Të ftuar:

Sara Kolami,

Elio Hyska,

Barbara Doda,

Flori Gjini,

Vilma Beqja,

Floida Kërpaçi,

Arbër Hajdari,

Desli Shahini

Ekzistojnë shumë pak familje në Shqipëri që jetojnë mirë dhe nxisin fëmijët e tyre të bëjnë punë vullnetare. Ideatori i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari tha se pjesë e projektit të tij, tashmë i njohur në të gjithë vendin, i janë bashkuar 6 mijë të rinj vullnetarë. Hajdari tregoi se ka realizuar dhjetra projekte bamirësie, ndërsa ka planifikuar të përfundojë një qendër rehabilitimi të narkomanëve. Ai theksoi se të rinjtë shqiptarë kanë shumë probleme me drogërat, pavarësisht faktit se shumë nga ata nuk e pranojnë se janë përdorues të tillë. 

Arbër Hajdari

Fundjava Ndryshe është e njohur në të gjithë Shqipërinë se çfarë bën, por shqetësimi i radhës ka qenë droga, si dhe plani i ndërtimit të një qendre rehabilitimi të narkomanëve, ku janë prezente të gjitha llojet e drogërave. 

Të paktën nga 6000 vullnetarë që kam pasur pjesë, është e dukshme që shumë prej tyre kanë probleme me drogën. Kanë varësi edhe pse shumica e tyre nuk e pranojnë. 

Janë shumë pak ato familje që jetojnë mirë dhe nxisin fëmijët e tyre të bëjnë punë vullnetare, shumica e fëmijëve që janë pjesë e Fundjavës, janë pak nga ajo shtresa e mesme që ka ngelur në Shqipëri dhe familjet normale shqiptare.  

Megjithatë ka shumë nga ato familje që janë në nevojë dhe vijnë e marrin pjesë në solidarizimin e tyre për të kryer punë vullnetare. 

Ata janë rreth 6 mijë vullnetarë në të gjithë Shqipërinë dhe i përkasin moshës deri në 25-vjeç.

Kryetarja e LRI-së Floida Kërpaçi e ftuar në emisionin “Opinion” ka folur mbi shqetësimet e të rinjve në Shqipëri. Kërpaçi është shprehur se shumë prej shokëve të saj në Universitetin e Mjekësisë janë duke ikur nga vendi. Ajo tha se një pjesë e mirë e shokëve të saj të klasës kanë filluar kurse në gjuhën gjermane që më pas të largohen drejtë saj, pasi nuk shohin të ardhme në Shqipëri. “Është e vërtetë që shumë prej studentëve të mjekësisë po largohen nga vendi. Shumë prej tyre kanë filluar kurset e gjermanishtes sepse fatkeqësisht nuk e shohin veten këtu në Shqipëri dhe duan të largohen. Mund të të them se nëse ne në klasë jemi 200 veta, 150 prej tyre janë të gjithë në kurs gjermanishte”, tha Kerpaci.