Të ftuar:

Ylli Doci,

Arian Galdini,

Vlabona Treska,

Gëzim Tushi,

Ulpiana Lama,

Erinda Ballanca

Sot në emisionin Opinion është duke u diskutuar për divorcet. I ftuar në këtë emision është edhe Gëzim Tushi i cili është shprehur se perceptimet për martesën kanë ndryshuar krahasuar me vite më parë. Sipas Tushit më parë martesa shihej si një akt që do të çonte në lindjen e shumë fëmijëve, të cilët më pas do të ishin luftëtarë, ushtarë etj, ndërsa sot martesa shihet si diçka më private. “Shoqëria shqiptare e ka konsideruar martesën si institucionin e riprodhimit. Ne martesën, në konceptin ideologjik e kemi patur një çerdhe që të na bënte fëmijë, ushtarë, luftëtarë, punëtorë, kooperativistë etj. Ndërsa sot është bërë një institucion i jetës private më shumë se sa i jetës publike dhe sociale. Dhe në themel të tij është intimiteti”, është shprehur Gëzim Tushi

Sociologu Gëzim Tushi ka theksuar në studion e Opinion, në lidhje me debatin e shtimit të divorceve në shoqërinë shqiptare, se duhet t’i shmangemi hipokrizisë martesore. Sipas tij, martesa është një institucion shumë i rëndësishëm i jetës shoqërore, pa të cilën, nuk dihet se çfarë do jetë shoqëria e së ardhmes. Tushi tha se tipologjia e vjetër e martesës, historia e saj dhe ndryshimet që ka pësuar i ka vënë një krizë ekzistenciale që kërkon të përkufizohet nga e para. Ai ka theksuar se një martesë pa divorc është kriminale. Për të njeriu nuk mund të qëndrojë në një burg për gjithë jetën me një person kur nuk ndjen asgjë për të. “Unë kam hyrë në burg apo kam hyrë në martesë”, u shpreh Tushi. Sipas tij, martesa duhet të jetë një institucion i lirë dhe nuk mund të përkufizojë njeriun brenda një kuadrati jashtë dëshirës.

12 vjet eksperiencë, ka asistuar në 2 mijë e ca divorece vetëm në Tiranë, Valbona Treska, psikologe ka theksuar sonte në Opinion, se një divorc nuk ka pse të shmanget nëse marrëdhënia mes çiftit nuk funksionon. Treska tha se nuk duhet harruar se një vendim për martesë, kryesisht merret në një moshë shumë të re, rreth moshës 20-22 vjeç. Sipas saj, një martesë e realizuar në moshë të tillë, është e pasigurt nëse do jetë jetëgjatë apo do zgjasë për gjithë jetën. Ajo theksoi se nuk duhet harruar se njeriu ndryshon, si dhe ndryshon edhe përceptimi rreth jetës, ndryshon stili i jetës dhe njeriu vetërritet, duke marrë parasysh edhe rrethanat që të sjell jeta.

Pastori Ylli Doçi ka treguar, sonte, në studion e Opinion se krishtërimi e ka ngritur institucionin e martesës në nivelin më të lartë nga çdo kuptim tjetër dhe në të njëjtën kohë e relativizon më shumë se çdo botëkuptim tjetër. Sipas tij, krishtërimi e ka realizuar në këtë formë, pasi ka shumë ide se lumturia seksuale dhe fizike është maja e lumturisë, diçka shumë e rëndësishme, prandaj Bibla e përkufizon këtë në martesë. Mirëpo, ai tha se simbolika më e rëndësishme e martesës është përkushtimi i Perendisë ndaj njeriut. “Kur ne të shkojmë në Parajsë, nuk do ketë martesë më. Cfarë do të thotë kjo, martesa është hija e një realiteti më të rëndësishëm. Kënaqësia që në kemi në martesë është vetëm një hije e kënaqësisë që ne do kemi në lidhjen tonë me Perëndinë”, tregoi Pastori.