë, ku sipas publikimeve dhe konsultimeve me specialist të fushës, bëhet me dije se përhapja më e madhe e sëmundjeve kancerogjene në vendin tonë vjen nga ushqyerja.

Në emisionin e mbrëmjes së sotme në ‘Opinion’ është duke u diskutuar për një temë tepër sensitive, për shkaqet e sëmundjeve në Shqipëri. Teksa paneli diskuton në studion, në opinion.al është hedhur një sondazh ku janë shfaqur disa shkaktarë kryesor që çojnë sëmundjen e shqiptarëve. Në këto shkaqe përfshihet, ushqimet e pakontrolluar, kequshqyerja, ndotja dhe rrezatimi elektronik, i pyetur lidhur me këto shkaqe Alban Ylli, përfaqësuesi i ISHP, është shprehur se disa prej tyre ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin e kancerit. Ai është shprehur se janë rritur rastet me kancer. Sipas Yllit, rritja e të prekurve me kancer është më shumë tek femrat dhe tek të rinjtë dhe sipas tij këto shkaqe ndikojnë në sëmundje, por nuk mund të themi me siguri që i shkaktojnë ato. “Në fakt nuk është korrekte të them se ky shtim shkakton nga faktorët e përmendur në sondazh. Disa prej faktorëve që ju përmendi aty kontribuojnë në masën e madhe të kancerit. Disa prej tyre kontribuojnë, mund të themi në vija të trasha”, është shprehur Ylli.

Ish kreu i AKU-së, Genc Juka, sonte, në studion e emisionit “Opinion” ka treguar se Brazili është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të mishit, duke nisur nga mishi i gjedhit, derrit dhe shpendëve. Juka theksoi se Brazili eksporton në të gjithë botën rreth 8 milion tonelata nga të cilat 2 milion janë mish gjedhi. Ai tha se vendet e BE-së, marrin nga Brazili, vetëm nga stabilimente të certifikuara nga FVO-ja (Food and Veterinary Office). “

Brazili është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të mishit, duke filluar nga mishi gjedhit, i derrit dhe i shpendëve. Eksporton në të gjithë botën rreth 8 milion tonelata nga ato 2 milion janë gjedhi. Vendet e BE-së marrin nga Brazili vetëm nga stabilimente të certifikuara nga FVO-ja (Food and Veterinary Office), nga 80 e ca stabilimente të certifikuara nga FVO, 20 nga këto kanë zbuluar se ka probleme të baktereve si bakteri coli dhe ai i salmonelës. Janë dy shtame të bakterit coli dhe të salmonelës

”, tregoi Juka.

Dietologia Blerina Bombaj është shprehur se ushqimi në Shqipëri nuk është kancerogjen, sipas saj ushqimi në Shqipëri është si në të gjithë botën, ndaj dhe nuk është e nevojshme të ngremë alarm, shkruan opinion.al. “Problemi ushqimor nuk është vetëm i Shqipërisë, por është i gjithë botës. Ne nuk mund të vëmë gishtin kundër një institucioni dhe të them që ai i ka fatet në dorë”. Bombaj thotë se simulanti hormonal për frutat dhe perimet përdoret në të gjithë botën, dhe këtë ajo e lidh me faktin se sot nga mbipopullimi nuk mund të ushqehet të gjithë bio. “Në botë ushqimi sot figuron vetëm në saj të pesticideve. Bota nuk ushqehet dot më me këtë popullatë që ka arritur me ushqime BIO”, është shprehur Bombaj.

Ambientalisti Sazan Guri ka bërë një deklaratë “bombë” sonte në emisioni Opinion. Teksa ka treguar se në shtëpinë e tij nuk përdor mish, por vetë gjëra bimore, Guri ka thënë se mishi në Shqipëri nuk është i shëndetshëm. Sipas tij kjo vjen sepse shqiptarët përpara se ti therin ju tregojnë thikën kafshëve, çka sipas tij çon në vet-helmim të gjësë së gjallë. “Që kur merr thikën ai, dhe të më therësh mua 4000 dele në Baba Tomor, ku qengji, delja, shikon delen tjetër, prandaj është qenie e gjallë qengji, delja, tamam si njeriu, kur shikon njeriu njeriun që theret e zë gjaku. Edhe delja në momentin e parë që shikon thikën, dhe ti shqiptari i keq ja tregon nga para thikën ajo u helmua. 98% e mishit, ça po ha ti? Ti po ha eshkë nuk po ha mish, po vetëm e ke në mendje që ti po ha mish. Kur 8 mijë lekë kile e mishit të viçit me gjithë kocka, e 4 mijë lekë sallami vetëm tul, gjeje vetë ti ça është”, është shprehur Sazan Guri.

Ushqimet e pakontrolluara në tregun vendas janë shkaktarët kryesorë të dëmtimit të shëndetit te njerëzit. Ky është rezultati i një sondazhi të organizuar, mbrëmjen e sotme, në Opinion.al në lidhje me elementët që ndikojnë më keq në shëndetin e njeriut. Pyetjes se cili nga këta elementë ndikon më keq tek shëndeti? 63 për qind e votuesve kanë përzgjedhur alternativën ushqimet e pakontrolluara. Ndërsa, elementi i dytë, sipas votuesve është ndotja e ambientit me 21 për qind. Kurse stresi radhitet si elementi i tretë, me 19 për qind. Dhe vetëm 9 për qind e votuesve, mendojnë se rrezatimi nga pajisjet elektronike, është i dëmshëm për shëndetin. Të hash shëndetshëm është çelësi i jetëgjatësisë së një jetese të lumtur. Civilizimi i ka bërë njerëzit të priren gjithmonë e më shumë drejt kërkesave më të larta lidhur me cilësinë e ushqimeve që konsumojnë.Të ndodhur përpara përgjegjësisë për ushqime të shëndetshme, konsumatorët kërkojnë gjithmonë e më shumë në tregje produkte cilësore.