Të ftuar:

Saimir Tahiri,

Juli Xhokaxhi,

Lorenc Vangjeli

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mbërritur në ambientet e televizionit Klan duke qënë në emisionin “Opinion” për të folur për përgjimet, akuzat dhe hetimet ndaj tij. Kjo është hera e parë që Saimir Tahiri do të shfaqet në një intervistë televizive përball gazetarëve, pas daljes së përgjimeve nga Prokuroria italiane, akuzave nga opozita dhe deklaratave të kryeministrit Rama. Prokuroria për Krime të Rënda, ka depozituar në Kuvend kërkesën për heqjen e mandatit të tij si deputet. Por ashtu Grmoz Ruçi ka bërë të ditur se mbledhja e këshillit të mandateve do mbahet ditën e të premten në orën 11:00 ku do të merret edhe vendimi përfundimtare për fatin e mandatit të Tahirit. Saimir Tahiri sapo ka hyrë në TV Klan ka gjetur një dokument të cilin ia ka dorëzuar një punonjës i kuvendit, përpara se ai të hynte në studio. Tahiri është ndalur me mirësjellje dhe ka firmosur marrjen e dokumentit, i cili zyrtarisht e vinte në dijeni të kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të tij.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, sonte në studion e emisionit Opinion ka deklaruar se me Habilajt nuk e lidh asgjë dhe nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie me ta. Ish-ministri ka pranuar lidhjen e largët farefisnore me dy trafikantët, por ka vënë në dukje se ka vetëm përgjegjësi morale për makinën që ka shitur vite më parë, asgjë më tepër. Tahiri theksoi se ata mund të jenë kushërinjtë e rangut të dhjetë, madje aq të largët sa nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me ta. Ai tregoi se nuk ka ngrënë kurrë darka apo dreka me Habiljat, pasi marrëdhënia me ta nuk ka ekzistuar kurrë.

Ish – ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin Prokuroria ka kërkuar autorizim nga Parlamenti për ta arrestuar, tha se nuk ka udhëtuar kurrë me Habilajt në një makinë.

A keni udhëtuar në Itali me Habilajt?

“Kurrë! Pak rëndësi ka që përgjegjësia ime është jo e vogël, lidhur me shitjen e makinës tek disa persona të cilët ndoshta duhet ta kisha verifikuar çfarë përfaqësonin. Unë këtë nuk e kam bërë. Nuk di sa do e bënte kushdo tjetër, por ndoshta mua më takonte ta bëja”

.

Po pasi foli Zagani?

“Mbasi foli Zagani e kam verifikuar dhe më rezultoi se makina ishte ende në emrin tim. Unë kam shkruar direkt në Prokurori. Institucionalisht, unë nuk kisha asnjë mundësi tjetër, përveçse të shkoja direkt te Prokurori i Përgjithshëm. Dhe i kërkova që të hapë hetim për mua. Prokuroria hapi hetimin dhe doli me një vendim pas një viti”.

Po një skaf në pronësi tuaj e mirëmbanin Habilajt?

“S’kam pasur asnjëherë në pronësi një skaf. As kam shkuar te dreka me ta, as kam ndenjur në Vlorë. Ata nuk kanë udhëtuar kurrë në makinën time. Është thashethem,unë nuk jam ndaluar kurrë nga policia italiane, greke, apo qoftë nga një agjenci e vetme.

 

“Qytetarët duan të dinë deri sot, kanë besuar tek unë, një njeri normal që ka bërë detyrën edhe duke gabuar, apo te një bandit që shtirej për gjë tjetër. Qytetarët duan të dinë që unë si Ministër i Brendshëm luftova që policia të fitonte dinjitet dhe qytetarët të ishin të barabartë përpara policisë, apo që kam qenë një bandit në detyrë që i ka shkelur syrin një banditi. Qytetarët duan të dinë të vërtetën”.

Cila është e vërteta? Është hakmarrje e banditëve në rrugë, apo e politikanëve në korridore dhe zyra…?

“Kam parë banditë në politikë, me jakë të bardhë dhe kollare që janë shumë më gjakftohtë në krimet e tyre se çdo bandit në rrugë. Flas në politikë në përgjithësi. Kam parë që hajdutë të pacipë dilnin dhe i përbetoheshin publikut dhe ndërkohë që ishin edhe hajdutë të pacipë që fusnin duart në xhepat e qytetarëve pa pushim.

Unë sot akuzohem se kam trafikuar drogë, nuk akuzohem se kam vjedhur lekët e qytetarëve, se i kam futur në xhep lekët e qytetarëve, se kam vjedhur një tender. Unë kam qenë 4 vjet ministër, nuk kam bërë një tender, e kam hequr të drejtën për të bërë tender me dashje. Kam refuzuar.

Nuk kam asnjë surprizë në këtë histori, e prisja ta shihja një ditë, që i gjithë llumi të më vinte përballë dhe mua mund të më ndodhë që të shkoj të bëj burg me ata që kam arrestuar vetë, mund të më ndodhë.

Është kollaj për një politikan sot të përfitojë nga çdo aleancë e pistë nga ato poshtë tavolinës. Nuk është kollaj ajo që unë mendoja se kam bërë me veten dhe e besoj akoma që e kam bërë, edhe duke gabuar, se kam gabuar pafund dhe as që i fshihem asnjë gabimi që kam bërë, por të paktën kam luftuar përditë që të ndihmoj çdo qytetar që e ka merituar”.

Po nga njerëzit e tu të Partisë Socialiste, ka patur nga ata që kanë shkelur ligjin?

Po, pa dyshim

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka zgjedhur që këtë të enjte të flasë në studion e emisionit “Opinion”për të gjitha akuzat e drejtuara në adresë të tij. Politikanë shqiptarë për 25-vite në vendin tonë nuk kanë mbajtuar asnjëherë përgjegjësi për asgjë. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, sonte, deklaroi se këta politikanë nuk kanë dalë kurrë në bankën e të akuzuarve pavarësisht akuzave dhe videove të transmetuara në media. Tahiri tha se nuk ka blerë asnjë nga ata, nëse do ta bënte një gjë të tillë, sot nuk do ishte këtu. “

Nëse do t’i bleja këta, do të isha i paprekshëm. Nëse do kisha aleanca me këta të korridoreve të politikës dhe të pushtetit, do isha i paprekshëm

”, -deklaroi Tahiri. Më tej, ish-ministri i Brendshëm, deklaroi se ka zgjedhur të ketë armik Presidentin e Republikës, që ditën e parë ishte në qeveri. Ai tha që nuk e ka pritur kërkesën e Prokurorisë. Pyetjes së nëse ndihej ose jo i tradhtuar Tahiri i është përgjigjur se nuk pre mbrojte nga askush dhe se do të shqetësohej nëse do e braktiste e vërteta.

Fevziu:

“S’keni parë gjë akoma”.

Tahiri

: “Edhe për mua kërkesa e prokurorisë sot ishte e pazakontë dhe suprizë”, tha Tahiri.

Fevziu

: Po për kryeministrin?

Tahiri

: “Nuk e di, e ndoshta s’më takon ta di. Edhe sikur të ketë qenë suprizë për të gjithë, pasi nuk është diçka e zakonshme që të kërkohet arrestimi i ish-Ministrit të Brendshëm”.

Vangjeli

: Ndiheni i tradhëtuar apo kurban?

Tahiri

:

“Unë nuk pres mbrojte nga askush, as nga familja , as nga kolegët e aq më pak nga kryeministri, që ka një barrë më të madhe sesa unë, sesa ne, e që mund t’i vijë dita që të lerë mënjanë një mik e koleg. Unë do të shqetësohesha nëse do të më braktiste e vërteta.”

Më tej i pyetur për takimin me kryeministrin, Tahiri tha: “Kam pasur një bisedë normale, për një situatë anormale.”

Juli Dokaxhi

: Është e vërtetë që e keni kërcënuar kryeministrin që do ta merrni me vete?

Tahiri:

“Nuk është e vërtetë. Çdo e vërtetë e imja nuk është kërcënim për kërkënd.”“Unë e kisha shumë të lehtë të bëja shumë miq, të ruaja aleanca, kam qenë ministër i brendshëm, mund të bëja ndere.  Unë mund ta kisha shok Ilir Metën.”

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, sonte ka deklaruar në emisionin Opinion, se nuk pranon aspak moral nga ata politikanë që kanë qeverisur këtë vend për 25-vite. Tahiri tha se historia e kanabisit nuk lindi me mua, por me ardhjen e PS në pushtet ajo filloi të mbarojë. Ai tregoi se pas Lazaratit, nuk kishte frikën e ditës së parë kur shkoi në luftë në ata fshat, sa kishte frikën e ditës së parë të paqes në Lazarat. Sipas tij, pikërisht kjo gjë, e bënte tregun me më shumë etje për këtë histori. Ish-ministri theksoi se për gjithë këtë histori, u treguam të pakujdesshëm në lidhje me mesazhet që i jepnim publikut.

Ish – ministri i Brendshëm, deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri tha këtë të enjte në “Opinion” se të paktën 30 deputetë nga opozita e sotme dhe e djeshme kanë dalë jashtë vendit me persona me rekorde kriminale në makinë.

Nga opozita sot dhe opozita dje ka të paktën 30 deputetë që kanë dalë në makinë personale të tyren me kriminelë jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe këtë ta them me garanci.

Më thuaj emrat…

“T’i hetojë prokuroria. Tani të lutem. Unë po të them tjetër gjë. Unë po të them se këtë nuk e kam as me hamendje. Vetëm në opozitën e sotme dhe të djeshme, pra mblidhini të dy grupet parlamentare, të opozitës, ka gati 30 deputetë që kanë dalë nga Shqipëria me persona me rekorde kriminale në të kaluarën, pra jo me persona në kërkim.”

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar se Prokuroria për Krimet e Rënda, ka kërkuar arrestimin e tij, por jo hetimin. Tahiri tha se kjo Prokurori po bën atë që se ka bërë kurrë me asnjë politikan tjetër. Sipas tij, ajo po kërkon direkt arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, por pa hetuar lidhjet e tij me grupin kriminal të Habilajve. 

“Kuvendi është thirrur të votojë, nëse unë do shkoj në burg apo jo. Dhe jo nëse do hetohem apo jo. Nëse do arrestohem apo jo dhe jo nëse do hetojë Prokuroria. Prokuroria ka kërkuar një gjë që se ka kërkuar për asnjë politikan në Shqipëri që nga vitet ’91. Unë jam njeriu që nuk i kam kursyer fjalët për Prokurorinë dhe prokurorin dhe gjyqtar. Përsë kohë unë jam një subjekt, që Prokuroria më ka marrë në hetim, unë do rezervohem të flas”,

tha Tahiri

.

Keni kërkuar të takoni Prokurorin e Përgjithshëm. Përse keni kërkuar ta takoni pardje?

Unë i kërkova në telefon Prokurorit të Përgjithshëm që të hapte hetimet për mua. Të bënte të gjithë verifikimet dhe të gjithë hetimet. Ky ishte motivi i vetëm pse unë kisha interes dhe kam interes që kjo çështje të pastrohet deri në fund. Unë nuk jam fshehur kurrë.

Si ishte biseda me të?

Unë nuk i jam fshehur kurrë as drejtësisë, as Prokurorisë, as hetimeve. Herën e parë kur u bënë këto akuza, unë kam shkuar në Prokurori. Tani po ndodh pak a shumë e njëjta gjë. Në opozitë unë kam qenë në gjyqe pa fund, me të birin e Saliut dhe me këdo në qeveri atëherë. Jam përballur dhe kam marrë kostot e mia. S’kam qenë as naiv, as në dëshirën për të bërë beteja kot, s’kam qenë as Don Kishot, as pa kurs në këtë histori.

Shtypi njoftoi që i kërkuat takim Llallës dhe s’ju priti?

Po pra, po ta them vetë … që i kërkova të hetojë dhe të verifikojë. Prokurori i Përgjithshëm kishte disponsibilitetin për t’u takuar. Unë kisha një konferencë për shtyp dhe m’u desh që të bëja konferencën për shtyp. Pastaj Prokurori i Përgjithshëm kishte aktivitetet e veta. Pastaj nuk kemi komunikuar.

Po kur u njohët me kërkesën e Prokurorisë tentuat të komunikonit me dikë në Prokurori?

Fare. Fare, zero.

As me Prokurorin e Përgjithshëm?

Fare, me askënd.

Raporti juaj me Prokurorin e Përgjithshëm , është folur që ka pasur përplasje mes jush?

Edhe ka pasur … më së shumti ka qenë raport institucional.

Po me ministrin Xhafaj keni kontaktuar?

Jo, fare nuk kam kontaktuar.

As 48 orët e fundit?

Asnjëherë.

Asnjëherë, as më parë?

Jo.

Që në momentin që keni dorëzuar detyrën asnjëherë?

Po.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një rrëfim të gjatë në emisionin “Opinion” ka folur gjatë për akuzat e ndaj tij, kërkesën e Prokurorisë për arrestim dhe deri tek marrëdhënie me kryeministrin Rama për të cilin tha se nuk i ka marrëdhëniet si më parë. Tahiri është shprehur se kërkesa e Prokurorisë për të është jo korrekte, sepse ajo nuk kërkon ta hetojë, por me heqjen e mandatit do ta arrestojë. “30 minuta para ngjarjes në Gërdeci ka folur me pronarin e firmës. Dhe nuk u thirr kurrë që të dëshmojë. Vetëm se u permeda nga dy kriminelë. Unë po shkoj në burg, po arrestohem. Kjo është Shqipëria ku numëron fletët e bllokut dhe numëron 7 përqindat, është presidenti i Republikës. E kam armik që nga dita e parë si ministër. Nuk më intereson fare. Kjo është Shqipëria Lorenc.”, tha Tahiri. “Unë e di që….interesante. Dhe sot po ju them se nuk është dita që të merrem se kush ja rol në këtë histori. Të shkoj edhe në qelinë më të largët të burgut. Do rri aty dhe pasi të zbardhet e vërteta.

Unë kam qenë ministër. S’po largohem. Sot më intereson vetëm e vërteta. Më intereson që im bir nesër kur të rritet, të mos kthejë kokën pas. Që familja ime të jetë e qetë”.

Zoti Tahiri nesër do të mblidhet Komisioni i Mandateve, ju do të jeni i pranishëm?

Komisioni i Mandateve po mblidhet pas kërkesës së Prokurorisë për të më arrestuar mua. Për të bërë dallimin, Prokuroria nuk po kërkon as të më hetojë, por të më arrestojë direkt.

Ajo mendon se ju mund të ndikoni mbi provat, duke pasur autoritet si ish – Ministër i Brendshëm.

“Pra Kuvendi është thirrur të votojë nëse unë do të shkoj në burg apo jo, jo nëse do të hetohem apo jo. Nëse do të arrestohem apo jo, jo nëse do të hetojë Prokuroria apo jo. Ka kërkuar një gjë që s’e ka kërkuar për asnjë politikan në Shqipëri prej vitit 1991”, tha Tahiri, duke shtuar se për sa kohë është nën hetim, do rezervohet të flasë, “por sigurisht do vijë një ditë që të flas.”

“Prokuroria ka kërkuar arrestimin tim automatik dhe i kërkon Kuvendit që të votojë, pas mbledhjes së komisionit i bie që unë të arrestohem. Kjo është pak a shumë ideja.”

Ish – ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nuk i ka kursyer akuzat edhe ndaj politikanëve, për të cilët tha se nuk kanë mbajtur kurrë përgjegjësi për asgjë, por kanë blerë njëri – tjetrin. Kjo theksoi ai se është edhe arsyeja përse sot gjendet në këtë situatë, sepse nuk bëri të njëtjën gjë, nuk bleu asnjë prej tyre. 

“Kjo është Shqipëria, ku politikanët nuk kanë mbajtur përgjegjësinë për asgjë, për 25 vjet. Pse? Sepse përgjatë detyrave të tyre, cilado qofshin ato, si ministra, kryeministra kanë ruajtur njëri – tjetrin, kanë blerë njëri – tjetrin. Unë nuk kam blerë asnjë nga ata. Po t’i blija, unë do isha i paprekshëm sot, po t’i kisha alencat me këta të alencave të korridorit, unë do të isha i paprekshëm”.

Shqipëria nuk ka nevojë për ambasadorë që thonë se sa familje mafioze ka, por të japin ndihmë konkrete për zgjidhjen e problemit. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, sot, në studion e emisionit “Opinion”, theksoi se ka shumë respekt për ambasadorët në përgjithësi, pavarësisht eksperiencës personale me ta. Sipas tij, edhe ata njerëz janë me të mirat dhe të këqijat e tyre. Ai tha se nuk ka preferuar asnjëherë të jetë një lloji politikani që shtrihet përdhe para një ambasadori, apo t’i puthë dorën atij, pasi Shqipëria është një vend sovran me hallet e veta që kërkon t’i zgjidhë vetë.

Tahiri:

Kam shumë respekt për ambasadorët në tërësi, pavarësisht se i kam njohur ndryshe

secili me të vetat, njerëz janë edhe ata.  

S’kam preferuar të jem lloji i politkanit që shtrihet barkas para një ambasadori, apo t’i puthja dorën ndonjë herë një ambasadori, kam menduar që Shqipëria është një shtet sovran që me hallet e veta, t’i zgjidhë vet e as kam pritur që të vijë një ambasador të na zgjidhi problemet që ne mund t’i zgjidhim vet. 

Në shtëpinë time s’ka asnjë burrë që vjen të zgjidhë problemet. S’ka nevojë Shqipëria për ambasadorë që tregojnë se sa familje apo klane mafioze ka, ia kam thënë ambasadorëve që atëherë s’me duhet mua fare kritika publike e një ambasadori, më duhet që kur të flasi per polcinë të vijë të më japi një ndihmë konkrete. 

E kam gjetur me 11 milionë euro ndihma nga të cilat 2 janë reale të tjerat ishin pallavra, eksprtizë kot. Megjithate e vleresoj ambasadorin amerikan per kurajon te pashoq per te denoncuar gjera.

Në mbyllje të emisionit “Opinion” Saimir Tahiri ka deklaruar se nuk ka ndër mend dhe as dëshirë të bëjë marrëveshje me Ramën, lidhur me çështjen e tij. “

Në të gjitha rastet unë them se një deputet është normale të interesohet për çdo gjë që është në zonën e vet elektorale. Ama nuk kam marrë asnjë telefonatë që të thotë liroje atë, ose liroje këtë. Nuk kishte kurrë guxim njeri të ma kërkonte mua, deputet e jo deputet të më kërkonte mua të mos bëja detyrën. Kurrë se kishte guximin. Dhe këtë ia di sigurisht për faleminderit më së pari Edi Ramës, i cili ka pasur kurajo qeverisëse të atillë sa t’i japë imunitet në thonjëza ministrit të tij të brendshëm që të përballet edhe me deputetë apo me pushtetarë apo pronarë mediash, pa pasur merakun që i cenohej pushteti i vet apo…”

Një marrëveshje e paske bërë me Ramën përderisa e mbylle kështu me kryeministrin.

“Skam asnjë marrëveshje dhe skam as nevojë të bëj marrëveshje me të. As dëshirë skam të bëj marrëveshje. Por të them një të vërtetë, jo domosdoshmërish është marrëveshje Fevzi. Ti këtë e thua se e para ke në mend se jam i tradhtuar dhe e dyta e mendon se kam bërë një marrëveshje. Unë me Edi Ramën dhe me këdo skam as ndërmend as dëshirë të bëj marrëveshje për të vërtetën që dua ta kërkoj vetë.”

 Gjatë gjithë emisionit Tahiri ka theksuar  se I intereson e vërteta dhe se është I gatshëm të shkojë deri në qelitë e fundit vetëm për të vërtetën. Më herët, Saimir Tahiri kishte pranuar që raportet e tij me Ramën pas zgjedhjeve ishin ftohur.