Të ftuar:

Flamur Vezaj,

Lorenc Vangjeli,

Etleva Delia,

Erzen Brecani,

Artan Hoxha,

Fatos Hakorja,

Gjovalin Loka

Emisioni Opinion në TV Klan ka publikuar fotot e para të sharrimit  me motosharrë të pjesës së pasme të dy makinave të kompanisë private të sigurisë nga të cilat kanë marrë paratë.

Grabitja ka ndodhur rreth orës 13:24 në Qafë Kashar, në periferi të Tiranës, ku dy persona të veshur me kamuflazh, mundën të marrin shtatë thasë me lekë të Bankës Kombëtare Tregtare, të cilat transportoheshin me dy makina të blinduara për në aeroportin e Rinasit, me destinacion Vjenën.

Pesë punonjësit e shoqërisë private të sigurisë që po shoqëronin paratë e një banke të nivelit të dytë drejt Rinasit kur u grabitën nga persona të armatosur dhe me maska, janë arrestuar. Arrestimi i Endrit Daçit, 31 vjeç, Dashamir Ballas, 42 vjeç, Xhelil Metajt, 43 vjeç, Gentian Dedjas 31 vjeç dhe Përparim Logut 39 vjeç u bë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” pas përfundimeve të hetimeve paraprake nga grupi hetimor i ngritur pas ngjarjes në fjalë. Grupi ka arritur në një sërë përfundimesh, ku vërehen një sërë shkeljesh. Grupi hetimor thotë se asnjëri prej pesë efektivëve të policisë private nuk ka njoftuar sallën operative dhe as qendrën e tyre të kontrollit, parashikuar nga protokolli në rastin e shoqërimit të sasive të tilla të parave. Një tjetër shkelje, thonë hetuesit, është gjetur edhe tek kamerat e sigurisë që duhet të filmonin vazhdimisht gjatë rrugës. Në këtë rast, kamerat nuk kanë qenë të ndezura. Ndërkohë, shkelje është gjetur edhe tek GPS. Sipas rregullores, në njërin prej thasëve të mbushur me para, duhej të ishte vendosur pajisja GPS për lokalizimin e parave në raste të tilla. Por, pajisja nuk ka qenë në asnjërin prej thasëve të marra nga grabitësit, por në një tjetër thes bosh të gjetur pranë sediljes së drejtuesit të mjetit. Grupi hetimor është duke vijuar me intensitet hetimet, ndërkohë, aksioni policor për gjetjen e autorëve të grabitjes vazhdon dhe në të janë përfshirë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ajo që bie në sy është se edhe në këtë rast, grabitja ka të njëjtin skenar me atë të ndodhur në vitin 2015 dhe makinat janë djegur në të njëjtin vend, pranë urës së Limuthit.

Gazetarja Etleva Delia, sonte, në emisionin Opinion ka theksuar se fillimisht ka qëlluar me armë punonjësi i kompanisë private dhe më pas ka qëlluar agresori. Delia tha se autorët e grabitjes ishin të armatosur dhe të veshur me rroba të ngjashme me ato të forcave speciale, por me ngjyrë të zezë. Ajo nënvizoi se makina është qëlluar me mjete të forta dhe jo me armë.

Erzen Breçani, sonte, në emisionin Opinion ka deklaruar se dy makinat e transportit të vlerave monetare, nuk plotësojnë kushtet për këtë aktivitet. Breçani theksoi se ato duhet të certifikohen nga organet kompetente dhe të specializuara në këtë fushë. “Makinat e sajuara nuk mund të përdoren për transport të vlerave monetare”, tha ai.

Erzen Breçani, ish-oficer policie, ka deklaruar sonte në emisionin Opinion procedurat e duhuara që duhet të ndjekë një grup transportues i vlerave monetare. Breçani theksoi se makinat transportuese, në radhë të parë, duhet të jenë të certifikuara nga organet e specializuara në këtë fushë. Sipas tij, për çdo levizje, grupi duhet të lajmërojë itinerarin dhe çdo gjë që mund të hasë gjatë kësaj rruge. Në ekranin e emisionit, krahas njëra-tjetrës, janë publikuar edhe dy makina që shërbejnë për transportin e vlerave monetare. Breçani deklaroi se njëra është e duhuara por që ka edhe modele të tjera, ndërsa tjertra është e sajuar që kryen një mision të tillë. Në makinën e duhur, që vlen për transportin e vlerave monetare, kishte edhe disa dritare të vogla që shërbenin në rast rreziku për të qëlluar me armë ndaj grabitësve të mundshëm. Automjeti në vendin e ngjarjes ka edhe shenja të plumbave, ku duket qarte se qitja e kryer me kallashnikov e ka thyer edhe xhamin antiplumb. Të dyja mjetet janë rrethuar nga grabitësit me maska dhe të armatosur. Duket se me anë të qitjeve të drejtpërdrejta, grabitësit dhanë ndaj policëve privatë shenjën se nëse nuk dorëzonin paratë mund të vriteshin.

Kryeredaktori i lajmeve në TV Klan, Fatos Hakorja, sonte, në emisionin Opinion ka shpjeguar videon e ralizuar në 3D të grabitjes së dy makinave nga ku u morën shtatë thasë me para, ditën e sotme, në Qafë Kashar. Hakorja tha se dy makinat e grabitësve vinin nga Rinasi dhe kjo është hera e parë që ka ndodhur një grabitje e tillë duke e krahasuar edhe me 5 rastet e tjera të grabitjeve të kryera kohë më parë. Kryeredaktori theksoi se makinat e autorëve kanë ardhur përballë, pasi dyshohet se kanë pasur informacion se ku do ndeshen me makinat që transportonin parat drejt Rinasit. Sipas tij, kjo tregon, se ata kanë gjetur një vend të favorshëm për të kryer aktin e tyre të grabitjes me sukses.

Gazetari Dashamir Biçaku, sonte, nëpërmjet një ndërhyrje live nga Drejtoria e Policisë së Tiranës në emisionin Opinion ka theksuar se autorët e grabitjës, pasi kanë arritur të bllokojnë dy atumojetet, kanë shpuar edhe gomat e makinës për të mos u larguar nga vendngjarja. Baçaku tha se gomat e makinës nuk duhet të ishin turbolare, por goma të integruara apo siç njihen në gjuhën popullore, goma mishi. Ai bëri me dije se autorët e grabitjes janë larguar veçse disa metra nga vendngjarja, ata mund të kenë ecur rreth 100 m dhe janë kthyer në të djathtë të rrugës. Sipas tij, kaq ishte distanca e përshkruar nga vendngjarja deri tek makinat e djegura. Grabitësit kanë përfituar nga fakti se në vendin ku dogjën automjetet nuk ka patur dëshmitarë okulare. Pavarësisht se të djegura, automjetet e përdorura nga grabitësit janë shpresa e ekspertëve të kriminalistikës për të gjetur gjurmë gishtash në to. Duke qenë se grabitësit janë të shumtë, të paktën pesë, mundet që gjatë një ekspertize të gjatë të gjendet ndonjë provë që do të dërgojë drejt identifikimit të ndonjërit prej tyre.

Shefi i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka i ftuar mbrëmë në “Opinion” tha se patrulla e policisë ka qenë e vendosur në Qafë Kashar dhe nuk ka dëgjuar të shtëna armësh. Loka theksoi se distanca nga vendi ku ka ndodhur grabitja deri tek pozicioni i vendosjes së patrullës ishte rreth 3.5 km. Ai nënvizoi se patrulla e policisë ka qenë e vendosur në Qafë Kashar, e dislokuar për shkak të problemeve të shumta që ka pasur ky segment rrugor. Patrulla është vënë në levizje vetëm pas njoftimit zyrtar nga salla operative, tha ai.