Të ftuar:

Klodiana Lala,

Arjan Hoxha,

Ferdinand Dervishi,

Erli Murati,

Dashamir Bicaku

Lidhje direkte – Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj ka treguar se nga hetimet e para, Artan Cuku mund të jetë qëlluar për vdekje nga një vrasës profesionist. Lidhur me këtë Hodaj ka treguar se policia ka një skedar për vrasësit me pagesë. Sipas tij, disa prej tyre janë arrestuar gjatë viteve, ndërsa ka të tjerë që janë në hetim e sipër. “Sigurisht që ata hetohen dhe arrestohen, ndonëse janë provat ato që vendosin për arrestimin dhe më pas dënimin e tyre”- shprehet ai. Hodaj ka sjellë në vëmendje edhe rastin e vrasjes në Bulevardin Zogu i Parë, ku atentati ishte kryer nga një vrasës italian.

Drejtuesi i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, sonte, në studion e emisionit “Opinion” ka deklaruar se vrasja e ish-shefit të policisë Artan Cuku është marrë me seriozitetin më të madh nga strukturat e Policisë së Shtetit. Hodaj tha se ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë dhe ka qenë një vrasës me pagesë. Ai theksoi se rreth orës 20:00 të mbrëmjes, në sallën operative me numër 112, ku lajmërohej se në rrugën e “Kosovarëve” ka pas të shtëna armësh. Hodaj tregon se pas kësaj telefonate, ka qenë një patrullë e Komisariatit Nr.2 që është afruar drejt vendngjarjes, e cila ka mbërritur menjëherë pas 3-4 minutash dhe pas komunikimit që ka pasur me disa banorë është gjetur vendi i ngjarjes, në katin e parë të një pallati ku viktima gjendej e pajetë. Sipas tij, pas komunikimit në radio nga patrulla, policia ka ngritur në të gjithë Tiranën, pika kontrolli, pasi aty kishte edhe një ndeshje futbolli dhe disa forca policie gjendeshin mjaft pranë pallatit ku banonte Cuku. Hodaj tha se është evidentuar një person si i dyshuar që ka kryer aktin e vrasjes, ai është larguar në këmbë ku është futur në brendësi të lagjes së Tiranës së Re, duke përfituar nga mbipopullimi dhe levizja e madhe e njerëzve. Ai theksoi se në vendngjarje janë gjetur dy lloj gëzhojash, që janë qëlluar nga dy armë të ndryshme, por ende nuk është konfirmuar se armët mund të jenë të atentatorit apo të viktimës. Drejtori i Policisë së Tiranës, tregoi se veprimet e kryera nga vrasësi janë shumë të shpejta dhe të sakta, të cilat flasin kemi të bëjmë me një vrasës profesionist. I pyetur nëse policia ka dijeni për ekzistencën e disa vrasësve profesionist që veprojnë në Shqipëri, Hodaj tha se policia ka skeduar shumë prej tyre, madje një pjesë është evidentuar ndër vite dhe vazhdojnë të skedohen si persona të dyshuar si vrasës me pagesë.

E ftuar në emisionin “Opinion” gazetarja Klodiana Lala ka shpjeguar përmes skemës së mëposhtme të gjithë dinamikën e vrasjes së ish-zyrtarit të policisë, Artan Cuku. Sipas saj e gjithë ngjarja ka ndodhur në katër minuta. Dyshohet se atentatori ka vepruar i vetëm dhe është larguar me qetësi duke u “zhdukur” në një prej lagjet më të populluara të Tiranës. Sipas Lalës, në vendngjarje ka gëzhoja të dy armësh, çka ngre dyshime për një përleshje të mundshme mes Cukut dhe atentatorit.

Gazetarja Klodiana Lala ka treguar në studion e emisionit “Opinion” për gafën e rëndë të Policisë së Tiranës. Sipas saj, kjo e fundit ka njoftuar së pari Prokurorinë e Tiranës për ngjarjen kriminale, në vend që të njoftonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi atentati ishte kryer ndaj një ish-zyrtari të lartë të policisë së vendit. Për më tepër ajo thotë se Prokuroria e Krimeve të Rëndë ka shkuar në vendngjarje me gati dy orë vonese. Lala ka treguar gjithashtu se pista kryesore e hetimeve mbetet “vrasje për shkak të detyrës” lidhur me shërbimin e tij në qarkun e Tiranës dhe Vlorës. “Në kohën kur Cuku ka qenë Drejtor i Policisë së Rrethit Vlorë, ai ka goditur një prej grupeve më të mëdha të trafikimit të lëndës narkotike të kokainës, që kalonte transit nga Shqipëria drejt Spanjës.”-është shprehur gazetarja.

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Policëve në Lirim, Arjan Hoxha, sonte, ka treguar se vrasja më e lartë e ndodhur në polici është ajo e mbrëmjes së të shtunës ku u ekzekutua në pritë Artan Cuku, ish-shef i lartë i Policisë së Shtetit. Këtë deklaratë, Hoxha e bëri mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, ku theksoi se vrasja e Cukut është një nga vrasjet më të rënda që ka pësuar Policia e Shtetit, ai ishte drejtuesi më i lartë që është vrarë në historinë e Policisë së Shtetit. Ai nënvizoi se Cuku ishte me gradën drejtues i parë, ish-shefi që ka pas gradën më të lartë që është vrarë në policinë shqiptare. “

Kjo është vrasja më e rëndë dhe që ka cënuar në palcë Policinë e Shtetit. Pavarësisht se nuk e ndjejnë të tillë drejtuesit e sotëm të Policisë së Shtetit, por pse nuk e ndjejnë të tillë? Sepse nëse për Artan Santon janë hedhur rreth 100 mijë euro dëmshpërblim për informimin e autorëve të vrasjes, për Cukun vendosen 30 milion lek të vjetra shpërblim

”, tha Hoxha. Ai tregoi se Shqipëria ka vetëm 25-30 drejtues të parë në Policinë e Shtetit.