Të ftuar:

Mark Marku – Petagog

Lorenc Vangjeli – Analist

Atan Hoxha – Analist

Klodiana Lala – Gazetare

Mustafa Nano – Gazetar

 

Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, të mërkurën, është shprehur se punonjësit e Policisë së Shtetit e kanë të vështirë të kontrollojnë emrin e Agron Xhafës në sistemin TIMS nga frika se mund të pezullohen nga puna.

Lala deklaroi në emisionin “Opinion”, se punonjësit e policisë nuk e harrojnë rastin e kolegut të tyre, i cili u penalizua, kur kontrolloi emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri gjatë udhëtimit të tij në Gjermani për arsye familjare.

“Unë nuk kam bërë dot një verifikim në sistemin TIMS, sepse ju e kuptoni se punonjësit e policisë e kanë të vështirë të kontrollojnë në sistem emrin e të vëllait të ministrit të Brendshëm, se kujtoj këtu se kur ish-ministri Saimi Tahiri udhëtoi jashtë vendit drejt Gjermanisë që ishte diçka krejt familjare dhe personale. Njëri nga punonjësit që kërkoi emrin e tij në sistemin TIMS, u penalizua”,- tha Lala.

Në lidhje me paraqitjen e Agron Xhafës në prokurori, Lala tha:

Ajo se çfarë mund të konfirmoj gjatë ditës së djeshme është se Agron Xhafaj është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, aty ku prokuroria ka regjistruar një procedim penal mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar një natë më herët nga përfaqësuesi ligjor i Agron Xhafajt, Ardian Visha.

Agron Xhafaj është paraqitur personalisht përballë prokurorit, duke kërkuar që të identifikohen personat përgjegjës për këtë audio-përgjim të publikuar nga opozita disa ditë më parë. Në momentet e para, Xhafaj ka dhënë disa shpjegime si person i dëmtuar dhe kallëzues, por pas këtij shpjegimi të detajuar nuk ka qenë i pranishëm avokati mbrojtës. Prokurori i ka kërkuar kohë të thërriste një ekspert të fushës dhe më pas ka lënë edhe kampionët e zërit të tij.

Më pas ai ka informuar prokurorin e çështjes, në ditët në vijim nuk do të ishte disponibël përballë prokurorisë, pa ja komunikuar veprimin konkret që kishte marrë. Ndërsa rezultoi që ai ka udhëtuar drejt Italisë.

Analisti dhe profesori i Gazetarisë në UT, Mark Marku, të mërkurën, deklaroi se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj nuk është treguar i sinqertë me dënimin e të vëllait në Itali.

Marku në emisionin “Opinion”, tha se Xhafaj më parë është shprehur se i vëllai është dënuar për një çështje; por pa specifikuar se ai është dënuar për trafik droge.

“Ne kemi menduar se ai ka bërë një faj të çfarëdo dhe ka kryer dënimin, pasi në këtë rast faji nuk është i përjetshëm, mbaron dënimin dhe vazhdon jetën si të gjithë të tjerët. Historia është krejt ndryshe, ka qenë një person që është i vëllai i ministrit të Brendshëm, i dënuar në Itali dhe i kërkuar. Unë nuk di nëse gjykatat italiane dënojnë një njëri dhe ai nuk përfundon në burg”,- tha Marku.

Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, të mërkurën, deklaroi se reagimi i kryeministrit Edi Rama për audio-përgjimin e publikuar nga opozita, duke thënë se materiali është i montuar; krijon dyshime për implikim të tij në hetime.

Lala në emisionin “Opinion”, u shpreh se reagimi i kryeministrit ishte shumë i nxituar dhe ngre dyshime për mënyrën e marrjes së audio-përgjimit për ekspertizën.

“Të thuash fjalën montazh duhet që videon ta kesh marrë në mënyrë ligjore. Dhe duhet që ekspertët e liçensuar të bëjnë krahasimin e zërit në audio dhe kampionin krahasues që është ai i Agron Xhafajt të cilin nuk e kanë. Nxitimi i kryeministrit më duket i pavend, nëse ai e ka marrë audipërgjimin në rrugë të tij atëherë kemi një kryeministër që përfshihet në hetime”,- tha ajo.