Të ftuar:

Prec Zogaj,

Mark Marku,

Mentor Nazarko,

Armand Shkullaku,

Arjan Curri,

Iris Luarasi

Gazetari Robert Goro, sonte, në emisionin Opinion, me anë të një lidhje telefonike nga Athina, deklaroi se të shtatë djemt e rinj që kanë bërë me duar simbolin e shqiponjës, në ushtrinë greke, janë bërë pjese e një teorie konspirative që ministri grek i Mbrojtjes po e përdor mjaft mirë në favor të subjektit të tij politik. Goro theksoi se partia e ministrit të Mbrojtjes ka humbur peshë në opinionin publik dhe për një arsye të tillë, ai po mundohet të krijojë një debat fals me sfond nacionalist. Ai deklaroi se Kamenos e ka rropur këtë ngjarje, duke tentuar të fusë dalëngadalë në një hulli nacionaliste. “Mirëpo, partia kryesore e koalicionit politik në Greqi Syriza e Cipras jo vetëm që nuk është prononcuar, por shumë portale që janë të lidhura me Syrizën kanë mbajtur një qëndrim diametralisht të kundërt nga qëndrimi i ministrit të Mbrojtjes dhe nga tendenca e penalizimit, që vetë ai ka përsëritur përgjatë deklaratave të këtyre ditëve”, tha Goro. Gazetari Robert Goro ka zbuluar, sonte, në studion e Opinion numrin e saktë të shqiptarëve që janë nën uniformën e ushtrisë greke. Sipas tij, rreth 14% e ushtrisë përbëhet nga rekrutë shqiptarë. Nga 86 mijë ushtarë që ka gjithsej Greqia, “janë rreth 12 mijë rekrutë shqiptarë në radhët e ushtrisë greke”. Këtë e ka pohuar gazetari shqiptar në Athine, Robert Goro gjatë një lidhje live me Blendi Fevziun në emisionin “Opinion”.

“Shqiptarët që nuk kryejnë shkollën e lartë, shkojnë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Greqi. Djemtë që ishin në foto, ishin parashikuar të bëheshin pjesë e Gardës së Republikës, si ata që rrinë me fustanella në Parlamentin e Greqisë”, tha ai, duke iu referuar fotos së rekruteve shqiptarë që pozuan në foto me duart si shqiponjë.

Analisti Mentor Nazarko, sonte, në studion e emisionit Opinion, tha se ata 7 djem që kanë bërë simbolin e shqiponjës me duar në ushtrinë greke, e ndjejnë veten krenar për origjinën e tyre shqiptare. Sipas tij, ky është një lajm pozitiv që të rinjtë shqiptar atje ku jetojnë, në ato kondita ku jetojnë, në një shtet të përparuar ekonomikisht, e ndjejnë qoftë edhe për lojë, qoftë edhe për t’u veçuar nga të tjerët të shpallin përkatësinë e tyre. Ai tha se kjo ngjarje duhet parë edhe nga dy këndvështrime, e para nga konteksti ushtarak, pasi qarqet ushtarake janë pjesa më nacionaliste, ata janë të djathtë, nacionalistë dhe ekstremist. Ushtria greke është në gjendje lufte, doktrina e sigurisë kombëtare greke me shumë siguri shqipëria konsiderohet një vend armik.

I ftuar në emisionin Opinion, Arjan Curri, pedagog në UET, është shprehur se kontradita qëndron pikërisht se disa prej shqiptarëve kanë marrë nënshtetësinë greke si homogjene. Pra sipas Currit një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë marrë kombësi greke, dhe kur merr kombësi homogjene greke, nuk mund të kesh as dy nënshtetësi, as dy kombësi. Sipas Currit problemi nuk qëndron se ata kanë bërë simbolin e shqiponjës, por problemi është se këta nuk janë shtetas grekë me kombësi shqiptare, këta janë shtetas grekë me kombësi greke. Me tej Curri tha se çelësin i të gjithë reagimeve të shtetit grekë për veprimin e ushtarëve e jep qartë ministri i brendshëm grekë, i cili ka thënë se kush nuk ndihet grekë, të kthehet në atdheun e tij. Arjan Curri ka thënë se shumë prej shqiptarëve kanë marrë nënshtetësi homogjene greke, këtu ndoshta përfshihen edhe ushtarët që kanë bërë simbolin e shqiponjës. Sipas  Currit në Greqi ka shumë raste, ku shqiptarët për hallet e tyre, kanë deklaruar kombësinë greke. Lidhur me ushtarët që bënë simbolin e shqiponjës me duart, Curra u shpreh, në emisionin Opinion, se shteti grekë ka një indice dhe do ti hetoj dhe verifikoj familjet e tyre, nëse kanë deklaruar saktë apo jo. 

Arjan Curri, pedagog në UET, ka deklaruar sonte në emisionin Opinion se mediat greke bëjnë me dije se është hapur një çështje civile në lidhje me gjestin e shqiponjës të bërë nga shtatë të rinj shqiptarë në ushtrinë greke. Curri tha se do verifikohet jo vetëm deklarimi që kanë bërë ata për kombësinë e tyre, por do verifikohet e gjithë procedura nga punonjësit civil të administratës greke, deri në ambasada dhe konsullata, se si është nisur dhe ka arritur deri aty procedura e hegjemonizimit të këtyre 7 personave. “Autoritetet greke kanë deklaruar se të rinjtë mund të kenë probleme me ligjin, por më parë do të kenë këta, por më shumë do të kenë vetë grekët të cilët në mënyrë abuzive, nëse vërtetohet, e kanë dhënë dhe e kanë njohur kombësinë e tyre si grek”.

Analisti Preç Zogaj, sonte, në studion e Opinion, deklaroi se shqiponja e bërë me duar nga ata 7 djem në ushtrinë greke është një gjest i cili nuk ka prapavijë politike. Zogaj tha se ai është një gjest trendy që e bëjnë të gjithë fëmijët e shqiptarëve, kryesisht moshat e reja anembanë botës. Ai theksoi se ata e bëjnë gjestin e shqiponjës kryesisht në momente solemne ose dhe suksesi. “Mua më duket se këta djem e kanë përjetuar si një gjest solemniteti që kanë shkuar ushtar dhe kanë bërë këtë, kanë gjetur njëri-tjetrin, siç ndodh gjithmonë që ushtarët gjejnë ata të krahinës së tyre, të vendit të tyre.”