Të ftuar:

Samir Mane,

Ornela Liperi,

Zana Guxholli,

Sokol Nano,

Besart Kadia

Në një listë të publikuar në emisionin “Opinion” e cila është ndërtuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike janë publikuar 10 emrat e personave më të pasur në Shqipëri për vitin 2016. Në këtë listë vendin e parë e zë biznesmeni Samir Mane. Pas tij është Shefqet Kastrati, Vasil Naçi pozicionohet i treti, pas tij është Behar Çukaj dhe i pesti renditet deputeti Tom Doshi.

Biznesmeni Samir Mane i ftuar në emisionin “Opinion” është shprehur se politika nuk ndikon fare në përfitimet e biznesit të tij. I renditur për 3 vite nga Fondacioni për Liri Ekonomike si biznesmeni më i pasur në Shqipëri Mane thotë se politika nuk e ndihmon fare në biznesin e tij.

Blendi Fevziu: Sa ndihmon politika të pasurohesh?

Samir Mane: Mua s’më ndihmon farë politika të pasurohem, sepse unë televizora shes. Nuk më duhet asnjë politikanë të shes as televizorë e lavatriçe tek Neptuni e as lodra tek Jumbo.

Fondacioni për Liri Ekonomike ka shpallur rezultatet e studimit për listën e më të pasurve në Shqipëri për vitin që lamë pas. Por pyetja është a janë këta emrat e më të pasurve në Shqipëri, në kohën kur media europiane po flet për kanabisin e ardhur nga vendi ynë?

Mirëpo, drejtuesi i këtij fondacioni, Besart Kadia, deklaroi sonte në studion e emisionit “Opinion”, pavarësisht sukesit të këtyre individëve shoqëria nuk ka arsye t’i njohë. Kadia vendosi theksin tek individët që suksesin e tyre e kanë ndërtuar në bazë të mundit, ideve dhe ligjshmërisë.