Të ftuar:

Iris Luarasi,

Preç Zogaj,

Agron Duka,

Oerd Bylykbashi,

Taulant Balla,

Silva Caka

Votimi elektronik mund të jetë gati edhe për zgjedhjet e 18 qershorit. Oerd Bylykbashi, në studion e emisionit Opinion, ka treguar se votimi mund të kryhet sipas identifikimit me gisht. Bylykbashi specifikoi se ky është një votim unik dhe nuk ekziston asnjë shans që të ekzistojë edhe një tjetër. Ai tha se opozita kërkon që identifikimi i votimit elektronik të kryhet sipas kontrollit biometrik. Sipas tij, ky votim është unik, i besueshëm dhe krejtësisht i realizueshëm tekonologjikisht. Bylykbashi tregoi se vendi ynë, sot, ka një bazë të dhënash dhe ekziston mundësia që brenda 5 minutash që vendos gishtin, të kthehet përgjigjja se X-i është X-i. Deputeti i PD-së, tha se i njëjti person e ka të pamundur të shkojë dhe të votojë përsëri në qendrën e votimit, pasi ai është regjistruar njëherë, në momentin që e bën, identifikohet menjëherë nga kompjuteri dhe ai aty ka kryer një vepër penale. Ndër të tjera, Bylykbashi, në krye të herës theksoi se në momentin kur Partia Socialiste vendosi veton në Komisionin e Reformës të premten që shkoi, për të rrëzuar kërkesën që ekspertët të gjenin zgjidhjen për votimin elektronik, ajo nuk ishte asgjë tjetër, por një veto që vrau reformën zgjedhore. 

Oerd Bylykbashi ka thënë se votimi elektroni është shumë herë më i thjeshtë dhe tepër korrekt për të  votuar. “Votuesi voton, përveç votës elektronike më pas kjo votë printohet, ku zgjedhësi e sheh dhe e konfirmon dhe më pas e hedh në kuti”, është shprehur Bylykbashi. Sipas Bylykbashit zgjedhjet elekrtonike me gjithë kostot e fshehura nëse aplikohen kursejnë 2.5 milionë euro, pasi reduktohet numri i komisionerve etj. Ndaj ai theksoi se kjo duhet të aplikohet që në zgjedhjet e qershorit.

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, sonte, në studion e emisionit Opinion, deklaroi se 5 vite më parë, deputeti Bylykbashi, PD-ja dhe kreytari i asaj kohe Berisha besonin, fjalë për fjalë, atë se çfarë thoshte OSBE-ODIHR në lidhje me votimin elektronik. Balla tregoi se OSBE-ODIHR ka thënë në atë periudhë se për t’a implementuar një sistem të tillë kombëtar, duhen rreth 18 deri në 24 muaj. Ai tha se qëndrimi i OSBE-ODIHR nuk ka ndryshuar as atëherë dhe as sot. Sipas tij, e vetmja gjë që ka ndryshuar, është vetëm qëndrimi i PD-së. “Atëherë thoshte se duhen 24 muaj, tani thonë mjaftojnë 5 muaj”, tha Balla. Deputeti i PS, ndër të tjera, u shpreh se një parti politike duhet të jetë rigoroze në atë se çfarë kërkon. Balla tha se në maj të vitit të kaluar, PD ka kërkuar votim elektronik dhe identifikim biometrik. Ai kumtoi se opozita  e ka kërkuar një sistem të tillë, veçse me argumentin, meqë e ka kërkuar PS në vitin 2012; po e kërkojmë dhe ne të njëjtën gjë.

Deputeti i PS, Taulant Balla, ka treguar sonte në emisionin Opinion se votim të mirëfilltë elektronik, aplikojnë vetëm pesë shtete në botë. Balla, personalisht, nuk u shpreh kundër një sistemi të tillë, përkundrazi ishte pro një sistemi elektronik të aplikueshëm në Shqipëri. Ai tha se ekziston një strategji e PD-së, e cila nuk ka të bëjë fare me votimin elektronik. Sipas tij, këtu ekziston një strategji, që i gjithë publiku është i vetëdijshëm për një levizje të tillë. “Kur i pyet veçmas deputetët e Partisë Demokratike, ata të thonë nuk bëhet. Kur dalin në televizor thonë bëhet”, tregoi Balla. Deputeti i PS-së, theksoi se procesi i votimit elektronik, është i pa aplikueshëm në Shqipëri, përsa i përket zgjedhjeve të fundit, për arsye kohe.

Kryetari  i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka i ftuar në emisionin Opinion ka thënë se votimi elektronik është i domosdoshëm, pasi për partitë e vogla është tepër e vështirë të shkohet kështu në zgjedhje. “Si mund të hyjnë kështu partitë e vogla në zgjedhje, kur nuk kanë as komisionerë dhe as numërues, ne ku jemi këtu, ku kemi siguri ne për të ardhmen” është shprehur Duka. Sipas Dukës të gjitha partitë e vogla janë rrënuar në zgjedhje, pasi nuk kanë përfaqësues në to.

Pedagogia e UT-së, Iris Luarasi, në studion e emisionit Opinion, në lidhje me aplikimin e votimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme, theksoi se nuk duhen marrë parasysh vetëm qytetet e mëdha të vendit, por edhe zonat rurale dhe periferitë e thella. Luarasi tregoi se shumë individë që jetojnë në periferi apo në zona rurale, e kanë shumë të vështirë të kuptojnë funksionimin e një sistemi të tillë dhe si rrjedhojë kërkon një informim të hollshishëm dhe të gjatë për procedurën e votimit. Sipas saj, për të realizuar një informim të tillë, minimumi kërkon një vit kohë dhe madje në të gjitha mediat e vendit.

Analisti Preç Zogaj, ka theksuar, sonte, në studion e emisionit Opinion, se votimi elektronik është zgjidhja më e mirë për problematikën shqiptare. Zogaj tregoi se Shqipëria ka një problematikë ku prevalon shit-blerja e votës dhe votimi fiktiv. Ai tha se këto janë probleme madhore dhe si rrjedhojë opozita ka nevojë të ketë garanci, sidomos në kohën kur bëhet një reformë zgjedhore. “Garancitë zgjedhore gjithmonë i kërkon opozita, nuk i kërkon qeveria. Qeveria duhet të jetë shumë fleksibël ndaj opozitës për zgjedhjet”, tha Zogaj.