Të ftuar:

Lorenc Vangjeli,

Artan Hoxha, 

Robert Rakipllari,

Ervis Iljazaj

Analisit Artan Hoxha duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu, se cila do të jetë pjesëmarrja në zgjedhje nëse opozita nuk merr pjesë , është shprehur se kjo varet nga mbështetja që ka secila parti dhe nga votat që ato do manipulojnë: “Se sa votues fiktivisht, me kërcënim apo me para do të tërheqin  për të rritur artificialisht numrin e votuesve”, është shprehur Hoxha.

Analisti Lorenc Vangjeli është shprehur, nëqoftë se zgjedhjet realizohen pa opozitën, vendi mund të shkojë deri në destabilitet. Këtë deklaratë, Vangjeli e bëri sonte në emisionin “Opinion”, ndërsa shtoi se zgjedhje pa opozitën nuk ofrojnë zgjidhje për vendin. Ai theksoi se hyet në një spirale të paqartë që me shumë gjasa mund të shkojë deri në destabilitet. Sipas tij, provat janë të qarta, një vend si Shqipëria që ende nuk ka krijuar institucione, por që varet nga humori i disa individëve e ka shumë të lehtë të destabilizohet.

Shkëmbimi i Bashës dhe Ramës, sonte në hyrje të Kryesisë së Kuvendit, ku kryeministri qëndroi për disa sekonda dhe po dëgjonte deklaratën e kundërshtarit të tij, është komentuar edhe në emisionin “Opinion”. Analisti Lorenc Vangjeli  është shprehur se distanca mes “Ed Ramës” dhe dramës në atë moment është tepër e shkurtër.  “Shikoni sa është distanca mes Ed Ramës dhe dramës atje, ose mes dramës dhe komedisë që po luhet në këtë vend. Jo më shumë se 2 metra distancë po luhet drama”, është shprehur Vangjeli.

Gazetari Blendi Fevziu pak minuta më parë ka publikuar një informacion konfidencial nga Kryesia e Kuvendit, në lidhje me informacionet që vijnë nga takimi kokë më kokë mes Ramës dhe Bashës. Më parë, në emisionin ‘Opinion’ u raportua se takimi mes kryeministrit Rama dhe kryeopozitarit Basha po zhvillohej në sallën “Pjetër Arbnori”. Sipas Fevziut, me shumë gjasa, ndryshimi i sallës nga të dy protagonistët ka ardhur si rezultat i frikës nga përgjimet në Kryesinë e Kuvendit. Drejtuesi i emisionit “Opinion” theksoi me nota humori se me shumë mundësi kanë ndryshuar mjedis nga frika se mos i përgjon Ilir Meta.