Të ftuar:

Valentina Duka,

Romeo Gurakuqi,

Preç Zogaj,

Dorian Koçi

Esat Pashë Toptani, ish kryeministër i Shqipërisë, ish ushtarak i Ushtrisë Osmane, një nga figurat historike më të kontestuara është mbrëmjen e sotme tema e debatit në emisionin “Opinion” në TV Klan.

Për historianin Romeo Gurakuqi, Esat Pashë Toptani është vrarë me një urdhër të deleguar nga Tirana. Sipas tij, ai ka qenë një njeri që mund të konsiderohet një mjeshtër i atentateve, madje preciz në kryerjen e tyre. Gurakuqi tregoi sonte në studion e emisionit “Opinion”, se Esat Pasha apo cikli i atentateve të kryera nga ai, nuk do t’i ndahen gjatë gjithë jetës. Ai theksoi se Esat Pashë Toptani, nuk u ndal, ndaj askujt që tentoi t’i dalë para në rrugën e tij, derisa ra preh vetë e një atentati. Gurakuqi nënvizoi se referuar bashkëkohësve të tij, apo kujtimeve që ata kanë lënë, tregohet se dora e vrasësit të tij, ka ardhur nga Tirana.

E ftuar në emisionin “Opinion” historiania Valentina Duka, ka folur për figurën e Esat Pashë Toptanit.  E pyetur nga Blendi Fevziu se si e vlerëson figurën e tij, Duka është shprehur se ai ka tradhtuar interesat e shqiptarëve. “Esat Pasha veproi si një komandat arbiotrat dhe shumë i korruptuar, bëri shumë armiq. E urrenin të gjithë nacionalistët e Shqipërisë së Veriut dhe të gjithë nacionalistët e Shqipërisë së Jugut”, u shpreh Duka. Më tej Duka tha se Esat Pasha është munduar të fus përçarje të thellë mes shqiptarve: “Kanë qenë të pakta ditët që ai mund të ketë menduar për Shqipërinë. Ka menduar vetëm për karrierën e vet politike”, u shpreh Duka. Duka e konsideroi Esat Pashën si një personazh që ka tradhtuar gjithmonë interesat e kombit shqiptar.