Orest Sota do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve nga prokuroria. Në një seancë që zgjati më mbi 3 orë, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg, vendosur 10 ditë më parë.

Mbi 25-vjeçarin rëndojnë akuzat e pastrimit të parave pasi një muaj më parë në makinën e tij u gjetën 863 mijë euro dhe dy patentat e lundrimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Gjetja e këtyre dy dokumenteve bëri që prokuroria të bashkojë këtë hetim me dosjen Tahiri-Habilaj. Sipas prokurorisë, paratë e gjetura në makinën e të riut dyshohet se janë të Saimir Tahirit, produkt i aktivitetit të tij kriminal.

Për organin e akuzës, Tahiri ka bashkëpunuar me grupin e Habilajve duke i ndihmuar në kultivimin dhe më pas trafikun e kanabisit, duke përfituar pagesa nga ata.

Orest Sota, edhe në këtë seancë ka pretenduar se paratë janë të justifikuara dhe vijnë nga biznesi i babait të tij Lefter Sota.

Sipas tij, shuma prej 863 mijë eurosh ishte për t’i lënë garanci në kompaninë “Kurum” për një sasi prej 4 mijë ton hekur që do blihej. Por kjo gjë është kundërshtura nga drejtuesit e kompanisë, të cilët kanë sqaruar në prokurori se nuk pranojnë pagesa kesh në shifra të tilla, por vetëm nëpërmjet bankës. 

Ndërsa patentat e ish-ministrit, sipas mbrojtjes, i kishte harruar aty shoferi i Saimir Tahirit dhe ai nuk kishte dijeni për to.

Tv Klan