Nuk bëhet fjalë më për përdorimin e kanabisit, por për drogat e forta, kokainë, heroinë dhe përzierje të tjera të cilat po kthehen në një standard ose normë në lokalet e natës në kryeqytet dhe në përgjithësi në jetën e natës. Por sa emergjencë është kthyer droga tek të rinjtë dhe sidomos në lokalet, që nuk respektojnë rregullat minimale të ligjit, si për shembull, mos konsumimi i alkoolit në një moshë të caktuar që e parashikon ligji, apo mbajtja larg e shpërndarësve të drogës.

Sipas të dhënave që ka siguruar emisioni “Opinion”, që transmetohet në Televizionin Klan dhe që është duke e hetuar për të shkuar më tej, disa lokale të rëndësishme të jetës së natës në kryeqytet, më shumë sesa fitimet që vijnë nga konsumimi i pijeve dhe i biletave të hyrjes, i nxjerrin fitimet e tyre duke i shndërruar lokalet në zona masive të tregtimit të drogës. Pra, janë kthyer në qendrat kryesore të shpërndarjes së drogës, ku nuk ka asnjë kriter që lidhet me moshën. Pra, po tentojnë të tërhiqen në jetën e drogës edhe të rinjtë.

Sa emergjente është droga në Shqipëri? “Opinion” u fokusua tek jeta e natës, pasi aty është më evidente. Por edhe konsumimi i drogave nga adoleshentë në shkolla dhe në ambientet e tjera. Stafi i emisionit u fokusua tek jeta e natës, bazuar dhe tek aksionet e fundit të policisë. Është një temë shumë e prekshme, sa i takon të ftuarve në studio, i takon dhe secilit prej nesh, prindërve, mësuesve dhe secilit, që në jetën e përditshme ka të bëjë me adoleshentët dhe të rinj që mund të jenë preja e parë dhe kryesore e një prej sëmundjeve më të mëdha të shekullit të ’20, pra drogës.

9

Nga studioja e “Opinion”,  mjekja toksikologe Amarda Gashi ngre shqetësimin e pasojave të përdorimit të hashashit, që ajo e konsideron si drogën më të neglizhuar sa i përket opinionit publik. Gashi shprehet se përdoruesit e hashashit janë problem për shoqërinë dhe për vetë jetën e tyre, pasi nuk kanë një perceptim real të ambientit dhe mjedisit që i rrethon.

 

Mjekja thekson se hashashi është përgjegjës për disa çrregullime serioze, si çrregullimet psikotike, deluzionet, çrregullime të ankthit, halucinacione etj. Ajo shprehet se shpesh është e vështirë të ndash nëse një person ka qenë fillimisht i sëmurë psikiatrik apo ndodhet në këtë gjendje nga përdorimi i hashashit.

Për mua të gjitha llojet e drogave janë problematike. Më shumë sëmundshmëri afatgjatë dhe të vështirësi për t’u kthyer nga ndihma jonë ngelet kanbisi. Flasim për pjesën mjekësore. Në lidhje me drogën ka shumë informacion që shpesh herë nuk është i vërtetë sepse ka njerëz që japin informacionin e saktë. Në lidhje me atë që shohim ne në pjesën mjekësore, kanabisi është droga më e neglizhuar në lidhje me opinionin publik, shkakton efektet psikotike tek persona të cilat janë kaq të ngjashme me psikozat primare të shkaktuara nga sëmundjet primare psikiatrike, ku dhe ne e kemi shumë të vështirë të ndërhyjmë. Hashashi shkakton, çrregullime psikotike, deluzione, çrregullime të ankthit, halucinacione. Imitojnë psikozën kaq pastër dha janë kaq afër një psikoze sa ne e kemi të vështirë të ndash se ky person ka qenë fillimisht i sëmurë psikiatrik nga një ç’rregullim psikiatrik ekzistues më parë, apo nga përdorimi i hashashit. Janë pacientë që shkojnë sa tek shërbimi i psikiatrisë sa tek shërbimi jonë. Shumë të vështirë për t’u kuruar prej nesh, me psikoza frakture, pavarësisht antipsikotikët që përdoren. Nuk e di nëse do bëhet një emision dhe do sensibilizohen nga ekspertët reale mjekësor dhe të lihet në dorë të personave që nuk janë të autorizuar dhe flasin për kanabisin. Sot flitet për kanabisin të përdoret për efekte mjekësore, por ende nuk ka një dozë të caktuar. Se ne japim efektet pozitive, por harrojmë ato negative. Dhe heroina, kokaina dhe stimulantët janë shumë problematike, por janë pacientë që t’i nuk e ke kënaqësinë që t’i kthesh menjëherë në jetën, janë pacientë refraktarë shpeshherë. Në moshën me aktive, ky person do fillojë t’i japi vetes dhe shoqërisë një person totalisht të çorientuar në kohë dhe hapësirë, me efekte psikotike. Mund të ketë halucinacione auditive, vizive, deluzine të përndjekjes, të xhelozisë dhe të probleme të tjera. Pra, nuk bën një perceptim real të ambientit dhe të mjedisit. Janë problemë për shoqërinë dhe për jetën e vet.

Një tjetër problematikë sa i përket drogave, për mjeken Amarda Gashi është dyfishimi i përdoruesve të kokainës, në një periudhë kohore nga viti 2013 deri në 2015 -ën. Gashi rrëfen se nuk mungojnë edhe rastet që përdoruesit e kësaj droge, që konsiderohet si stimulant, kanë humbur jetën. Ajo thotë se, ata që vijnë në gjendje të rëndë kanë konsumuar sasi të mëdha, në lokale të ndryshme. Rastet që kërkojnë ndihmë, thekson Gashi, janë dyfishuar.

“Përsa i përket stimulantëve, ku futet dhe kokaina, ka një dyfishim të numrit të përdoruesve, të paraqitur në shërbimin tonë që kanë kërkuan ndihmë nga viti 2013 deri në 2015. Në total kanë qenë gati 300 për gjithë vitin, duke marrë parasysh dhe ata që vijnë për urgjencë me disa parametra klinike të alteruara dhe nuk rrinë gjatë, rrinë vetë disa orë, qetësohen. Ka dhe raste që kanë humbur jetën nga përdorimi i kokainës. 

Ata që vijnë në gjendje të rëndë kanë konsumuar sasi të madhe, ku mund ta kenë konsumuar në disa lokale rresht. Ka persona që marrin për disa orë kokainë duke e konsumuar me alkool. Rastet që kërkojnë ndihmë janë dyfishuar. Jo të gjithë kërkojnë ndihmë, ka dhe nga ta që shkojnë edhe në spitale private, por nuk e kanë shërbimin tonë”.

10

Duke u fokuar tek përdorimi i drogës në shkolla, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj thotë se të dhënat tregojnë se nxënësit e shkollave 9 – vjeçare janë elementi i parë i përdorimit të drogave. Kjo, sipas saj, ndodh për shkak se ata e shesin si të dobishme, ose si një qasje për modele nga më të ndryshme, që i marrin nga bashkëmoshatarët e tyre. Por nuk mungojnë edhe arsye të tjera, si dëshira për protagonizëm apo kompleksi i inferioritetit. Malaj shtron edhe një tjetër problematikë, atë të neglizhencës së prindërve ose mungesës së tyre.

“Konsumimi i drogës në shkolla është një nga problemet më komplekse në qasjen e raportit midis individit dhe shoqërisë, përbën një problematikë të sofistikuar dhe shumë të vështirë. Në një nga anketimet në përballjen që po bëjmë së bashku më Institutin e Shëndetit Publik, në kuadër për të ndërtuar një strategji dhe në raport me punjosësit e policisë për parandalimin dhe riedukimin e kësaj kategorie, u bë një anketim që është shtrirë në gjithë Shqipërinë duke filluar nga shkollat 9 – vjeçare, në shkollat e mesme dhe në Universitete, fatkeqësisht rezultojn dhe kjo është një dhimbje shume e madhe, që nxënësit e shkollave 9 – vjeçare ose të klasave të 7 – 9 bëhen elementi i parë i përdorimit të drogave. Arsyet pse dalin janë këto: Një pjesë e tyre e shesin si të dobishme, keqinformim, ose qasje për modele nga më të ndryshme që i marrin nga bashkëmoshatarët e tyre. 

E dyta, sepse ata duhet të bëhen pjesë e protagonzimit apo pjese e të “fortëve” .

E treta, ku nxitet elementi i velizmit ku bën pjesë kategoria e fëmijët që vinë nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe nuk kanë mundësi të bëhen pjesë e atij grupimi “VIP”. Në shoqërinë tonë kaotike, nga eksperiencat e mia në kohën kur kam qenë në kohën e mësimdhënies më kujtohet rasti i një djali, prindërit e së cilit punonin në një aktivitet privat dhe nuk kishin kohë të merreshin me të. I linin shpesh herë lekë dhe një ditë prindërit gjejnë një letër: “Të dashur prindër, unë kisha shumë nevojë për ju gjatë kësaj kohe, ju më keni munguar, tani për mua shoku më i mirë është bërë droga sepse kam filluar ta konsumoj”. Ka qenë 16 vjeç në kohën kur ai nisi drogën. Ajo që është sot shumë shqetësuese është që kemi një disnivel të tmerrshme midis kërkesës së prindërve, pra neglizhencës së prindërve ose mungesë së prindërve, pasi shkolla e ka të pamundur të realizojë maksimumin e gjërave”.

4

I ftuar në studion e “Opinion”, artisti Robert Aliaj rrëfen se në gjatë kohës që realizonte një film dokumentar, sëbashku me stafin blenë kokainë në disa pika në Tiranë dhe vlera e saj ishte rreth 100 dollarë. Aliaj shprehet se pasi e dërguan në laborator për të parë cilësinë, rezultoi se vetëm 30 përqind e saj ishte kokainë dhe 70 ishte aspirinë ose pluhur neoni, e deri tek lidogaina, duke e bërë këtë drogë edhe më të rrezikshme për jetën e njerëzve. 

“Në festivalin tim ku kam edicionin e 7-të këtë vit kam bërë një film vjet me titullin, “Cocaine”, një mini dokumentar jashtëzakonshmit esencial sepse ne blemë kokainë në pika të ndryshme në Tiranë. Nga 1 gramë në 14-15 pika, nga 100 dollarë përafërsisht dhe i dërguam në laborator për të parë cilësinë, pra çfarë shitet. Na rezultoi që 30 % është kokainë dhe 70 %, aspirinë, është pluhur neoni, deri tek lidogaina, (pluhuri i dentistëve) dhe pluhura të tjerë të bardhë. Përdorimi i drogave duket si trend, që e has nën presionin e shoqërisë, kur ne jemi në një rreth shoqëror dhe quajmë si interesante dhe të rinjtë e shesin si diçka të fortë. Mendoj se është në modë. Unë nuk kam pirë kurrë madje as duhan nuk kam pirë kurrë”.

8

Drejtori i Policisë, Ervin Hodaj pranon se Tirana, si qendra më e madhe urbane në vend, është edhe më problematikja. Ai shprehet se përllogariten të jenë rreth 50 lokale, por jo vetëm, që vlerësohen si me risk. Hodaj sqaron se operacionet që bëhen në lokalet e natës vijnë si pasojë e informacioneve konkrete dhe se nuk janë kontrolle sporadike. Ai sqaron gjithashtu se, në shumicën e rasteve, ata që e shpërndajnë drogën nëpër lokale janë administratorët e këtyre të fundit.

“Nuk mund ta mohojmë që nuk shitet drogë në Tiranë, pasi është qendra më e madhe urbane e Shqipërisë dhe normalisht ka dhe problematikat më të mëdha. Si çdo qendër e madhe është problem. Tirana ka më të shumtën e lokaleve dhe jetës së natës në gjithë Shqipërinë. Policia ka një statistikë, i ka të evidentuara të gjitha, jo vetëm për këtë fenomen, por edhe për problematika të tjera. Janë rreth 50 të tillë në gjithë Tiranën. Në këto 50 nuk janë vetëm lokale, por kanë një vlerësim risku nga ana jonë. Operacionet që bëjmë ne në lokalet e natës janë me informacione konkrete, nuk janë kontrolle sporadike. Ka një procedim. Edhe për policinë janë të vështira, pasi është muzika, njerëzit, mbipopullimi, duhet ta dokumentosh më parë këtë veprimtari kriminale sepse mund të ndodhë që shkon polica dhe nuk gjen gjë, pasi sasitë janë të vogla dhe në momenti që hyn policia ajo mund të zhduket dhe ne veprojmë me mënyra të tjera. Zakonisht në lokale nuk kapen sasi të mëdha, pasi ato vijnë në sipas kërkesës së klientit, në lokale vijnë sasi minimale, por janë shumë të efektshme në publik, por edhe për ne. Në shumicën e rasteve lokalet që e shpërndajnë janë administratorët e lokaleve, pasi nëse unë administroj një lokal nuk mund të vijë dikush tjetër dhe të shesë lëndë narkotike. Në Tiranë për këtë vit sasia më e madhe që është 2 kg e 600 gram kokainë”.

2

Gazetari Spartak Koka ngre një tjetër problematikë. Duke iu referuar një shkrese zyrtare të Policisë në vitin 2014, Koka thotë se persona të ndryshëm me aktivitet kriminal janë nën mbrojtjen e strukturave të policisë ose informohen prej tyre në rast se ka kontrolle. Sipas tij, kjo e bën shumë më të vështirë goditjen e këtyre rasteve për shkak se ekziston një rrjet bashkëpunëtorësh brenda strukturave të policisë.

Koka thotë gjithashtu se fenomeni i ambienteve të përshtatura për konsumimin e drogës nëpër lokale është kthyer në diçka të zakonshme dhe të njohur nga të gjithë.

Një problem tjetër që ngre gazetari Koka është fakti se lokalet e natës rekrutojnë femra, të cilat i maskojnë si këngëtarë, valltare, kameriere, apo banakiere për shfrytëzim seksual.

“Në vitin 2014 ne kemi pasur një shkresë të Policisë së Tiranës, një studim strategjik i cili sigurisht është impelmentuar në vitin 2015, ku thoshte që persona të ndryshëm me aktivitet kriminal janë nën mbrojtjen e strukturave të policisë ose informohen prej tyre në rast se ka kontrolle. Pra, vështirësia në ndërhyrjen brenda lokaleve vjen si pasojë e një rrjeti bashkëpunëtorësh brenda strukturave të policisë të niveleve të ndryshme që mund të bëjnë, vetëm njoftimin e pronarëve, administratorëve apo menaxherëve që do vijë policia sot dhe sigurisht ata do frenojnë shitjen e lëndëve narkotike dhe kryesisht kokainës. Duhet të themi që nga Tetori i vitit 2015, përpos një rasti në Janar të vitit 2016 nuk kemi asnjë rast tjetër të proceduar për përshtatje të ambienteve për përdorimin e lëndëve narkotike. Vetëm dy janë dënimet e dhëna nga Gjykata e Tiranës në 6 vitet e fundit për këtë fenomen, ku gjithsecili prej nesh e di, të rinjtë nga mosha 14 deri në 25 vjeç e dinë se ka ambiente të përshtatura për konsumimin e lëndëve narkotike, brenda lokaleve. Kemi dhe një problem tjetër, lokalet e natës rekrutojnë femra të cilat i maskojnë si këngëtarë, valltare, kameriere, apo banakiere për shfrytëzim seksual, ishte operacioni i fundit i bërë që bëri policia pranë Prokurorisë së Tiranës. Ajo që është shqetësuese është mosgoditja e grupeve të mëdha. Kemi nga sektori i narkotikëve të Policisë së Tiranës, goditjen e disa personave, por jo të krerëve të grupit. Ka persona që e bëjnë në mënyrë artizanale që janë në zonën e Selitës, ka persona që e bëjnë në mënyrë të organizuar me laboratorë në kryeqytet që bëjnë përpunimin me substanca të tjera që ende sot nuk janë goditur. Po flasim për kokainën, edhe nga të dhënat nga spitali rezulton që ka një dyfishim të përdoruesve të kokainës.J eta e natës po tregon se po dyfishohen përdoruesit e kokainës dhe dështimin e policisë për parandalim dhe goditjen”.

6

Ndërsa gazetarja Etleva Delia zbulon disa prej zonave më problematike në kryeqytet. Ajo shprehet se ka lokale brenda pallateve që përdoren nga persona të caktuar për të ushtruar këtë aktivitet.

“Meqenëse jemi tek lokalet, unë dua të them më problem janë ato lokale që nuk dihen, sesa ato që dihen. Jam nisur për të bërë një punë dhe më pas me ka dalë diçka tjetër. Kam bërë diçka tjetër, pasi më kapin banorët dhe më thonë të lutem shkruani, pasi këtu gjithë natën është një ambient që përdoret si tallava, vijnë persona që konsumojnë drogë, vijnë vajza që ushtrojnë prostitucion dhe nuk merret vesh kush hyn dhe kush del dhe po bëhet problem. Si ai lokal ka dhe zona të ndryshme në Tiranë. Ka tek zona e Ali Demit, në Unazë e Re, Laparakë, janë lokale brenda pallateve që përdoren nga persona të caktuar që përdorin ambiente për të ushtuar një veprimtari të tillë”.

Kreshnik Alimadhi, specialist në Drejtorinë e Policisë Tiranë, theksoi se asnjë vend nuk mund të konsiderohet totalisht i pastër. Ai u shpreh se ndër zonat ku shpërndahet drogë është ajo e ish – Bllokut, por ky aktivitet sipas tij ushtrohet kryesisht në zonat në periferi të qendrës së Tiranës.

“Nuk mund të quaj asnjë vend të imunizuar në luftën me drogën. Normalisht përdorues ka. Nuk mund të themi që nuk tregtohet drogë. Me aq studime dhe informacione sa kemi, numri i konsumatorëve po vjen në rritje. Kjo vjen jo vetëm sepse nuk ka informacione apo se nuk është arritur të dokumentohen, që të vendosen para përgjegjësisë ligjore, personat apo subjektet që ushtrojnë këtë aktivitet kriminal. Zonat ku shpërndahet drogë e sasive të vogla është kryesisht ajo e ish – Bllokut, edhe tek Unaza e Re, por sipas informacioneve që ne kemi janë kryesisht zonat periferike.”

Pjesë e diskutimit në studion e “Opinion” ishte edhe një gjimnaziste. Refxhei Tola, nxënëse në vitin e dytë të gjimnazit pranon se bashkëmoshatarët e saj përdorin drogë, kokainë e marijuanë. Tola shprehet se kjo e fundit është më shumë e përdorur, kryesisht prej faktit se është më e lirë.    

“Jam në vitin e dytë në gjimnaz. Gjimnazistët përdorin kokainë dhe marijuanë, e cila është më e lirë dhe më e përdorshme. Janë persona që duan të imitojnë atë pjesën e llastuar dhe modele e imazhe të rreme që na shfaqen të cilat ne i ndjekim, modele të gabuara. Për shembull modele të kinematografisë dhe të muzikës, jo vetëm të huaja, por edhe shqiptare. Fillojnë që në klasën e shtatë marijuanën. Ka gjimnazistë që përdorin kokainë, sepse sapo del nga mjediset e shkollës janë shumë të ekspozuar nga ky fenomen, që tashmë është bërë një trend. Ata që e kanë janë persona me “VIP” të shkollës, të veshur nga një famë e rremë. E shohin si një moment shpërfillje dhe indiferentizmi. Është një fenomen që sa vjen dhe përhapet, sepse të rinjtë janë të ekspozuar ndaj drogave dhe nuk është bërë diçka konkrete për ta parandaluar. Janë modelet e rreme që na shfaqet. Në shohim klipe ku këngëtarët i bëjnë këngët duke përdorur lënde narkotike”.  

3

Në fund, gazetari Blendi Fevziu premton se në të ardhmen do të ndërtojë një emision vetëm për efektet shkatërruese që sjell droga.

“Do të mundohemi ta ndërtojmë përmes shembujve konkretë, nuk ka rëndësi nëse identifikohen ose jo”.

Nëse doni të jeni të suksesshëm, nëse doni të bëni një karrierë, të jeni pjesë e shoqërisë, kurrë mos u tundoni nga droga, sepse tundimi i përkohshëm, sidomos në momentet e para të adoleshencës dhe të rinisë, kur duket sikur ju tregon ‘tredi’ në njëfarë mënyrë iu hedh tutje nga çdo mundësi për të qenë të suksesshmen në jetën e më pas.

Shmanguni, sepse nëse ka një prej atyre fatkeqësive, që i përqasen në mënyrë të bukur në jetën e njeriut është varësia nga droga, që është një fatkeqësi që nuk e kupton në momentin e parë, por që e vuan më pas gjithë jetën. /tvklan.al