I ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në “Opinion”, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se nuk kishte patur dijeni për ndryshimet në qeveri dhe se ky ka qenë një vendim ekskluziv i Kryeministrit Edi Rama.

“Ka qenë një vendim ekskluziv i Kryeministrit të vendit, i cili ka përgjegjësinë për të gjithë sukseset dhe vendimet që merr në qeveri.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, nëse Rama po tenton t’ia bëjë rrugën më të lehtë Kryebashkiakut, duke hequr ata që kanë qenë zëra kontestues ndaj tij si rasti i Tahirit, Veliaj e mohoi një gjë të tillë duke e konsideruar si fantazi.

Madje Kryebashkiaku tha se ai do të punojë së bashku me Tahirin në Tiranë, për zgjedhjet e 18 Qershorit.

Ndër të tjera, Veliaj mohoi gjithashtu që të ketë ndonjë ambicie për të qenë kryetar i Partisë Socialiste. Kryebashkiaku tha se është duke shijuar punën në krye të institucionit që drejton dhe nuk ka ndërmend të bëjë një punë tjetër.

A u ‘pre koka’ e Saimir Tahirit për arsye të një rivaliteti me ju, që po perceptohej në Partinë Socialiste?

“Besoj që nuk është aspak e vërtetë. Saimir Tahiri ka bërë një punë të shkëlqyer si Ministër i Brendshëm, sepse sot Shqipëria ka rend, ka shtet, ka një kontroll territori që nuk e ka pasur më përpara. Besoj që bashkë me Saimir Tahirin kemi një garë të jashtëzakonshme për zgjedhjet e 18 Qershorit”.

Veliaj komentoi edhe koalicionin qeverisës mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas tij, e majta e bashkuar ka sjellë gjithmonë stabilitet dhe rritje ekonomike. Veliaj tha se Shqipëria jeton më mirë se sa jetonte 3 vite e gjysmë më parë. 

Veliaj: Kam lidhje sentimentale me Pazarin e Ri, kam shitur aty

Duke folur për projektin e Pazarit të Ri dhe pretendimet e Partisë Demokratike se Bashkia e tanishme vetëm sa ka zbatuar projektin e kohës së Lulzim Bashës, Veliaj tha se “

në Tiranë ne gjetëm një Bashki që s’kishte firmosur një kontratë, një Bashki që s’kishte vënë asnjë qindarkë kundrejt këtij projekti.”

Për Pazarin e Ri, shuma e vënë në dispozicion nga Bashkia e Lulzim Bashës ka qenë zero. Shqetësimi i fondit ka qenë se ne kemi pasur një partner shumë jo serioz, i cili ka thënë po, po, po, por nuk bën punë… po, po, po, por nuk firmos dhe nuk jep financa.”

https://www.youtube.com//embed/uyT_QBorMcE

“Gjëja e parë që kam bërë, duke qenë se edhe kam premtuar në fushatë, duke qenë se edhe kam pasur edhe një lidhje sentimentale me Pazarin e Ri që nga koha kur kam qenë fëmijë dhe kam shitur në Pazar të Ri, ishte në fushatë që ne do t’i përgjigjemi kësaj kërkese, jo vetëm duke bërë të njëjtin financim, por disa fish. Sot Fondi Amerikan ka dhënë mbi 1 milion dollarë, Bashkia e Tiranës ka dhënë mbi 2 milion dollarë, qeveria shqiptare po 2 milion dollarë.”

Veliaj tha se i gjithë projekti, së bashku me investimet në eko-sistemin rreth e rrotull Pazarit të Ri ka shkuar tek 5 milion dollarë. 

/tvklan.al