Të ftuar:

Ramush Haradinaj,

Lorenc Vangjeli,

Armand Shkullaku

Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar sonte në emisioni Opinion, se dje nuk ka patur asnjë negociatë reale për zgjedhjet. Sipas Vangjelit dje në takim propozimet e zyrtarit të DASH Yee ndaj Bashës nuk janë diskutuar më parë me Ramën. Vangjeli deklaroi se ditën e djeshme në takimet me Presidentin e sapo zgjedhur Meta dhe me kryeministrin Rama nuk është diskutuar për zgjedhjet, por për sigurinë  dhe çështjet e stabiliteti edhe në rajon.  “Në takimin me Presidentin është kërkuar ide se si mund të kapërcehet kjo situatë. Temat e bisedimit të Ramës me Yee kishin të bënë  me çështje të sigurimit dhe të stabiliteti dhe të rajonit, nuk ka patur dje diskutim për zgjedhjet dhe ngërçin politik. Në takimin me zotin Basha është ofruar paketa pa u konsultuar më parë me Ramën.”

***

Ramush Hradinaj ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar në emisionin “Opinion”, se UÇK nuk ka kryer krime lufte. Sipas Haradinajt UÇK nuk ka kryer krime mbi civilët. “Unë e di që s’ka kryer krime UÇK. Unë jam i bindur se UÇK nuk ka kryer krime, nuk ka ndodhur kjo në Kosovë. Nuk ka pasur projekt për krim, por ka pasur projekt vetëm për çlirim”. Haradinaj është shprehur se nuk ka eliminuar  asnjë shqiptar që është konsideruar bashkëpunëtor i Serbve: “E vetmja gjë që UÇK ka bërë është se kanë ndërhyrë, kur kanë mësyrë vendin”, ka deklaruar ai.

Ramush Haradinaj ka deklaruar se familja e tij është konsideruar si “delja e zezë”, pasi ishte kundër Jugosllavisë dhe Titos. “Neve ishim kundër të gjithëve, çdo gjë që nuk ishte Shqipëri dhe ishte Jugosllavi. Xhaxhai im bëri burg 11 vite në izolim dhe kur doli ishte me çrregullime edhe vdiq. Gjithë familja ishin të burgosur politik”. Më tej Haradinaj është shprehur se dy vëllezërit e tij janë vrarë në luftë: “Ne kemi qenë 7 vëllezër, sot jemi 4 gjallë, sepse dy u vranë në luftë. Familja ime ishte e përfshirë e gjitha në luftë, e gjitha pa dallim”. Hradinaj tha po ashtu se Kosova “është rezultat i arritur falë të gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre të Kosovës po gjithë shqiptarëve të Ballkanit”.