OPINION – SI U KAPEN GRABITESIT E RINASIT!

Emision: 14.02.2017

Të ftuar:

 Spartak Koka, Flamur Vezaj, Dashamir Bicaku, Artan Hoxha, Ervin Hodaj

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj është shprehur në emisionin Opinion, se policia ka dyshime dhe indice se ka edhe disa persona të tjerë të përfshirë në këtë grabitje, veç atyre që janë arrestuar dhe shpallur në kerkim. Gjithashtu, drejtori i Policise se Tiranes tha se banda dyshohet se ka grabitur edhe ne shkurt te vitit 2015. “Ky është njëhetim që ka filluar kohë më parë, ka filluar që në grabitjen e dhjetorit të vitit 2015, disa nga këta persona kanë qënë në hetim që nga ajo kohë. Ne kemi dyshime të forta që ky grup ka kryer edhe grabitjen e Union bank. Ka dyshime që kanë bashkëpunuar me sigurinë private”, është shprehur Hodaj. I pyetur më tej nga Blendi Fevziu se sa ishte shuma e gjetur, nga grabitja Hodaj i është shmangur detajeve të përgjigjes dhe është shprehur se “Për ne nuk ka rëndësi shuma e gjetur, sikur edhe 1 dollar të gjenim do ishte ne mirë”.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj është shprehur në emisionin Opinion, se parat e kapura në operacionin e sotëm janë të bankave të grabitura. I pyetur nga Blendi Fevziu nëse polica është e sigurt që këto janë paratë e bankave, Hodaj është përgjigjur se “ka prova të pa kundërshtueshme që vërtetojnë se janë paratë e bankave, ka prova shkencore që paratë e sekuestruara sot nga polica, ju përkasin bankave”.

Gazetari i ABC News Flamur Vezaj, sonte, në emisionin Opinion ka deklaruar se personi që ka dekonspiruar grupin e grabitësve është shtetasi Fation Xhyliu. Vezaj theksoi se ky ka qenë personi që është shoqëruar që ditën e shtunë në komisariatin e policisë, ai është ndaluar për disa orë, pastaj është lënë i lirë dhe është arrestuar përsëri. Gazetari ka bërë me dije se ka pasur edhe një debat mes avokatit të përcaktuar nga familja e tij dhe drejtuesve të policisë, sipas tyre, ata nuk kanë lënë avokatin të takojë klientin. Vezaj deklaroi se sipas informacioneve që kam zotruar Fation Xhyliu ka treguar grupin e grabitësve. Fation Xhyliu, 33 vjeç, lindur në Lushnje banues në Tiranë ishte njëri nga bashkëpunëtorët e grabitjes. Ai u arrestua të premten e kaluar në mbrëmje vonë shumë pranë vendit të grabitjes, gjatë një operacioni blic policor që u mbajt sekret për mediat. Nga verifikimet që ishin kryer nëpërmjet antenave të telefonisë celulare, ka rezultuar se Xhyliu ka qenë i pranishëm 30 minuta para dhe pas grabitjes, në zonën përreth Qafës së Kasharit dhe Rinasit. Dhe kjo ishte një provë e arsyeshme për ndalimin e tij.

Gazetari Spartak Koka ka bërë me dije sonte në emisionin Opinion se personat e arrestuar për grabitjen e 2.7 milion eurove në Rinas, dyshohen edhe për ngjarjen e 27 prillit të 2015-ës. Koka tha se qytetarë të ndryshëm nga Lushnja dhe Divjaka, kanë informuar policinë përgjatë vitit 2016, të afërm apo dhe vëllai i Fation Xhyliut kanë thyer paund në shuma të mëdha, rreth 30 mijë paund. Koka bëri me dije se Xhyliu është shpallur në kërkim nga policia me 31. 10. 2016. Sipas tij, në këtë datë, shtetasi Fation Xhyliu është shpallur në kërkim nga policia me karton rozë, pasi dyshohet si një prej bashkëpunëtorëve të grabitjes së ndodhur në vitin 2015, për veprën penale grabitje me armë e kryer në bashkëpunim.

I dyshuari si autor i grabitjes së 2.7 milion eurove në Rinas, Fation Xhyliu, sonte, në emisionin Opinion ka qenë molla e sherrit mes drejtorit të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj dhe gazetarit të TV Klan Spartak Koka. Ky i fundit ka thënë se një nga grabitësit e Rinasit, Fation Xhyliu nuk është ndaluar, edhe pse ka qenë në kërkim policor nga data 31.10.2016 deri më datën 22.12.2016.Sipas Koka ngjarja e dytë mund të parandalohej nëse Xhyliu do kapej sa po është kthyer nga Greqia me datën 18.01.2017. Ndërkohë, Hodaj ka kundërshtuar, duke thënë se ai nuk ka qenë  asnjëherë në kërkim, por nën vëzhgim. Aty debati është ndezur edhe më shumë.

Gazetari Spartak Koka ka dhënë disa detaje të reja për personin që u ka dhënë informacion autorëve të grabitjes në Rinas. Bëhet fjalë për shtetasin Fatjon Xhyliu, që sipas gazetarit ka shërbyer si informator për grabitësit në ngjarjen e parë atë të 3 Dhjetorit 2015 por një ditë më vonë ka dhënë dorëheqjen nga kompania “Rogat” me justifikimin se ishte nën presion nga familja. Ai dyshohet të ketë përfituar një shumë prej 100 mijë eurosh të kartmonedhave të ndryshme për ndihmën që u ka dhënë grabitësve. Sipas Kokës 33 vjeçari ka qenë i shpallur  në kërkim policor me kartele rozë per grabitjen e parë po nuk është ndaluar. Këtu ka patur një debat mes Kokës dhe drejtorit të Policisë Hodaj. Ndërkohë, Hodaj ka kundërshtuar, duke thënë se ai nuk ka qenë në kërkim, por nën vëzhgim. Por Koka paraqiti dokumenta që provojnë se ka qenë në kerkim policor deri më datën 22.12.2016 duke mos i përditësuar  policia aftet e kërkimit.Duke i dhënë mundësinë që të rikthehej nga Greqia me datën 18 Janar 2017. “Më datën 4 dhjetor, një ditë pas grabitjes të ndodhur në Qafë-Kashar, (të 3.8 milion eurove, të bankës Credins), Fatjon Xhyliu ka dhënë dorëheqjen nga kompania “Rogat Security”, me justifikimin  dhe pretekstin se është nën presionin e familjes se është djalë i vetëm. Në datën 5, kompania njofton policinë se ka dhënë dorëheqjen dhe duhet të verifikohet”, është shprehur Koka, por kjo është kundërshtuar nga Hodaj.

Gazetari i TV Klan Dashamir Biçaku, sonte, në emisionin Opinion ka deklaruar se mjetet e përdorura për grabitjen e të enjtes në rrugën e Rinasit nga ku u morën 2.7 milion euro të BKT-së, nuk kanë qenë të modifikuara. Biçaku theksoi se ekspertët në vendngjarje vërtetuan numrin e shasisë të dy makinave, ku dhe rezultoi se dy mjetet ishin vjedhur në Kosovë. Ai bëri me dije se nuk ka njohuri mbi itinerarin rrugor që ato kanë bërë deri në grabitjen e të enjtes, por dyshohet se mund të kenë hyrë nga kufiri i gjelbërt.

Kategori
OPINION
0 Komente

Përgjigju

*

*