Të ftuar:

Iris Luarasi, 

Redi Shehu, 

Armand Shkullaku, 

Lutfi Dervishi, 

Grida Duma, 

Mark Marku,

Berat Buzhala, 

Arbi Mazniku

Lidhja telefonike me Ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj 

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur nëpërmjet një lidhje telefonike në emisionin Opinion në TV Klan në lidhje me arrestimin e tij në Francë, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Haradinaj tha live për Opinion se është një gabim, sepse akt-akuza në lidhje me të i përket vitit 2004, ndërsa ai ka zhvilluar disa procese ligjore ndërkombëtare nga viti 2005 deri në 2012, për këtë arsye ky veprim është disi i çuditshëm. 

Më tej, ai theksoi se çdo lloj prove e çfarëdo natyre qoftë, jo vetë të Serbisë por edhe më tej, janë dërguar në tribunalin e Hagës për gjykim, ndërsa me 29 nëntor të 2012-ës, është shpallur i pafajshëm nga gjykata ndërkombëtare e Hagës. Hardinaj është ndalur edhe tek dosja e përgatitur nga Serbia për ekstradimin e tij nga Franca, por ish-kryeministri i Kosovës, tha se është në dijeni të plotë të përmbajtjes së saj. 

Sipas tij, ata nuk kanë sjellë asgjë të re dhe është vetëm një material i vjetër që i përket vitit 2004 që është hedhur plotësisht poshtë nga tribunali i Hagës dhe nuk ka vlerë të gjykohet më nga asnjë gjykatë. Hardinaj, bëri me dije, se politika në Beograd është peng e vetvetes, ata e kanë të pamundur para opinionit të vet se heqin dorë nga ndjekja e Haradinajt, ndërsa vazhdojnë në mënyrë sistematike me riaktivizuar kërkesën e tyre ndaj interpolit. 

Në lidhje me vendimin e ditës së sotme nga gjykata franceze për lirimin me kusht, ai tha se nuk ka të drejtë të dalë nga Franca deri sa të mbyllen plotësisht procedurat.

Fevziu: Kur mendoni se mund të jetë gjykimi me themel i çështjes?

Haradinaj: Duhet të ndodhë një seancë e shqyrtimit të kërkesës, neve i kemi paraqitur faktet tona për anullimin e kësaj kërkese sot, mirëpo ato nuk janë shqyrtuar pasi ende nuk ka ardhur kërkesa nga Beogradi. Arsyetimi i Beogradit është se ata ende nuk e kanë përkthyer në frengjisht. Mund të ndodhë gjatë javës që vjen të realizohet seanca.

Fevziu: Fakti që ju kërkoheni përsëri nga Beogradi është një shkelje e marrëveshjes së arritur mes dy palëve?

Haradinaj: Serbia ka vepruar njëlloj me Kroacinë, përderisa Kroacia ka zbatuar një reciprocitet ka nxjerrë për një ditë rreth 5 mijë flet-arreste për zyrtarë të Beogradit. Kosova po mungon në reciprocitet, ndërsa Serbia nuk merr vesh në gjuhë tjetër. Ata abuzojnë me faktin se janë anëtarë të Interpolit, kurse Kosova nuk është anëtare  dhe rezultat i kësaj, janë këto pasoja. Ne duhet të kishim një reciprocitet më serioz me Serbinë.

Ish-kryeministri i Kosovës, Hardinaj është ndalur edhe tek reagimi i shqiptarëve anekënd botës në lidhje me arrestimin e tij në Francë, ndërsa theksoi se është ndjerë shumë krenarë për një reagim të tillë nga ata.

Në lidhje me reagimin e Prishtinës zyrtare, ai u shpreh se nuk jam në dijeni të një fakti të tillë, por theksoi se ajo është tepër e dobët në lidhje me reciprocitetin me Serbinë. “

Kjo nuk po bëhet për Ramush Haradinaj, por për Kosovën, për zyrtarë të Kosovës. Në lidhje me faktin se Kosova është shtet dhe Serbia nuk ka juridikson ndaj Kosovës

”, tha ai live për Opinion. Hardinaj nënvizoi se Prishtina e ka ulur gardhin shumë, sa në marrëdhëniet në Ballkan, nuk ekziston Prishtina më.

Ndër të tjera, ai është ndalur edhe tek fakti se pse është politikani i vetëm nga Kosova që është arrestuar në bazë të urdhër-arresteve të lëshuara nga Serbia, ku dihet mjaft mirë, se edhe politikanë të tjerë të Kosovës janë në listën e Interpolit, në bazë të këtyre urdhër-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga shteti serb.

Haradinaj tregoi se në të kaluarën i ka prishur shumë plane Serbisë, pasi ajo ka kërkuar të ndajë shtetin e Kosovës dhe për të realizuar një republikë Srpska në Kosovë.

Ish-komandanti i UÇK-së, është ndalur edhe tek roli i Tiranës zyrtare dhe sipas tij,  ajo ka luajtur një tjetër rol. Hardinaj tregoi se ata kanë ndihmuar në lirimin e tij, ndërsa ka qenë vazhdimisht në kontakt me ta. “Falënderoj gjithë liderët shqiptarë. Sot kam fol në telefon me zotin Meta në telefon. Me Thaçin nuk kam folur”, deklaroi Haradinaj.

Gjykata franceze ka liruar me kusht kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën gjyqësore të mbajtur këtë të enjte. Në kuadër të vendimit të gjykatës, Haradinaj duhet të paraqitet dy herë në javë tek autoritetet dhe të qëndrojë në territorin francez. Lirimi me kusht i ish-komandantit të UÇK-së vjen dy ditë pasi Ministria e Drejtësisë në Serbi i dorëzoi autoriteteve të Parisit kërkesën për ekstradimin e tij. Serbia e kërkon Haradinajn nën dyshimin se ka kryer krime lufte në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, të cilat nuk i janë parashtruar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila e ka shpallur dy herë të pafajshëm ish-kryeministrin kosovar.

Mbi temën e ditës:

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku në studion e emisionit Opinion ka theksuar se ekziston një lloj xhelozie ndaj mediave sociale, pasi ato kanë demokratizuar komunikimin dhe mbi të gjitha kanë hequr monopolin e komunikimit publik. Mazniku tha se përgjatë 50-viteve të fundit, media, kishte monopolin e ndërmjetësit midis politikanëve dhe publikut, derisa ishin kthyer në aktorë politik në vetvete. Më tej, ai nënvizoi se në studimet e komunikimit politik, media nuk trajtohej më se kishte rolin e ndërmjetësit, por një aktor politik në vetvete me axhendë të caktuar politike. “Krijimi i rrjeteve sociale dhe zhvillimi teknologjik në 5-6 vitet e fundit, ka zvogëluar rolin ndërmjetës të mediave dhe i ka dhënë mundësinë individit të jetë ai aktor i komunikimit”, tha Mazniku.

I ftuar në emisionin Opinion, pedagogu Mark Marku është shprehur se Edi Rama dhe Sali Berisha janë dy politikanët që janë më efikas në rrjetet sociale. Ai tha se ata kanë kuptuar thelbin, kanë më shumë interaktivitet me ndjekësit e tyre, për këtë, sipas Markut,  Rama dhe Berisha i përdorin më mirë se politikanët e tjerë rrjetet sociale. Më tej Marku u shpreh se interaktiviteti është tipari kryesor në komunikimin on line. “Problemi është se përmes rrjeteve sociale, politikanët kanë shmangur praktikisht raportimet e mediave dhe transparencën. Ata bojkotojnë, sepse nuk japin konferenca shtypi, nuk pranojnë të intervistohen nga gazetarët, nuk japin informacion për gazetarët. Mendoj që rrjetet sociale Rama dhe Berisha i përdorin më mirë. Pra cilësia e komunikimit on line është interakvtiviteti , nuk është dendësia më të cilën ti censuron dhe shpërndan mesazhe në rrjetet sociale. Sidomos në mediat e reja, interaktiviteti është tipari kryesor i cilësisë së komunikimit. Edhe Rama edhe Berisha e krijojnë shumë mirë iluzionin e interaktivitetit. Unë nuk e hap një llogari në facebook sepse nuk kam kohë për të. E llogarisë që nuk mundem tu përgjigjem të gjithëve”, është shprehur Mark Marku.

Profesor Mark Marku ka theksuar, sonte, në emisionin Opinion se shumë politikanë përmes rrjeteve sociale kanë shmangur raportimin e medias. Marku tha se politikanët i bojkotojnë mediat tradicionale, pasi ata nuk japin konferenca shtypi, nuk pranojnë të intervistohen nga gazetarët dhe konsiderojnë si të vetmin informacion që ata mund t’i japin qytetarëve është ai që japin nga mediat sociale. Më tej, ai u shpreh se në një shoqëri demokratike funksionon e kundërta, pra mediat kërkojnë informacionin, ndërsa institucionet janë të detyruara që t’u përgjigjen mediave.

Koordinatorja për Marrëdhëniet Publike në PD, Grida Duma, është ndalur në studion e Opinion në lidhje me komunikimin e kryeministrit Rama në profilin e tij në rrjetet sociale me qytetarë të ndryshëm. Duma tha se çfarë do të thotë ndërveprim, kur kemi një gjuhë, kur një qytetar i shkruan me një zhargon të përgjithshëm me arsyen të tërheqë vëmendjen e kryeministrit. “

O Rame e kemi X çmim energjinë elektrike, kur do na e ulni si na e premtuat

?”, thekson ajo. Ndërsa shton, Rama i përgjigjet qytetarit: “

Kush ti ka thënë këto, ato tek PD-ja

”. Sipas Dumës, në këtë lloj komunikimi ne nuk kemi të bëjmë me ndërveprim, por as me ndonjë lloj informacioni dhe as me një relacion të vërtetës, këtu kemi të bëjmë me një rrëshqitje për t’u marrë me batutën. Ajo tha se kjo lloj praktike nuk është më veprim ndërkryeministror, por një ndërveprim batutash, i cili të hedh në një lëm tjetër. “Kush është lëmi, tek lëmi i facebook-ut të një individi që nuk mban përgjegjësi”, tha Duma në studion e Opinion.

Gazetari Armand Shkullaku në studion e Opinion e ka konsideruar komunikimin e kryeministrit Edi Rama, në rrjetet sociale si propagandë të ngjashme me atë të Koresë së Veriut. 

“Jemi i vetmi rast në botë që kryeministri xhiron veten dhe bën monolog një orë para një kompjuteri. Si dhe kemi një kryetar bashkie që mobilizon ekipe të tëra, filmon me dron dhe ajo serviret e gatshme. Është stil komunikimi e kohës sa Mao Ce Dunit.Ne jemi fiks sot në kohën e propogandës së Koresë së Veriut”,

 tha ish-drejtori i ABC News Armand Shkullaku.

I ftuar në emisionin Opinion, Lutfi Dervishi ka thënë se në median on line politikanët kanë tendencë të raportojnë për vetveten  e tyre dhe kjo na çon drejtë një situate jo normale. Po ashtu Dervishi ka thënë se mediat tradicionale ka rënë në këtë gracë, duke marrë materialet dhe lajmet nga rrjetet sociale të politikanëve, ato po çojnë drejt humbjes të sensit kritik. Më tej Dervishi theksin e vuri tek raportimi i zgjedhjeve, ai pohoi se sot kemi  arritur në pikën ku zgjedhjet nuk raportohen më nga gazetarët. “Kryeministri raporton për vetveten, kryetari i bashkisë raporton për vetveten, kryetari i partisë raporton për vetveten. Dhe raportimi për vetveten do të thotë një dalje para pasqyrës, duke bërë makijazh. Dhe problemi është që mediat tradicionale ka rënë në këtë grackë. Në drekë, bëhet postimi në twitter apo facebook, në darkë e merr media tradicionale, ose në mëngjes e zbardh gazeta dhe në drekë e merr prapë televizioni. Dmth bashkohem me atë që thotë Shkullaku, sensi i raportimit kritik. Pyetja e madhe është kjo, si ndodh që zgjedhjet sot kemi arritur në pikën që zgjedhjet nuk raportohen më nga gazetarët. Media sociale ka gjëra shumë të mira; tensioni nga sheshet e mëdha e ka kthyer në ekranet e vogla të celularëve. Por propaganda që ti zgjedh të bësh në mediat sociale për ta impelmetnuar në median tradicionale kjo është e rrezikshme. Sepse vjen në një pik që nuk ka më raportim kritikë. Vjen në një pikë që humbin ekuilibrat. Pra nuk mund të përdoret e njëjta gjë që ti përgatit për mediat sociale edhe në mediat tradicionale”, u shpreh Lutfi Dervishi.

Botuesi i gazetës Express në Kosovë, Berat Buzhala ka hequr një paralele mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Kim Kardashian, në mënyrën se si i përdorin rrjetet sociale. Edi Rama kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut me anë të rrjeteve sociale si bëri Kim Kardashian, ka thënë sot Berat Buzhala, i ftuar në emisionin “Opinion”.