I ftuar:

Behgjet Pacolli

Behgjet Pacolli ishte i ftuari i sotëm në emision “Opinion” nga Blendi Fevziu. Ai vjen pas një debati mjaft të fortë, që ka qenë në fokus të ditëve të fundit, ai ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Behgjet Pacolli është ndër personazhet më të njohur të Shqipërisë dhe të Kosovës këto 25 vitet e fundit.

Ai është një emër i përfolur jo vetëm për pasurinë e tij, por edhe për prezencën e tij në evente të shumta historike dhe shoqërore por edhe politike të Kosovës.

Gjatë intervistës me gazetarin dhe moderatorin Blendi Fevziu ai ka zhvilluar një bashkëbisedim ku ka treguar për vështirësitë e jetës së tij në adoleshencë dhe gjurmët e thella që ka lënë gjyshi i tij Osmani, në rrugëtimin dhe arritjet e tij.

Pjesë nga intervista:

E kam titulluar, “Rikthimi i Behgjet Pacollit”, për arsye se duket sikur ka një rikthim sërish tuajin në politikë. Realisht po tentoni të ktheheni po aq fort sa keni startuar, apo u lodhët nga politika?

Behgjet Pacolli: 

Blendi, faleminderit shumë për mundësinë e dhënë, është privilegj për mua të kaloj disa çaste në këtë emision shumë të shikuar në botën shqiptare.

Privilegji do të jetë i shikuesve në qoftë se ju do të flisni sinqerisht, shpresoj të jeni i hapur.

Behgjet Pacolli: 

Unë besoj se jam i njohur, tek çdokush për sinqeritetin tim edhe ajo që në jetë më ka kushtuar më tepër është sinqeriteti.

Po të më kishte kushtuar edhe mua zoti Pacolli, sa ju ka kushtuar ju sinqeriteti dhe të isha bërë miliarder, nuk do të kisha qenë kundër.

Behgjet Pacolli: 

Unë kam qenë i sinqertë shumë, në biznesin tim.

Po si mund të jesh edhe i sinqertë edhe i pasur?

Behgjet Pacolli: 

Absolutisht është në sintoni nëse ti punon në mënyrë të sinqertë me djersë. Në eksperiencën e punës tonë askush nuk është ndier i fyer, i dëmtuar gjatë punës dhe nëse ti në eksperiencën e punës tënde, ke lënë gjithmonë dyer të hapura. Unë ato i kam bërë.

Meqenëse e nisim si bashkëbisedim edhe po e çojmë pak më tutje, thuhet që zakonisht njerëzit e pasur lëvizin si elefantët, pra shkelin rreth e rrotull gjërat e vogla që nuk kanë rëndësi a është e vërtetë apo jo?

Behgjet Pacolli: 

Nuk është e vërtetë se jo të gjithë e bëjnë atë. Unë jam përpjekur të ndjek një parim, një porosi të gjyshit tim Osmanit. Ai thoshte: “Ec përpara dhe gjatë rrugëtimit nëse mundesh ti merr shumëçka me vete dhe ec përpara. Por nëse je i pamundur, nuk ke mundësi që të marrësh ato gjëra, ata njerëz që rrugëtojnë me ty asnjëherë mos i shtyj, të mbahesh tek ata, apo ti fundosësh ata dhe ti të ecës përpara. Unë këtë parim gjithnjë e kam respektuar. Për ata, unë nuk mund të them se kam shkelur rreth e rrotull si një elefant, sinqerisht unë këto raste nuk i njoh, ndoshta pa vetëdije i kam bërë.

Është shumë befasues raporti që keni me gjyshin me Osmanin. Kam lexuar librin tuaj me kujtime, ju keni gati-gati një adhurim për të, ishte në një farë mënyre njeriu që determinoi vendimin tuaj për t’u larguar nga Kosova dhe për t’u kthyer një njeri shumë i realizuar. Ka ardhur nga fëmijëria ky raport apo realisht gjyshi është dobësi?

Behgjet Pacolli: 

Është shumë e vërtetë se jam munduar me fjalë të thjeshta me paraqit rolin e gjyshit tim në jetën time, ai ka lënë shumë mbresa në jetën time, më ka lënë shumë këshilla të cilat në pjesën më të madhe jam munduar t’i respektoj.

Ishin këshilla të vlefshme? Dhe më pas e keni vërtetuar që këshillat e tij kishin një vlerë edhe kur ju u bëtë njeri i njohur i pasur dhe që kishit pothuajse gjithçka që donit në jetë?

Behgjet Pacolli: 

Ndoshta kur isha i ri, nuk i kuptoja thelbin e këshillave të tij ndërsa sot koha është ndryshe dhe interpretimi ka ngelur ai i kohërave të tij, por duhet tiu them që 99% të porosive të tij kanë qenë shumë të vlefshme dhe të nevojshme për rrugëtimin tim.

Po kur u rritët dhe ishit i realizuar dhe u kthyet tek gjyshi e kishit sërisht këtë respekt?

Behgjet Pacolli: 

Unë nuk isha tërësisht i realizuar, ai vdiq në moshën kur unë isha duke krijuar çdo gjë. Unë atëherë kam filluar ta kuptoj rolin e tij në jetën time, kur ai nuk ishte më. Atëherë kur ai filloi të më mungonte mu duk se çdo gjë mori fundin e vet por unë fillova të respektoj porositë e tij shumë domethënëse. Ajo ishte karta që unë kam luajtur gjithë kohën në jetën time dhe ajo ishte karta fituese e imja.

Ju thoni në librin tuaj që gjyshi u bë shtytësi që ju të largoheshit. Është pak i dhimbshëm momenti sesi ju jeni larguar nga Prishtina apo jo?

Behgjet Pacolli: 

Ishte dita kur unë u regjistroja në fakultetin filozofik në Prishtinë, në katedrën e Gjeografisë dhe kisha fituar konkursin pa regjistrim pranues. Në atë kohë në gjimnaz në atë kohë kanë shkuar pak a shumë elita e qytetit, të ashtuquajturit borgjezia e asaj kohe. Dhe atyre erdhi komenti i tyre dhe mua më erdhi ndërmend fjala e gjyshit.

Çfarë iu thanë ata?

Behgjet Pacolli:

 Unë kisha punuar që prej orës tre të mëngjesit deri në orën tetë përpara se të nisesha dhe të shkoja në Prishtinë për t’u regjistruar. Kisha punuar në fusha dhe nuk kisha pasur kohë të ndërrohem. Ndoshta do të kisha edhe unë një këmishë të bardhë, të pastër, por unë vija nga puna. Pra unë u shkëputa për një moment për t’u regjistruar edhe më pas të kthehesha sërisht në punë. Këtu nisi sepse ata më thanë, ti je student, ti duhet të jesh si ne, me këmisha të hekurosura, pantallona të hekurosura, këpucë të lustruara dhe këtë ma thanë në sy dhe unë nuk pata as forcë asgjë t’iu përgjigjem.

Pra ishin shokët e tu dhe ta thanë këtë?

Behgjet Pacolli: 

Po ishin shokët e mi dhe më ra ndërmend thënia e gjyshit tim “ mos i thuaj atij që është i sëmurë, që je i sëmurë, ai që është i varfër kurrë mos i thuaj që je i varfër dhe ai që është i verbër kurrë mos i thuaj që je i verbër. Këto ishin thënie të cilat mi kishte thënë gjyshi im dhe ata mua më prekën në një gjë të tillë. Më thanë se ti je i varfër dhe çfarë pse je me ne. Ai ishte shkaku që unë harroj edhe të marr autobusin që më çonte deri në fshatin tim dhe e kam nis në këmbë.

Sa larg ishte nga aty?

Behgjet Pacolli: 

Ishte gjashtë orë larg me këmbë. Kam shkuar në shtëpi dhe kam menduar sesi erdha këtu, pra nuk më kujtohet asgjë. Kisha qarë rrugës dhe mami im ne e quajmë përshtjellaku, me ato mi ka fshirë lotët dhe më pyet se çfarë kishte ndodhur. Jo jam djersitur i thashë. Ajo ishte një ditë e hishur dhe këtë bisedë e kam bërë me gjyshin tim dhe i thashë se unë sot do të iki nga Kosova. Ai më thotë se ndoshta nuk je duke vepruar mirë, por në fund thotë në qoftë se është bindja jote vazhdo sepse askush nuk mundet të të ndalë, unë ty të ndihmoj me atë çka mund të të ndihmoj. Ai më rekomandoj se ku të shkoj dhe në emrin e tij, unë shkoja dhe i thoja se kush më ka dërguar. 

Me sa të ardhura u nise?

Behgjet Pacolli:

 Sot është vështirë ta konvertoj sepse kanë qenë dinar, por brenda ditës kam blerë biletën dhe jam nisur nga Fushë Kosova, mora trenin dhe arrita në Beograd e më pas në Gjermani.

Sot ndoshta do ta kisha më të vështirë ta bëja këtë. Unë e dija shumë bukur si të veproj, kam shkuar në ambasadën gjermane që më kujtohet fare mirë ai vend ku ka qenë. Unë isha 16 vjeç e gjysmë dhe në një çantë të vogël aty kisha vetëm një këmishë dhe disa libra dhe shkova në Ambasadën e Gjermanisë, përktheva diplomën time dhe e vulosën, një diplomë se tjetrën unë nuk e kisha marrë ende sepse tjetra ishte e kushtëzuar me një punë praktike që unë duhet ta bëja me nxënësit në shkollën normale, por me diplomën e gjimnazit kam filluar rrugën të njëjtën mbrëmjë, pa fjetur dhe pas 68 orësh kam mbërritur në Hamburg.

Sa të holla kishit me vete ?

Behgjet Pacolli:

Nëse e konvertoj sot, një biletë e tillë në klas ekonomik mund të kushtojë diku tek 160 marka dhe unë kur kam blerë biletat e di se mua më kanë mbetur 5 marka gjermane në xhep dhe ato nuk i kam harxhuar deri vonë se në një kope ishte një familje, ata më dhanë për të ngrënë, më dhanë ujë në tren dhe unë arrita në Hamburg gjithmonë duke menduar që i pata dërguar një telegram dajës tim, duke menduar se e ka marrë telegramin tim është aty dhe kur kam mbërritur në orën 2 të natës në Hamburg, nuk e kam gjetur dajën aty, pasi ai nuk e kishte marrë telegramin. Unë isha shumë i uritur dhe ajo familje që më dha ushqim kishte ndodhur në Austri dhe pjesën tjetër të rrugës nuk kisha ngrënë fare. Por besoj se çdokush ka fatin e tij, unë atë natë shkoj në një piceri që ishte në anën tjetër të stacionit mes turmës së njerëzve që blinin pica, ishin praktikisht njerëz që kishin dalë nga diskotekat në atë kohë dhe unë shkoj aty, hy brenda dhe doja të flisja me shefin e tyre. Unë nuk flisja gjermanisht në atë kohë, flisja vetëm frengjisht dhe unë i them atij se nuk kam para, mirëpo jam i uritur a mund të ha një picë, ju premtoj se unë do të vij njëherë dhe do ta paguaj atë picë dhe ai thotë “jo jo fare” dhe unë nisem. Pastaj u largova shumë i turpëruar, më dukej se e gjithë bota po më binte mbi kokë. Një moment m’u dha të kthej kokën pas. Shikoj të njëjtin person që po ma bënte me dorë, kthehu. Edhe unë kthehem. Ai ishte një sirian, Ramadan e kishte emrin dhe më thotë më fal se unë bërë gabim që të refuzova dhe më tha bërë mirë që u ktheve. U ula aty dhe ai më ka dhënë jo një, por dy pica me një coca-cola dhe gjatë kësaj kohe ne bisedonim. Më pas unë e ndihmova duke fshirë lokalin se e mbyllte ai në orën 4 dhe kështu u bëmë pak miq dhe unë e kuptova se ai ishte një student, maturant i semestrit të 7 që punonte aty, por ishte edhe shefi i lokalit, punonte për padronin e tij dhe ai më tha unë do të ndihmoj ty. Kështu që ai njeri më mundësoi që unë të punoj rreth 3 muaj aty dhe regjistrimin në kursin për gjuhën gjermane.

Pacolli, këto paratë që i more borxh tek miqtë e gjyshit i ktheve ndonjëherë mbrapsht?

Behgjet Pacolli:

I ktheva në 3-mujorin e parë.

Po sirianit ia ktheve?

Behgjet Pacolli:J

o, me atë jemi miq edhe sot. Ai është një bamirës i madh. Ka pranuar në këtë kohë shumë familje. Unë e kam ndihmuar atë, familjarët që i ka sjellë nga Siria. Është një njeri normalisht i integruar atje. 

Domethënë ju e keni ruajtur 37 vjet miqësinë tuaj?

Behgjet Pacolli:

Po. 

Ua ka sqaruar se pse ju tha kthehuni prapë për të marrë picën ?

Behgjet Pacolli: 

Po kemi folur për atë. Ka qenë një ndjenjë e atillë, ai më tha se kam lënë menjëherë picën në furrë dhe kam dalë në moment dhe të kam thirrur. Aty ishte fati im praktikisht. Kështu që çdo i ri ka fatin e tij.

Çfarë do t’i thonit një të riu që vjen nga fshatrat, nga provincat, nga familje të varfëra dhe shkon në një zonë ku “noton”, ku moshatarët e tij janë ndoshta me veshje shumë më luksoze, me shumë më tepër të ardhura, me mundësi më të mëdha, çfarë do t’i thoni një të riu që është identik në pozitat tuaja?

Behgjet Pacolli: 

 Asnjëherë mos e humb shpresën, asnjëherë mos e humb guximin, duaje atë që do ta bësh, dashurohu me të. Duhet të investosh shumë emocionin në punën tënde që do ta bësh, njerëzit që janë më kreativë e kanë më të lehtë pak, për arsye se krijojnë ide dhe projektin jetësor të tyre dhe të punohet në të me përkushtim, dashuri, angazhim shpirtëror sepse nëse këto angazhohen në vepër atëherë është një forcë e madhe që lëviz edhe kodrat. Rinia nuk duhet asnjëherë të ndalet në probleme ditore, në barrierat ditore. Barrierat janë të tejkalueshme.

Pacolli: Brenda 2 vitesh arrita të xhiroj 2 miliard dollarë

Behgjet Pacolli e cilëson si brilante karrierën e tij si biznesmen, duke përmendur me krenari faktin se si një djalë i thjeshtë nga Kosova arriti të shndërrohej në një biznesmen të njohur të Europës. 

Behgjet Pacolli: 

Kam punuar kryesisht në bllokun e ish Bashkimit Sovjetik. Kam ngritur shumë objekte. Me shumë mund dhe shumë punë. Kam përfituar prej kësaj, jam paguar. Në vitin 1990 jam pavarësuar duke ndërtuar kompaninë time dhe kështu fillon një punë e madhe. Në më pak se  dy vite arrita në xhiro mbi 2 miliardë dollarë.

Në dy vjet filluat të kishit një xhiro prej 2 milion dollarësh?

Behgjet Pacolli: 

Po. Kështu që unë kam patur një karrierë brilante, një person që shkon nga Kosova dhe pastaj proklamohet në qendër të Evropës si njeriu i biznesit.

Pacolli, milionshin e parë zakonisht njerëzit e pasur nuk duan ta tregojnë si e kanë bërë, por në fund pasurinë kanë qejf ta tregojnë. Sa është pasuria juaj?

Behgjet Pacolli:

 Unë gjithmonë kam refuzuar të flas për këtë, mirëpo është e pamundur mos t’ju përgjigjesh edhe pyetjeve të kësaj natyre. Unë sigurisht kam krijuar diçka në jetën time që e kam krijuar vetë dhe lirisht mund të quhem se jam një bilioner, siç thonë, mirëpo askund nuk e kam shprehur, as në sjelljet e mija nuk e kam shprehur atë, as në punën time, as në përditshmërinë time nuk e kam shprehur, për arsye se edhe ju ndoshta e dini, por edhe njerëz që janë afër meje e kanë parë që unë kam mbetur ai njeriu i rëndomtë, ai djali i fshatarit.

Kjo është çështje e karakterit të njeriut, por unë ju pyeta sa mund të jetë, është disa miliardë?

Behgjet Pacolli: 

Po është disa miliardë. 

Kur ke bërë disa milionë, ke bërë goxha milionë, përse duhet të shkosh në miliardë? Është sfidë tek njeriu?

Behgjet Pacolli: 

Jo, është përgjegjësia, një përgjegjësi tepër e madhe. Puna ime nuk është një punë që unë tani jam fetishist, bëj një kontratë të naftës dhe kthehem në fund nafta është djegur, dokumentacioni është në arkivë dhe në bankë ka mbetur fitimi. Nuk është natyra e punës time ajo. Me një kontratë ti hyn në përgjegjësi për arsye se ti tani angazhon njerëz për të implementuar atë kontratë dhe ti ke përgjegjësi për ata njerëz dhe për bashkëpunëtorët e mi të cilët punojnë unë i konsideroj si të familjes time dhe unë dua të punoj edhe më tutje. S’mundem ta ndërpres atë kontratë dhe me thënë po e marr fitimin edhe ..

A i gëzon njeriu gjithë këto para z. Pacolli?

Behgjet Pacolli:

 I gëzojmë ne të gjithë që punojmë në këtë kompani. Unë sot operoj me mbi 15 mijë njerëz në të gjithë botën që punojnë për kompaninë dhe unë gjithmonë refuzoj që të them që punojnë për mua. Ata punojnë për vete praktikisht, është një platformë e krijuar ku seicili e jep kontributin e vet dhe sipas atij kontributi paguhet. Ka inxhinerë që ndoshta fitim kanë më tepër se sa unë që fitoj si pronar i firmës për arsye se jam munduar gjithmonë që t’i shpërblej njerëzit sipas rezultateve.

Është e vështirë të jesh i pasur? 

Behgjet Pacolli:

 Nuk është e vështirë. E gjitha varet se si ti e trajton. Do të ishte e vështirë për mua po të isha i vetmuar dhe me të gjithë ato miliona diku, ajo do të ishte e vështirë. Por, unë jam njeri që ekskluzivisht bashkëjetoj në sintoni me njerëz të tjerë.

Cili ka qenë çelësi i suksesit tuaj? E keni pyetur ndonjëherë veten?

Behgjet Pacolli:

 Vetëm guximi i madh si i ri pa dalë asnjëherë jashtë, pa asnjë farë kulture ndoshta evropiane në atë kohë që merr guximin dhe sfidon, sfidon metropolet e Evropës. Është një guxim i madh që sot edhe pse shumë më i vetëdishshëm, sot me më shumë mundësi do të mendoja 2 herë a është e mundur apo jo. Guximi i madh, dashuria tepër e madhe për të vepruar, dashuria tepër e madhe ndaj njerëzve dhe investimi i qenies shpirtërore në sukses.

Superinvestimet e Behgjet Pacollit në Shqipëri

Kur ke shëtitur në të gjithë botën, kur ke takuar kaq shumë personazhe, ke një pasuri kaq të madhe, biznese në të gjithë botën, a nuk të rri pak e vogël kosova kur kthehesh?

Behgjet Pacolli: 

Jo Kosova nuk është e vogël. Nganjëherë hidhërohem, por unë kam një dashuri të madhe për trojet tona. Ndoshta largimi im i hershëm prej trojeve, sfidat e mija të përditshme këtu, nuk e di se çfarë por për mua trojet tona mbeten të shenjta. Aty rëndon koka, rrënqethet trupi mbetet vendi më i bukur për mua dhe për çdokënd.

I bukur në ëndërr apo edhe kur e sheh?

Behgjet Pacolli:

 Kur e sheh por me shpresë shumë të madhe se do të ndryshojnë gjërat. Unë kam një ëndërr të madhe. Wndrra ime është që t’i shoh trojet tona të drejtuara drejt perspektivës së vërtetë. Ua dëshiroj dy shteteve tona një qeverisje të sinqertë.

Pacolli, ju thoni se e doni atdheun e doni Kosovën si vendin tuaj, por shoh se keni investuar shumë pak në Shqipëri dhe në Kosovë nga pasuria apo investimet tuaja.

Behgjet Pacolli: 

Nuk është e vërtetë, nuk jeni të informuar. Unë kam hapur rreth 5 mijë vende punë në Kosovë. 

Po në Shqipëri?

Behgjet Pacolli:

 Në Shqipëri ka pasur tentative, ka pasur gjithmonë tentativa. 

Pse kanë dështuar?

Behgjet Pacolli: 

Ato kanë dështuar, për një ose një tjetër arsye, ndoshta ndoshta unë nuk kam ditur që të jem në harmoni me kërkesat. 

Ka qenë dështim prej qeverisë shqiptare apo prej jush?

Behgjet Pacolli: 

Nuk mund të them. Por di diçka, unë kam shumë miq këtu, e di se qytetarët e Shqipërisë mua më duan shumë, këtë e ndiej çdo ditë.

Është e vërtetë që po investoni një projekt shumë të madh në Divjakë?

Behgjet Pacolli: 

Po, ky është projekti i Divjakës, unë e kam edhe në formë elektronike projektin e fundit një ditë do të jetë fantastike.

Sa është investimi?

Behgjet Pacolli: 

Projekti është në një fazë kur topi praktikisht është tek qeveria shqiptare që të ndryshohet diçka në ligjin për investimet e huaja. Kjo kontratë është tepër e madhe. Investimi është 1.6 miliardë euro. Në jemi themeluesit e fondit të investimit dhe fondi investiv është duke u mbushur praktikisht. Një investim të tillë është e pamundur që ta bëjë vetëm dikush, t’i marrë paratë nga banka dhe t’i investojë, por është shumë interesante sepse po bëhet një projekt shumë atraktiv për shumë kombe të botës .

Çfarë kombësie janë?

Behgjet Pacolli: 

Duke filluar prej Lindjes, prej kinezëve, rusëve, Azisë Qendrore, europianëve që po marrin pjesë në këtë projekt.

Pra ju keni krijuar një fond ku kontribojnë me shuma të caktuara kinezë, rusë, aziatikë, europianë, SHBA? 

Behgjet Pacolli: 

Po dhe ky fond është në krijim e sipër.

Sa është sipërfaqja që do të ndërtoni?

Behgjet Pacolli:

 Sipërfaqja që do të ndërtohet është tejet e madhe, janë 3600 hektarë në Divjakë, diku rreth 11 km në vijë bregdetare.

Sa kohë mund të kërkojë ky investim? 

Behgjet Pacolli: 

10 vite punë. Është me tri faza. Është një investim që nuk ka ndodhur askund, as përtej Adriatikut as këndej Adriatikut. 

Po përse në Shqipëri?

Behgjet Pacolli: 

Sepse është ndoshta njëfarë premtimi gjithmonë se unë dua të lë diçka të rëndësishme edhe për Shqipërinë dhe harmonia e plotë me partnerët. Ky projekt ka filluar në kohën e qeverisë së kaluar është biseduar dhe inkurajimi ka ndodhur atëherë. Puna ka vazhduar me qeverinë e tanishme, po ashtu është shumë inkurajuese puna, asistenca ka qenë në nivel dhe tani duhet të marrë edhe formën e prerë ligjore.

Pashë që këtë vit kishit kaluar edhe pushimet në Shqipëri me familjen, lidhej edhe me këtë projekt?

Behgjet Pacolli: 

Po lidhej edhe me projektin. Unë isha me anijen time, kam bërë një xhiro dhe koncentimi im ka qenë nga Divjaka për arsye se në ato momente kisha edhe disa investitorë që erdhën për ta parë.

Edhe ç’mendim kishin për bregdetin shqiptar?

Behgjet Pacolli:

 Pro dhe kundra.  Është dashur të investohet shumë herët në bregdetin shqiptar, shumëç’ka ka degraduar, por shumëç’ka ka mbetur e virgjër.

Pacolli: Politikanët në Kosovë mashtrojnë

Ndër të tjera, Behgjet Pacolli është ndalur edhe tek një pjesë e jetës së tij, e cila është politika. Pacolli tha se një pjesë e politikanëve kosovarë e kanë gënjyer dhe mbi të gjitha nuk kanë punuar për qytetarin.

Behgjet Pacolli: 

Ka qenë më e lehtë për të punuar në biznes se në politikë. Unë jam mësuar të punoj në biznes me njerëz të sinqertë, kurse në politikë unë kam hasur vetëm e vetëm gënjeshtra. Më vjen keq t’u them se eksperienca ime është se më kanë gënjyer më kanë mashtruar dhe nuk kanë punuar për qytetarin. Kanë punuar vetëm për vetveten, kanë futur dorën aty ku nuk duhet ta fusnin, kanë bërë shantazhe dhe po shihet situata në Kosovë se si është dhe do të doja shumë dhe do t’ja dëshiroja Kosovës, njerëz të sinqertë në politikë.

Si biznesmen jam i sigurt që keni qenë të detyruar të paguani edhe politikanë, në rusi ndoshta, në vendet afrikane ku jeni. Tani që jeni politikan si e shihni një biznesmen që vjen të paguajë një politikan?

Behgjet Pacolli: 

Unë nuk jam dakord me këtë, por ndodh edhe kjo. Por jo në atë mënyrë, sigurisht favoret janë pjesë e relacionit të një biznesmeni me një politikan dhe e ndërsjellëta. Marrëdhëniet e mija e tejkalojnë atë pikën e interesit, për arsye se unë me njerëz që kam punuar sidomos nëse aludon në Bashkimin sovjetik ose në Rusi unë heroin që e pamë në fotografi e njoh prej vitit ’79, ndoshta do të ishte më e drejtë të më pyesë dikush po si mbete i lidhur me këtë njeri gjatë viteve ’80? Unë kam mbetur krejtësisht rastësisht i lidhur me të duke ngritur shumë lart ndoshta atë anën humane të tij edhe ndoshta mundësitë e mija, unë kisha mundësi, ai ishte i sëmurë nga sheqeri dhe unë i prokuroja tableta me vlerë 20 euro apo franga diçka e tillë . Ky ka qenë maksimumi që kam bërë dhe kjo është vlerësuar shumë.