I ftuar:

Ylli Manjani

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, sonte, në studion e emisionit Opinion është shprehur në lidhje me pastrimin e gjyqësorit në vend (Vettingu), duke deklaruar se gjyqtarët dhe prokurorët e shtetit shqiptar, do kalojnë në një periudhë rivlerësimi. Manjani tregoi se atyre do t’u rivlerësohet pasuria dhe kjo është arsyeja se pse ata po bëjnë deklarimin e pasurisë të imtësishëm, si asnjëherë tjetër, do t’u vlerësohet figura, si dhe aftësia profesionale. Sipas tij, vlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, do realizohet nga juristë të cilët përbëjnë një strukturë prej 12 personash, pra një komision me 12 vetë, do jenë katër trupa gjykuese me nga tre anëtarë dhe mbi këtë do jetë një komision apelimi, i cili do jetë pranë Gjykatës Kushtetuese, e cila do shqyrtojë apelimet dhe jashtë këtyre do jenë dy komisionerë që do flasinë në emër të publikut, të cilët edhe këta do jenë juristë me 15 vjet përvojë.

Ylli Manjani ka komunikuar në studion e emisionit Opinion se ata gjyqtarë dhe prokurorë që nuk dorëzojnë formularin e vetting-ut, shpëtojnë por largohen nga detyra. Manjani tha nëse ata tentojnë të hyjnë dhe rezultojnë me vepër penale, do ndiqen penalisht. Ai tregoi se pavarësisht kësaj, nëse ndërkombëtarët dhe komisionerët publik dyshojnë se ka prova të reja që struktura normale nuk arriti t’i marrë, mund të kërkojnë rikthimin e çështjes. Sipas tij, ata kërkojnë që vendimi të futet në rishikim, duke realizuar edhe rrëzimin e kandidaturës, që provohet se ka shkelje. Ministri, ndër të tjera, theksoi se askush nga emrat nuk mund të gjykohet në bazë të thashethemeve, por mbi bazën e provave të vërtetuara.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka deklaruar në studion e Opinion, se sistemi i drejtësisë në vend, me shumë mundësi do integrojë edhe prokurorë të rinj, të trajnuar nga amerikanët. Manjani tregoi se do ketë një qendër trajnimi e cila do ngrihet në Tiranë, ku do ketë trajnime të vazhdueshme. “Mirëpo, për t’u realizuar një gjë e tillë, duhet të bëhet vetting-u. Sa më shpejt të bëhet ai, aq më shpejt do të bëhet Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nga e cila fillojnë dhe burojnë institucionet e tjera”. Manjani theksoi se reforma në drejtësi do ketë një rol të rëndësishëm në vend, por nëse do kemi një sistem drejtësie më të drejtë se sa sot, kjo mund të jetë një pyetje shumë e thjeshtë për t’u bërë, por tepër e vështirë për t’u përgjigjur. Kjo lidhet me argumentin se e drejta është diçka shumë e madhe, por ai shpreson që kjo do luajë një rol të madh në sistemin e drejtësisë në vend.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, sonte, në studion e emisionit Opinion ka deklaruar se thirrja e Këshillit të Sigurisë, pas kërkesës së kreut të Kuvendit Ilir Meta, në lidhje me çështjen e Klement Balilit, është një rast specifik dhe i veçantë. Manjani tha se rasti është i veçantë edhe për shkak të orëve të harxhura në lidhje me hetimet rreth kësaj çështjeje, si dhe për faktin se ka patur një interes shumë të madh nga shërbimet partnere nga SHBA në mënyrë të veçantë. Ai kumtoi se në këtë rast po flasim për një temë që shqetëson opinionin publik, shqetëson realisht edhe sigurinë kombëtare. Sipas tij, është tema e kanabisit dhe realisht meriton një vëmendje më të madhe të institucioneve të shtetit. I pyetur nga drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu nëse kjo është tentativë për të hequr qafe akuzat që janë bërë në drejtim të z.Meta po edhe ministrit Manjani për Balilin, kreu i Ministrisë së Drejtësisë, është shprehur se ky nuk është vendi për të larë mëkatet, por akuzat nga politika nuk kanë munguar asnjëherë, çështja është si është ragimi shtetëror dhe zyrtar për këtë rast. “Si ministër i Drejtësisë kam qenë shumë i qartë, i prerë dhe shumë informativ për këtë rast, si asnjë rast tjetër, edhe për të shuar këto keqkuptime publike”.

Blendi Fevziu:

A keni qenë ju i lidhur personalisht me Balilin?

Ylli Manjani: Klement Balilin e njoh shkresërisht. Shkresërisht, për aq sa i takon, letër-porosive që kam transmetuar ndërmjet komunikimit zyrtar me Prokurorin e shtetit tonë dhe Prokurorisë së shtetit grek. Kjo është ajo që di. Jam i vetmi zyrtar që kam folur hapur dhe gjithmonë kam kërkuar edhe kur ju nuk e kishit mendjen, për shkak të aksesit në informacion, ky person të arrestohej.

Historia e këtij personi fillon dhe mbaron në një datë të vetme. 17 maj të vitit të kaluar, ishte dita kur Klement Balili është vendosur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli dhe pas gjithë rregullave të Interpoli, personi arrestohet.

Ylli Manjani ka deklaruar se Klement Balili, i njohur edhe si “Eskobari i Ballkanit”, duhet të ishte arrestuar nga policia. I ftuar në emisionin Opinion ai ka thënë se Balili duhet të arrestohej nga shteti shqiptar për llogari të shtetit grek.  Sipas Manjanit edhe Prokuroria shqiptare e kishte nën hetim këtë person. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se pse Balili nuk u arrestua, Manjani tha se kjo i takon Policisë së Shtetit Shqiptar. “Shteti shqiptar duhet ta arrestonte për llogari të shteti grekë, pikë”, është shprehur Manjani. Më tej Ministri i Drejtësisë ka mohuar që Balili të ketë qënë sponsor i LSI, në fushatën e 2013. Por ai ka thënë se vëllai i Klement Balilit dhe nipi i tij kanë punuar për Lëvizjen Socialiste për Integrim.”Klemend Balili nuk është sponsor i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Bashkim Balili, vëllai i Klement Balilit, është  njeri mjaft puntor, që ka punuar edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Nipi i Klement Balilit është kryetari i Bashkisë së Delvinës, i propozuar nga LSI, por kjo s’ka të bëj fare, secili e ka kokën në shpatulla të veta” tha Manjani. Manjani po ashtu e mohoi të kishte informacion për aktivitetet e tij, përpara se të propozonin nipin e Balilit për kryetar bashkie.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka shprehur hapur qëndrimin e tij se kryetari i LSI Ilir Meta duhet të jetë Kryeministër i Shqipërisë. “Unë e shoh Metën si një njeri super të talentuar për të qeverisur Shqipërinë”,  ka deklaruar Ylli Manjani në studion e emisionit Opinion. Sipas Manjanit afësitë ekzekutive të Ilir Metës, për të qeverisur vendin janë të njohura.