Grabitja e 8 thasëve me para të një banke të nivelit të dytë, këtë të enjte në rrugën e Rinasit është tema e cila po diskutohet në emisionin “Opinion”, në ekranin e Televizionit Klan.

I ftuar në studio, Drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka tha se patrulla e policisë ndodhej në Qafën e Kasharit rreth 3.5 kilometra nga vendi i ngjarjes, e dislokuar me shërbim për shkak të ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur gjatë kohëve të fundit në atë aks.

Loka tha se efektivët e policisë kanë mbërritur pas 11 minutave në vendin e ngjarjes, nga koha kur janë njoftuar nga salla operative. Ai e konsideroi këtë një kohë rekord, duke marrë parasysh sipas tij, trafikun e rënduar në atë zonë.

“Patrulla e policisë ka qenë në Qafën e Kasharit, me një distancë prej 3.5 kilometra nga vendi i ngjarjes, e dislokuar me shërbim për shkak të ngjarjeve të ndodhura në këtë zonë.  Ajo nuk ka dëgjuar të shtëna, por është vënë në lëvizje pasi është marrë telefonata në sallën operative. Për shkak të trafikut të rënduar, efektivët kanë lënë makinën dhe janë nisur në këmbë. Patrulla ka vajtur 11 minuta pas njoftimit të parë”.

I pyetur nga Blendi Fevziu se si shpjegohet që autorët kanë pasur kaq shumë kohë për të kryer aq shumë veprime, Loka tha se përgjegjësia fillestare duhet t’i kërkohet bankave, për siguri të dobët në transportin e parave.

“Përgjegjësia fillestare duhet t’i kërkohet bankave. Bankat e nivelit të dytë investojnë shumë pak për sigurinë e transportit. Policia ka arritur në kohë rekord në vendngjarje për kushtet në të cilat ka qenë. Shumën e parave të grabitura bankat nuk i deklarojnë pasi konsiderohet sekret bankar”.

Ndërsa ish Zv/Drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani u shpreh se patrulla e policisë ka kontakt vizual dhe akustik me vendin e ngjarjes. Ai u shpreh se makina që transportonte paratë nuk përmbush asnjë prej kritereve të nivelit të blindimit./tvklan.al