Të ftuar:

Oerd Bykykbashi,

Vangjush Dako, 

Gjergj Bojaxhi,

Sazan Guri

Projekti “Veliera” në qytetin e Durrësit, ka nxjerrë mbi sipërfaqe një trashëgimi të gjallë arkeologjike, ku vlen të theksohet muri antik, që i përket periudhës bizantine. Sipas studiuesve, muri antik, është dëmtuar si pasojë e punimeve për të realizuar projektin e iniciuar nga Bashkia Durrës. Mes këtij ansambli arkeologjik nga punimet, mbi sipërfaqe, kanë dalë edhe themelet e një prej godinave të administratës osmane në vitet 1800-1900. Sipas arkeologëve, këto zbulime, përbëjnë një vlerë të shtuar në trashëgiminë tonë kulturore dhe si të tilla, mbulimi i tyre është një alternativë që nuk duhet të konsiderohet. Ata kanë bërë me dije se për nga pasuritë arkeologjike që nëntoka e Durrësit zotëron, kjo zonë mund të gjenerojë të tjera zbulime.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, sonte, në studion e emisionit Opinion, i ftuar në lidhje me projektin “Veliera”, ka deklaruar se Bashkia po ndërton aty një hapësirë publike për qytetarët dhe një nënkalim ku do kalojnë makinat për arsye se gjatë sezonit turistik do kemi një fluks të madh. Dako tha se kemi një fluks shumë të madh të trafikut të rënduar në atë zonë. Sipas tij, Bashkia, ka menduar që ta stabilizojë atë segment, duke ndërtuar një nënkalim. Ai bëri me dije se sipërfaqja që do përfitohet nga ndërtimi i këtij nënkalimi do kthehet në një hapësirë publike. “Ne e shikojmë atë si një potencial shumë të madh për ta kthyer atë në një shesh normal për qytetarët e Durrësit, një shesh që njerëzit e konsiderojnë si një pikë takimi për të qëndruar, por njëkohësisht edhe të shfrytëzojnë atë nënkalim për të shmangur trafikun e rëndëuar”, tha Dako në Opinion. Më tej, kryetari i Bashkisë së Durrësit, ka shpjeguar edhe projektin që ka nisur punimet në qytetin e Durrësit. Dako tha se Torra Veneciane, në të cilën, vihen re pjesët e një muri që i përket periudhës bizantine. Ndërsa, theksoi se nga ana tjetër kemi një pallat, në themelet e këtij pallati që është ndërtuar në vitet 2000, kemi fragmente të shpejgimit të këtij muri. Sipas tij, pika A dhe pika B, kemi segmente që janë të pasqyruara të këtij muri. “Janë fizike dhe ne i shikojmë. Që do të thotë, nëse do t’i bashkojmë dhe do të ndjekim këtë vijë, do të thotë se më parë ka ekzistuar një mur i kohës bizantine. Ky mur nga Torra deri këtu është prishur në vitet 1900, kur është hapur dhe zhvilluar gjithë rruga tregtare dhe gjithë kjo hapësirë”, bëri me dije kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, sonte, në studion e emisionit Opinion ka deklaruar se Bashkia e Durrësit duhet të ndërpresë menjëherë punimet, pasi po ndërton mbi gjetjet arkeologjike. Sipas Bylykbashit, duhet të realizohet një sondazh, për të marrë vesh se çfarë kishte nën të. Ai tha se ne të gjithë e dimë se çfarë ka aty. “Muri kuptohet, se kush ka dhënë firmën do ketë përgjegjësi penale në këtë histori. Është shumë e thjeshtë. Nëse do bëhej një sondazh minimal, sa mjaftoi vetëm pak gërmime për të dalë në sipërfaqe ato gjetje arkeologjike dhe sipas këtij dokumenti, ato duhej të pezulloheshin”, Tha Bylykbashi. Më tej, deputeti i PD-së, theksoi se nëse foto do zmadhohej, do vihej re se muri që i përket periudhës bizantine është shpuar nga sondat që po punojnë në ndërtimin e projektit “Veiliera”. Deputeti demokrat Oerd Bykykbashi, në emisioni Opinion, ka deklaruar se kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, duke paraqitur nje hartë po mashtron publikisht për ndërtimet në “Velieren” e Durrësit. Sipas Bylykbashit në këtë zonë po bëhet një ndërtim tërësisht i kundërligjshëm dhe të gjithë ata që kanë hedhur firmën për këtë projekt do të mbajnë përgjegjësi penale.

Lidhur me ndërtimet në zonën A të Durrësit, Gjergj Bojaxhi është shprehur në Opinion, se përpara së të bëhen këto punime duhet që fillimisht të bëhen kërkime arkeologjike. Pasi punimet në sheshin “Veliera” të Durrësit sipas Bojaxhi kanë bërë pilota të thella dhe kanë dëmtuar pjesë të murve antike. Bojaxhi e ka quajtur të gjithë këtë një vepër penale, sepse gjërat nuk janë bërë me radhë dhe kjo po sjell një shkatërrim të turizmit. “Kjo tregon që për 5 muaj fushatë, jemi të gatshëm të shkatërrojmë 500 vjet histori që ka dalë aty”, është shprehur Gjergj Bojaxhi.

Studiuesi Sazan Guri, sonte, në studion e emisionit Opinion ka deklaruar se projekti “Veliera” bie ndesh me Torren Veneciane, që është një vepër monumentale e kategorisë së parë. Guri ka theksuar se referuar ligjit, ndërtimi i kësaj vepre nga Bashkia, kërkon të paktën rreth 200 metra distancë nga Torra Veneciane. Sipas tij, muri, referuar studimit të realizuar nga ai; është se ngrohja globale ka bërë që niveli i detit të vijë pikërisht pranë këtij muri. Ai theksoi se më tej kemi ndëtuar një pallat, por që kohë më parë, ka ekzistuar një mol ku ankoroheshin anijet.

Sazan Guri, është përballur fortë me kryebashkiakun Dako edhe në emisionin Opinion, për mbrojtjen e zonës A në Durrës. Përplasjet në panel kanë ardhur për objektin arkeologjik rreth 200 vjeçar të “Topit” i cili ndodhet në sheshin “Veliera”, ku po bëhen edhe punimet për një projekt nga ana e Bashkisë së Durrësit. Ndërkohë që Dako po mbronte idenë se ky objekt do të zhvendoset, kjo është kundërshtuar nga Sazan Guri i cili ka thënë se: “Po tha se ‘Topi’ (objekti arkeologjik) merret dhe hidhet, ky shtet ka mbaruar o Blend, ka mbaruar”, – është shprehur i irrituar Sazan Guri. Kujtojmë që prej disa kohësh, studiuesi Sazan Guri ka kundërshtuar këtë ndërtim në sheshin “Veliera”, dhe së bashku me shoqërinë civile kanë protestuar disa herë për këto punime. Sipas Gurit punimet nga ana e Bashkisë janë duke shkatërruar muret antike të Durrësit.