Të ftuar:

Anila Basha,

Lorenc Vangjeli,

Osman Hysa,

Enio Haxhimihali,

Julian Mema

Në studion e emisionit “Opinion” po trajtohet çështja e Shkozës lagje në kryeqytet, ku disa banesa të qytetarëve po prishen për ndërtimin e unzës së madhe.

Sipas banorëve nëpër shtëpitë e tyre nuk ka shkuar asnjë shkresë për prishjen e ndërtesave të tyre dhe më pas dëmshpërblimin nga shteti. Banorët kanë deklaruar se kanë marrë leje për të ndërtuar banesat e tyre në tokën e cila është e shtetit. Po ashtu banorët në studion e Opinion janë shprehur se ndërtesat e tyre nuk janë legalizuar ndaj edhe ata rrezikojnë të dëmshpërblehen. “Neve nuk na kanë sjellë asnjë shkresë për atë që do të ndodh me banesat tona. Na ka ardhur një shkresë nga Aluizni dhe pastaj kanë ardhur vetë personat fizik nga INUKU për të prishur ndërtesat” , shpreh Osman Hysa një prej banorëve. 

Dhjetra banorë të zonës së Shkozës prej disa ditësh janë ngritur në protestë, pasi mësuan se banesa e tyre do të shembet sepse preket nga projekti i rrugës dhe zgjatimit të lumit Lanë. Banorët e zonës deklaruan sonte në studion e emisionit “Opinion” se është përdorur një praktikë selektive nga institucionet përkatëse për disa shtëpi që janë brenda zonës që kalon gjurma. Një nga këta banorë, Osman Hysa, tha se kjo gjë po ndodh pa praninë e asnjë dokumenti zyrtar. Ai tregoi se u gjend i befasuar kur me datë 23 maj, i erdhi në shtëpi një person pa asnjë dokument në dorë dhe e lajmëroi se gjurma e projektit kap edhe shtëpinë e tij. Hysa theksoi se shtëpia është ndërtuar me leje në vitin 1984 dhe për këtë arsye nuk mund të shembet pa dëmshpërblim nga shteti. “

Në shkozë ka ndodhur një fenomen që s’ka ndodhur në asnjë vend të Shqipërisë, pasi këtu nuk ka asnjë dokument pronësie. Personalisht kam vetëm banesën të hipotekuar, si shumica e këtyre njerëzve, të paktën 80 përqind të tyre

”, tha ai. Hysa tregoi se ka ekzistuar një projekt i mëparshëm që tregonte lumin Lanë tek kalonte përmes një tuneli dhe sipër Lanës, vijonte rruga.

I ftuar në emisionin “Opinion” për prishjen e banesave në Shkozë ku pritet të kalojë projekti për unazën e madhe në kryeqytet, Drejtori i Kabinetit të Avokatit të Popullit Enio Haxhimihali është shprehur se për shpronësimin e 30 trojeve ka një vendim nga Këshilli i Ministrave i cili ka dalë që në vitin 2016. Më tej Haxhimihali ka treguar edhe kategoritë e banesave që preken nga ky shpronësim. “Ka një legjislacion në Shqipëri për shpronësimin e cila parashikon një procedurë shumë të saktë që duhet ndjekur. Nga informacionet që ne kemi deri tani ka vetëm një vendim të vitit 2016 për troje jo për banesa. Pra ka një vendim nga Këshilli i Ministrave për 30 emra personash apo institucionesh të cilët pronat i kanë hipotekuar. Ky projekt prek disa kategori banesash, pra banesat që janë hipotekuar, banesat që kanë bërë kërkesë për legalizim dhe banesat të cilat nuk kanë bërë kërkesë për legalizim. Legjislacioni për shpronësim parashikon se për të gjitha kategoritë duhet të zbatohen proceduarat. Pra nuk mundet që për atë që e ka të legalizuar të zbatohet dhe për atë që nuk e ka të legalizuar të mos zbatohet. Domethënë që si ata që i kanë të hipotekuara si ata që i kanë në proces legalizimi duhet të trajtohen njëlloj para ligjit, pra të gjithë janë të barabartë para ligjit. Procesi po avancon me shpejtësi, ditën e hënë u prishën 3 banesa, të martën u prishën 4 banesa. Ne sot patëm një takim me zonjën Dallëndyshe Bici ku kërkuam informacion. Ajo na informoi se ka 82 vendime të ALUIZNIT për të cuilat ky institucion ka nisur zbatimin. Pra një vendim negativ le të themi”, është shprehur Haxhimihali.

Banorët e zonës së Shkozës që rrezikohen nga shembja e shtëpive deklaruan se nuk janë kundër investimeve në infrastrukturë, por nuk kanë ku shkojnë, ndaj duhet të dëmshpërblehen në mënyrë të duhur. Ata treguan sonte në studion e emisionit “Opinion”, se Bashkia e Tiranës, banorëve, iu ka ofruar një vit qira e paguar, kredi e zbutur, por sipas tyre ata harrojnë se një banor i kësaj zone që kap moshën mbi 50-vjeç është e pamundur të marrë një kredi të zbutur. Një prej këtyre banorëve, Julian Mema, tha se shteti duhet t’u japë diçka këtyre banorëve që kanë mbi 25 vjet që kanë ndërtuar dhe duhen trajtuar pikërisht siç janë trajtuar ata të zonave të tjera. “

Shteti duhet t’u japë një dorë fillimisht që edhe ata të marrin pak energji për të pasur mundësi të shohin jetën më ndryshe, janë 25 vite që këta kanë hedhur lekët në ato banesa. Çdo qindarkë nuk duhet të shkojë dëm, janë lekë të bëra me djersë. Nuk ekziston asnjë person i arrestuar për ndërtim pa leje. Jepi njerëzve energji të fillojnë nga e para. Kemi gabuar, jemi dy palë që kemi gabuar, pra cili është çmimi i references dhe meqë jemi dy në këtë mes, e pjesëtojmë për dy

”, tha ai.  

Jo vetëm shteti, por edhe banorët e zonës së Shkozës janë fajtor për ndërtimet pa leje që sot kërcënohen me shembje të banesave, pasi preken nga projekti i ndërtimit të rrugës dhe zgjatimit të lumit të Lanës. Ky është rezultati i sondazhit të mbrëmjes në Opinion.al, i cili ka treguar se (66.67%) e votuesve mendojnë se të dy palët,

shteti dhe banorët

, janë fajtor në gjithë këtë histori. Pyetjes se: Kush mban përgjegjësi për ndërtimet pa leje?, rreth 66 përqind e votuesve mendojnë se është shteti dhe vetëm (16.67%) mendojnë se janë ata që i ndërtuan.

Kanë pritur me vite legalizimin e shtëpive, por janë shokuar kur kanë mësuar se banesa do t’u shembet për ndërtimin e rrugës dhe zgjatimin e lumit Lanë. Dhjetëra banore të zonës së Shkozës që preken nga projekti, kanë dalë prej disa ditësh në protestë. Banorët pretendojnë se me ta nuk është komunikuar paraprakisht që pjesa e banesave të tyre është përfshirë në planin urbanistik, duke pretenduar që jo vetëm që nuk janë njoftuar për shembjen e shtëpive, por nuk kanë negociuar as për dëmshpërblimet. Ata janë parë të ulur në rrugë bashkë me fëmijët, duke bllokuar edhe qarkullimin. Ata kanë deklaruar se nuk janë kundër investimeve në infrastrukturë, por nuk kanë ku të shkojnë, ndaj kërkojnë dëmshpërblim. Sipas IKMT, banorët që pretendojnë dëmshpërblime disponojnë banesa të palegalizuara, ndërsa mbi 140 familje janë skualifikuar nga procesi i legalizimit. Më tej IKMT shton se 10 familjet që disponojnë certifikatë pronësie do të dëmshpërblehen. Protesta e banorëve që rrezikojnë t’u shemben shtëpitë ka vazhduar çdo ditë nën mbikëqyrjen e forcave të rendit. Ndërkohë drejtues të Agjencisë Rajonale të Rrugëve të kapur edhe nga ethet e ndërrimit të ministrave nuk kanë dhënë sqarime në lidhje me projektin.