basha

Opozita ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në përkujtim të 102-vjetorit të Pavarësisë dhe 70- vjetorit të Çlirimit.

Kreu i demokratëve Lulzim Basha, njëherësh edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës , ish- kryeministri Berisha, deputetë të opozitës, si dhe drejtues të pushtetit vendor vendosën kurora me lule në monumentin  “Nënë Shqipëri”.

Për kreun e opozitës 28 nëntori është dita që bashkon shpirtrat e shqiptarëve kudo ndodhen, është festa e madhe e lirisë e sakrificës për atdheun dhe mbarë kombin shqiptar.

Homazhe u zhvilluan edhe në nderim të viktimave të komunizmit pranë memorialit që përkujton 22 intelektualët shqiptarë të ekzekutuar nga regjimi komunist, në 21 shkurt të vitit 1951, të cilët u akuzuan se kishin shpërthyer një bombë në ambasadën sovjetike në Tiranë.

Nderime e homazhe u zhvilluan edhe pranë bustit të heroit kombëtar Adem Jashari, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë.

Për kryebashkiakun Basha 28 nëntori i pavarësisë, që përkon edhe me ditëlindjen e Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jashari është simbolikë e një amaneti që duhet përmbushur, atë të baskimit të kombit në Europë.

Kreu i demokratëve Basha vizitoi edhe familjet e dëshmorëve Akil Sakiqi, Bardhyl Salillari dhe heroit të demokracisë, Azem Hajdarit.

Në orët e pasdites kryebashkiaku Basha zhvilloi homazhe edhe pranë shtatores së Ismail Qemalit.

Tv Klan