Pak orë përpara mbarimit të afatit për regjistrimin e partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, opozita e bashkuar rikonfirmon qëndrimin për të mos u bërë pjesë e garës elektorale. Vendimin e marrë së bashku me aleatët, Lulzim Basha e bëri të ditur nga çadra e protestës.

Provën e parë të pamundësisë së zgjedhjeve opozita e bashkuar pritet të japë në Kavajë, në 7 Maj, ku paralajmëroi mbajtjen e një proteste kombëtare në këtë qytet.

Qeveria teknike mbetet një kusht i panegociueshëm, ndonëse Basha e la të hapur sërish derën për dialog.

Por deri sa të plotësohen kushtet e opozitës, Basha thotë se çadra nuk do të lëvizë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Tv Klan

///

Opozita konfirmon, nuk regjistrohet në zgjedhje

Koalicioni opozitar ka rikonfirmuar sot qëndrimin për të mos u regjistruar në zgjedhje. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat thuhet se, pas mbledhjes së këtij koalicioni është konfirmuar mosregjistrimin në KQZ deri në arritjen e një pakti për qeveri teknike që do të sigurojnë zgjedhje të lira.

Në njoftim thuhet gjithashtu se më 7 Maj, në qytetin e Kavajës do të zhvillohet një protestë e madhe kombëtare.

“Koalicioni opozitar i mbledhur sot, konfirmon qëndrimin për mosregjistrim në KQZ deri në arritjen e një pakti politik për krijimin e qeverisë teknike, që do sigurojë zgjedhje të lira dhe koalicioni opozitar vendosi mbajtjen e një proteste të madhe kombëtare më 7 Maj në Kavajë

“, theksohet në njoftim.

Ky vendim u konfirmua edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e mbajtur nga “Çadra e lirisë”.

“Njoftojmë publikun se koalicioni opozitar i mbledhur në afatin e fundit të limiteve ka vendosur mosregjistrimin e opozitës deri në arritjen e një pakti kombëtar politik për zgjedhje të lira e të ndershme, që do të luftojë drogën dhe paratë e saj dhe do të garantojë kushte për zgjedhje të lira e të ndershme. Vendimi i dytë i opozitës është mbajtja më 7 maj në qytetin simbolizues për demokracinë, në Kavajë, të një proteste të madhe kombëtare për të pamundësuar me forcën e bashkimit mes një lëvizje popullore paqesore demokratike zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi, se ju kemi premtuar shqiptarëve dhe të Kavajës se nuk do ta lëmë fatin e tyre në duart e krimit dhe zgjedhjeve të diktuara nga krimi”.

Sot është dita e fundit e afatit për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e 18 Qershorit./tvklan.al