Të ftuar:

Pastor Paulin Vilajeti,

Klodian Allajbeu – Administrator i Spitalit Amerikan,

Sevim Arbana – Aktiviste e Gruas,

Gazmend Agai – Gazetar Monitorues Zgjedhjesh,

Kristina Neranxi – Administratore Biznesi,

Sava Bardhi – Administrator Agjensi Turistike,

Auron Tare – Agjencia Kombetare e Bregdetit,

Julian Lala – Muzikant/Eksplorator

Një personazh i veçantë ka qenë pjesë e panelit të emisionit ‘Opinion’ mbrëmjen e sotme, teksa po diskutohet për pasionin për udhëtimet. Bëhet fjalë për një të ri, i quajtur Julian Lala, i cili ka një pasion të jashtëzakonshëm për udhëtimin, saqë ka shëtitur në mbarë botën me shpenzime fare minimale. Ai ka bërë udhëtimin nga Shqipëria drejtë Spanjës, për një muaj e 20 ditë dhe ka shpenzuar as më shumë, e as më pak, se 50 euro, pra që i takon 1 euro dita. Udhëtimi sipas Julianit ka nisur në Majorka në Spanjë, pas 20 ditësh ai u zhvendos në Itali nëpërmjet një avioni të lirë, që kushtonte vetëm 12 euro. Më pas nëpërmjet autospotit (udhëtim me makina që i ndalon rastësisht në rrugë) ai është zhvendosur drejtë Sllovenisë, Hungarisë, kur mbërriti në Serbi i mbaruan lekët, e më pas u kthye në shtëpinë e tij në Shqipëri. “Në Serbi më mbaruan lekët, njoha një vajzë në rrugë që bënte edhe ajo autostop edhe e shtymë bashkë me 1 euro rrugën deri në shtëpinë time”, është shprehur Juliani. Më tej Juliani tregoi se ka më shumë se 4 vite që udhëton në formë të tillë. Ai tha se udhëtimin e parë e ka bërë me një shumë 300euro për 10 ditë, e që si fillim ju dukën shumë pak, por tani ai tha që ajo shumë ishte marramendëse dhe nëse do i kishte sot ato lekë do të bënte 2 muaj pushime. Ai tha se udhëton me pak lekë dhe se kur nuk udhëton, mban njerëz të huaj në shtëpi dhe kontaktet me ta i gjen nëpërmjet një faqeje në internet dhe po ashtu nëpërmjet facebook-ut. “Sot në mëngjesë iku një Meksika, ishte në shtëpinë time.” I pyetur nga Blendi Fevziu se si e siguron fjetjen dhe ushqimin në këto udhëtimi ai është përgjigjur se këto i siguron nëpërmjet njerëzve që njeh gjatë udhëtimit.

Pastor Paulin Vilajeti, kohë më parë, ka çuditur shumë njerëz me publikimin e një fotografie në profilin personal në facebook. Pamjet e ofruara, tregonin pastorin në një nga tregjet e Laos-it në Azi, ndërsa po blinte disa ushqime për të ngrënë të llojeve lakuriq nate, insekte të ndryshme dhe minj të pjekur në prush. Pikërisht, për këtë eksperiencë interesante, Vilajeti ka treguar sonte në emisionin Opinion, kënaqësitë dhe të veçantat e shumë udhëtimeve të tij në disa vende të ndryshme të botës. Ai tregoi se në Republikën Popullore Socialiste të Laos-it, kishte shkuar për të predikuar Zotin. Pastori tregoi se atje kishte disa kisha, por nuk lejohej të flisje me vendasit. “Nëse predikoje me banorët, ti arrestohesh menjëherë”, tregon ai. Vilajeti theksoi se ata mund të flisnin me njëri-tjetrin, por unë nuk mund të flisja. Ai lejohej të predikonte vetëm në Kishë. Pastori tha se në Laos, gjëja më e vështirë ishte të gjejë një person që fliste anglisht.

Rrëfimi i pastor Paulin Vilajetit:

Ika në Bankok dhe nga aty në Vientiane, (kryeqyteti i Laos-it) pastruesja dinte anglisht dhe e pyeta: Je komuniste? Më tha: Nuk kuptoj. I thashë, vendi është komunist? Nuk e di, më tha. Përveç shumë udhëtimeve të bukura në disa vende të ndryshme të botës, një mbresë të veçantë, për pastorin ka lenë India. Vilajeti tha se ajo ka qenë eksperienca që i ka ndryshuar jetën. I pyetur nga gazetari për arsyen se pse ka arritur India të ketë kaq fuqi tek pastori, ai tregoi se unë isha në vitet ’90 dhe pata fatin të shkoja në Bihar, pikërisht në vendin ku ka lindur Buda. Atje pashë njerëz që vdisnin në rrugë nga uria. Dhimbja më e madhe e imja ishte se unë nuk kisha se çfarë të bëja për ata. Kjo ishte ajo që mua më transferoi aq shumë sa arrita të them o Zot, ne shqiptarët jemi mashtrues kur themi se jemi të varfër”, tregoi pastor Vilajeti.