Të ftuar:

Ben Blushi,

Lutfi Dervishi,

Fatos Hakorja,

Artan Hoxha,

Lorenc Vangjeli

Kryetari i partisë Libra, Ben Blushi, i ftuar në emisionin Opinion ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me një projekt vendim të Komisionit Qëndron të Zgjedhjeve, që sipas tij synon të eliminojë atë dhe grupimin e tij nga zgjedhjet. Blushi tregon se në zgjedhje do të marrin pjesë me çdo kusht pavarësisht këtyre problemeve që mund ti dalin rrugës. “Sipas Kodit Zgjedhor, një parti e re mund të garojë në zgjedhje pa pasur 5 mijë firma nëse ka një mandat deputeti, ne kemi dy mandate.”- tregon deputeti. “Ne jemi regjistruar në fund të janarit, ndërsa mbrëmë në dark KQZ nxjerr një projekt vendim i cili parashikon zhvendosjen e datës së gjashtëmujorit të fundit, mandati im skadon më 18 qershor, ose 1 shtator, ndërsa sipas këtij projekt-vendimi mandati ynë mbaron në prill kur deklarojmë listat.” Sipas Blushit ky është kjo është një shpikje për ti penalizuar ata, dhe kjo pasi kundërshtarët e tij kanë frikë nga votat që do i marrin. “Ne kemi kërkuar anulimin e këtij vendimi, megjithatë ne do mbledhim firma, aq sa duhet, mund ti mbledhim brenda një jave.”- përfundon ai.

Analisti Lorenc Vangjeli, sonte, në studion emisionit Opinion i ka kujtuar kreut të LIBRA-s Ben Blushi se gjeneralët e mirë pasi fitojnë betejën shpallin arsyen se pse e bënë këtë. Vangjeli tha se ky është një material i përgatitur nga administrata e KQZ-së, e cila pritet të votohet, por që ka pak gjasa të kalojë. Ai theksoi se Blushi sapo shpiku një betejë.

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi ka bërë me dije sonte në emisionin Opinion se është një parti opozitare por që nuk do marrë pjesë në protestën e 18 shkurtit, të thirrur nga opozita dhe veçanërisht PD-ja. Blushi theksoi se këta po dalin duke thirrur shikoni se çfarë po bëjnë rumunët, por ata dolën kundër njërës palë dhe kundër tjetrës. Ai nënvizoi se Shqipëria nuk është Rumani, pikërisht për këtë fakt. “Nëse shqiptarët një ditë do të dalin në protestë, ata duhet të dalin si kundër Edi Ramës, ashtu edhe kundër Sali Berishës njëkohësisht”.

I ftuar në studion e Opinion, Ben Blushi ka treguar për anëtarët e partisë së tij të re “Libra”. Sipas tij ata që i janë bashkuar kësaj nisme vijnë kryesisht nga radhët e shtresës së mesme. “Libra nuk ka asnjë paragjykim, çka e bënë pak më të lehtë për të hyrë në të. Ideja jonë kryesore është qeverisja më e mirë e Shqipërisë, më shumë mundësi për të rinjtë, mos të emigrojnë dhe financimi i arsimit.”- thotë ai. Blushi ka thënë se asnjë nga tre partitë më të mëdha në vend nuk përfaqësojnë shtresat e tjera të shoqërisë, përveç të pasurve. “Të varfrit dhe shtresa e mesme duhet të përfaqësohen. Fëmijët paguajnë varfërinë e prindërve, por edhe të vetën sepse nuk kanë punë, e ikin në gjermani.” Pra sipas Blushit, të rinjtë nga shtresa e varfra dhe të mesme nuk kanë asnjë shans për tu bërë një ditë deputetë.

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, sonte, në studion e emisionit Opinion ka folur në lidhje me anëtarësinë e kësaj levizje të re politike. Blushi bëri me dije se LIBRA nuk e ka problem se një person dikur ka qenë me PD-në apo me PS-në, e rëndësishme është se çdo anëtar i saj, bashkohet rreth një ideje dhe kjo ide është për t’a qeverisur Shqipërinë sa më mirë dhe për të zbutur polarizimin social. Më tej, ai tha se ne kërkojmë t’u japim sa më shumë shpresë të rinjve shqiptar që të mos emigrojnë, por të qëndrojnë këtu dhe të punojnë në vendin e tyre.

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, sonte, në studion e emisionit Opinion ka shpjeguar se çfarë është Rilindja e drejtuar nga Edi Rama. Blushi tha se Rilindja është mbetje e PD-së dhe PS-së që u bashkuan për të marrë pushtetin me ndihmën e Sali Berishës. Sipas tij, këta në fakt e morën pushtetin që kishin ëndërruar. Më tej, ai, nënvizoi se Rilindja është Armando Prenga dhe Elvis Rroshi.

Kryetari i Partisë Libra, Ben Blushi në studion e Opinion ka përjashtuar mundësinë e një bashkimi me LSI-në nëse kjo e fundit del në zgjedhje e vetme dhe jo në koalicion me PS-në. “Që ditën e parë që jemi mbledhur, vendimi i parë që kemi marr, ka qenë për vendime në grup. Unë personalisht dua të dalim në zgjedhje vetëm, por nëse grupi vendos të kundërtën unë do i nënshtrohem vendimit të tyre.”- ka deklaruar Blushi, i cili ka theksuar edhe një herë disavantazhet që kanë partitë e vogla që dalin në zgjedhje jashtë koalicioneve. ‘Partitë e vogla zgjedhin ti bashkohen të mëdhave, sepse sot i tillë është sistemi…”- thotë Blushi. I pyetur nëse grupimi i tij partiak vendoste të bashkohen në koalicion me PS-në, Ben Blushi ka thënë se do e respektonte vendimin e anëtarëve, por do të merrte një vendi personal, duke lënë të kuptohet se do të largohej edhe nga Libra nëse hipotetikisht ndodh bashkimi me partine e Edi Ramës.

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, sonte, në studion e emisionit Opinion ka deklaruar se militant të PS-së e kanë sulmuar dhe pothuajse edhe fizikisht. Blushi theksoi se partia që kisha 20 vjet, Edi Rama, doli dhe u dha të drejtë atyre. Ai tregoi se pas dy muajsh, thashë se Elvis Roshi është një njeri i papërshtatshëm, duhet të lejë detyrën. Sipas tij, doli Elvis Roshi dhe më kërcënoi mua. “Edi Rama, partia ku isha për njëzet vjet, doli dhe mbrojti Elvis Roshin. Ku të kthehem me këta njerëz?”.

Ata janë dy persona që janë larguar nga Partia Socialiste për shkak të konflikteve me Edi Ramën dhe natyrshëm, analisti Lorenc Vangjeli, në studion e Opinion e ka pyetur Ben Blushin nëse ka kontakte me ish-kryeministrin Fatos Nano. “Nuk jam takuar me Nanon, dhe ky projekt politik nuk ka lidhje me të”- deklaron Blushi duke thënë madje se i frikësohet faktit se nga intervista e tij gazetat e vendit do të merren më tepër me këtë përgjigje.

I ftuar në studion e emisionit Opinion, Ben Blushi ka treguar opinionin e tij lidhur me fenomenin e kanabisit që është kthyer në shqetësim kohët e fundit. Sipas tij kanabisi është përhapur si politikë shtetërore dhe kjo për tre arsye kryesore.

“1- Nevoja për të ushqyer çifligarët lokal.

2- Shqipëria vjet ra në deflacion, nuk kishte para në treg dhe në vend të investimeve të huaja, qeveria mes paniku përhapi paranë e kanabisit.

3- Në vitin 2015 pati një valë të madhe migratore, fluks emigrantësh gjë që ndikoi në treg”

Ndër të tjera Blushi ka thënë se këtë vit ka pasur shumë euro në treg për shkak të eksportimit të kanabisit jashtë vendit.

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, sonte, në studion e emisionit Opinion ka shpejguar konfliktin e ndodhur në seancën plenare me ministrin Blendi Klosi. Blushi theksoi se për shkak të temperamentit tim, ka raste që nxhem kur kam diçka për të thënë. “Jam i nervozuar, kur besoj atë që bëj, unë nuk mund të shtirem. Kjo ndodhi sot në Parlament, do doja të mos ndodhte”, tha Blushi. Në seancën e sotme plenare, Blushi numëroi gjithë akuzat në adresë të Rilindjes, që nga popullimi i Kuvendit me kriminelë e mbajtja e kryebashkiakëve me precedentë, nga vendi ka ndërhyrë ministri Klosi, duke iu drejtuar “injorant” e “budalla”.  Pas kësaj, atij i është përgjigjur Blushi. “Pusho, parazit ordiner që paguhesh 1 mijë euro në muaj nga Vangjush Dako, parazit. Këta janë hajdutët e Rilindjes. Parazit. E kam gjetur duke punuar për Meksin në 1996, mblidhte letrat. E ngjita në kat të dytë këtë halabak, vartësin e Vangjush Dakos. Shko në bashki merr rrogën në fund të muajit aty te rrënojat turke, mos të hedh Vangjushi ndonjë kacidhe” tha Blushi.

Lidhur më dekaratat e kreut të Libras, Ben Blushi për lëvizjen e Koço Kokëdhimës brenda Partisë Socialiste dhe opozitës që ka bërë ai në parti, ka reaguar edhe ky i fundit nëpërmjet një mesazhi që ka dërguar live në Opinion. “Blushi më ka keqkuptuar. Kam qenë shumë kritik, ndofta njeriu më kritik në PS mbi gjendjen e PS në të gjitha kuptimet. Lidhur me debatin që bënte Blushi, qëndrimi im ka qenë ky: PS duhet të ketë rregulla dhe nuk duhet të ketë situata si këto që konteston Blushi. Unë projektova reforma radikale për të kthyer PS në një parti moderne. Ne nuk kishim komunikim me Blushin, prandaj ai nuk i njihte pikëpamjet e mia. Blushi ndofta kishte paragjykime për mua dhe kjo e ka penguar të kuptonte qëndrimet dhe pikëpamjet e mia.”- shkruan Kokëdhima.

Një prej pyetjeve të ardhura në opinion.al për kryetarin e LIBRA-s ka qenë nëse Blushi ka lidhje me Sorosin dhe çfarë mendon ai për të. “Besoj që kjo temë është një legjendë. Një njeri që ka pasur, 30 miliardë euro ose më shumë të harxhoj kaq shumë energji në një vend me 3 milionë banorë në të cilin nuk ka ndonjë pus naftë”- thotë Blushi duke theksuar faktin se Soros ndërkohë ka një “luftë” të madhe me Trump. “Fondacioni i tij ndoshta ka influenca në Shqipëri”- përfundon ai.

Deputeti Ben Blushi, në studion e emisionit Opinion ka deklaruar se një nga sukseset sistematike të Rilindjes është shkatërrimi i LSI-së. Blushi theksoi se Rilindja po e shkatërron LSI-në çdo ditë. “Unë nuk e di a është sukses për Shqipërinë, por kjo është e vërteta. Suksesi i Rilindjes është se po shkatërron çdo ditë LSI-në”, tha Blushi. Kreu i LIBRA-s, bëri me dije, se Rilindja po bën çdo përpjekje për të shkatërruar LSI-në. Ai theksoi se për këtë nuk i vjen keq fare, le ta shkatërrojë të gjithën. “Ilir Meta po e ndihmon apo po e pranon, kjo është një histori shumë e gjatë dhe, sonte nuk kemi kohë”, tha Ben Blushi.