komisioniNë komisionin e posacëm parlamentar për dekriminalizimin e parlamentit dhe administratës publike, objekt tensioni dhe debati është bërë propozimi i një platforme nga ana e anëtarëve të opozitës.

Kjo platformë parashikon ndryshim në kodin penal, kodin zgjedhor, kodin e procedurës penale si dhe ndryshime në Kushtetutë.

Opozita propozon që të ketë ndërprerje të mandatit gjatë legjislaturës së hyrjes në fuqi të kësaj dispozite kur konstatohet se një deputet është dënuar për jo më pak se një vit me vendim përfundimtar të formës së prerë për kryerjen e një krimi me dashje apo ka shkelur nenin 70 pikat 3 dhe 4 e Kushtetutës, në periudhën njëzet vjeçare që i paraprin bërjes së betimit nga deputeti i kësaj legjislature.

Gjithashtu propozohet ndryshim i formulës së betimit të deputetit.

Opozita propozon që të mos lejohet kryerja e betimit për deputetët dhe të konsiderohet në kundërshtim me ligjin, për personat që kanë përfituar nga pasuria publike në momentin që kanë fituar mandatin e deputetit nga zgjedhjet parlamentare.

Veç kësaj propozohen ndryshime edhe në kodin zgjedhor, kodin penal, dhe kodin e procedurës penale.

Anëtarët socialistë fillimisht e kontestuan këtë platformë, më pas e pranuan dhe thanë se se do të shprehen pasi t’i lexojnë propozimet, ndërsa kërkuan të shtohet edhe ndalimi i kandidimit të personave të hetuar nga prokuroria, por që nuk janë gjykuar nga gjykata.

Në mbledhjet e ardhshme ky komision do të vendosë mbi dispozitat ligjore që do të propozojë për moslejimin e kandidimit të personave me rekorde kriminale në zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

Tv Klan