Të ftuar:

Enada At Nikolla,

Joni Peçi,

Ardi Asllani,

Greis Petroviç,

Kujtim Berisha,

Zana Çela,

Armina Mevlani,

Lajla Pernaska

A bëhet modë në Shqipëri? Kjo është pyetja. Apo secili nga ne e sheh me syrin e vet modën dhe “vjedh” nga ajo stilin që i përshatet?

E gjithë ajo që shohim nëpër botë nuk është gjë tjetër, veçse një ekran i madh me ngjyra ose pa to, por gjithmonë imponues ndaj asaj që duhet të zgjedhim dhe që mendojmë se na përshtatet më shumë.

Pikërisht kësaj ‘dileme’, sonte, emisioni “Opinion” është përpjekur t’i japë një përgjigje. Të ftuarit e mbrëmjes, emra të njohur të modës në vend, si; Enada At Nikolla, Joni Peçi, Ardi Asllani dhe Greis Petroviç, mendojnë se efekti global i hapësirës publike, pushtetit të kompanive të mëdha të modës dhe reklamimit nëpërmjet publikimit të modeleve të caktuara, kanë krijuar edhe në këtë industri, si në të gjitha pjesët e tjera të jetës, parafabrikimin e ideve dhe stilit të veshjes.

Sipas tyre, në vendin tonë është shumë vështirë të përballesh me njerëz që kanë një stil të veçantë veshjeje, pasi modelet botërore të showbizzit, janë shumë dominues dhe mbi të gjitha ndikues në stilin e veshjes për shqiptarët.

Ata theksuan se në Shqipëri ka njerëz që mundohen të prodhojnë disa tendenca unike të veshurit dhe stilit, por pavarësisht këtij fakti, thelbi i tyre i veshjes është i pamundur të shkëputet nga kallpet që reklamahohen nga emrat e njohur të modës, sportit apo të showbizzit botëror.