Orientimi politik “me LSI”, shkarkon mësuesen e Kamzës?!



Hamide Qamirani, mësuese e lëndës së anglishtes në shkollën 9 – vjeçare “Dom Nikollë Kacorri” në Kamëz, ankohet në emisionin “STOP” për pushim të padrejtë nga puna.

Ajo është hedhur në rrugë pa një motivacion dhe nuk mundet të marrë me shkrim as vendimin e pushimit. Arsimtarja ka mundur të sigurojë një dokument nga kompjuteri i drejtorit, ku përbri të gjithë mësuesve është shënuar edhe “orientimi politik”.

Qamirani është zëvendësuar nga një tjetër mësuese, edhe pse vendi nuk ishte shpallur vakant për konkurim. Ndërsa fleta e pushimit për arsimtaren e shkarkuar, u nis vetëm ditën e ballafaqimit të saj me drejtorin e shkollës, specialistin e Zyrës arsimore dhe gazetaren e emisionit “STOP”.

“Jam Hamide Qamirani, banuese në Tiranë. Kam mbaruar Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega Anglisht në 2009. Në 2010 unë jam emëruar mësuese definitive. Më 1 Mars 2017 më kanë kaluar me kontratë, por unë s’kam qenë në dijeni. Më thërret drejtori dhe më jep një shkresë në 16 Qershor. Ndërkohë, unë kam qenë prezente në shkollë deri në 30 Qershor, si të gjithë mësuesit e tjerë. Morëm pushimet, drejtori i shkollës na çoi një mesazh, ku na thërret për shpërndarjen e dëftesave. Në 5 Gusht shkoj në bankë për të tërhequr pagën time, por llogaria ime ishte 0!”

Arsimtarja rrëfen se nëpërmjet një telefonate, drejtori i thotë se prej 3 Korrikut ajo ishte e pushuar nga puna me motivacionin e mungesës së arsimit përkatës dhe masterit, por asnjë nga stafi pedagogjik nuk është e zotëron një të tillë.   

“Për këtë arsye pretendoj që është orientimi politik. Në dokumentet zyrtare të drejtorisë së shkollës, te kompjuteri i shkollës kam marrë disa dokumente që më duheshin në bazë të kualifikimit dhe mes të tjerave gjej këtë dokument, ku shkrua te emri im orientimin politik – LSI. Unë s’kam bërë fushatë dhe as nuk merrem, jam mësuese!”

Qemirani tregon se nuk disponon asnjë vendim që është pushuar nga puna, ndaj nuk mundet të ankimojë vendimin e drejtorit.

Gazetarja e emisionit “STOP” së bashku me Hamide Qamiranin iu drejtuan shkollës “Dom Nikollë Kacorri” për të marrë një përgjigje nga drejtori Astrit Bylyku se përse nuk i ka dhënë arsimtares vendimin e pushimit nga puna. Drejtori nuk gjendej në shkollë, por në Zyrën Arsimore Kamzë. Ndaj të dyja shkuan për të komunikuar me të dhe specialistin e burimeve njerëzore të këtij institucioni.     

Drejtori – Me këtë njoftim dhe me komunikimin në telefon, i kam thënë vendimin e kam, por nuk e kam me vete. Më 15 korrik, kemi biseduar bashkë në telefon.

Mësuesja – Kur më ke kontaktuar ti?

Drejtori – Të lutem, në Korrik … në telefon bashkë..

Mësuesja – Jam unë ajo që të kam marrë ty, jo ti.

Drejtori – Po pra …

Mësuesja – Dhe e ke për detyrë ligjore, ti të më njoftosh mua.

Gazetarja – Zysha, ka edhe një pretendim që, duke qenë se është e LSI-së, e kanë hequr nga puna.

Specialisti ZAK – Ajo mund të jetë në ndonjë kompjuter tjetër. Mund ta bëjë kushdo atë.

Mësuesja – S’ka shanse! Këto janë të dhëna zyrtare, që mund t’i ketë vëtëm një drejtor shkolle.

Specialisti ZAK – Ku … ku u fute në këtë kompjuter ti?

Mësuesja – Tregoja Drejtor..!

Specialisti ZAK – A është kompjuteri jot ky ore?

Gazetarja – Nga emaili, nga emaili, sepse ka kodin e kompjuterit të shkollës.

Specialisti ZAK – Po ç’punë kishe me emailet e drejtorit ti?

Mësuesja – I kam thënë për dokumentat e kualifikimit, ky ka qenë duke ikur për Fier, dhe më thotë: “Zysh, merr kodin dhe shikoji ato të dhënat që të duhen!” – I marr, mes të tjerash shikoj orientimin politik. Hap këtë emailin famoz këtu dhe që më ka bërë shumë përshtypje, kur kam parë veten time aty dhe i bëra një screenshot.

Gazetarja – Drejtor, edhe juve më përpara keni qenë me LSI-në.

Specialisti ZAK – Po ti paske qenë bashkë me drejtorin …

Pozicionin e punës së Hamide Qamiranit, si mësuese e lëndës së anglishtes, tanimë e ka zënë Jona Pupa. Zyra Arsimore Kamëz, më datë 07.09.2017, ka publikuar një listë për vendet  e lira të punës në të gjitha shkollat që janë në varësi të kësaj zyre, por çuditërisht shkolla “Dom Nikollë Kacorri” nuk figuron.

Ndaj gazetarja e emisionit “STOP” komunikon vetë me arsimtaren e re, e cila shprehet se e ka fituar punën nëpërmjet aplikimit që ka bërë në portal. Sipas saj, ajo është emëruar si mësuese e shkollës “Dom Nikollë Kacorri” më datë 11.09.2017. Gazetarja e emisionit “STOP” arriti të zotërojë listën e emërimeve të mësuesve në Zyrën Arsimore Kamëz sipas portalit, më datë 08.09.2017, por emri i Pupës nuk figuron në asnjë vend.

Më datë 06 Tetor, gazetarja së bashku me arsimtaren e pushuar nga puna pa motivacion, iu drejtuan Postës Shqiptare Kamëz për të mësuar se kur është nisur vendimi i pushimit nga drejtori Bylyku.

Gazetarja – Më duhet vetëm data!

Punonjësja – Data 29 (Shtator) është nisja nga Astrit Bylyku. Mirëpo, Astriti nuk e kishte shkruajtur adresën e saktë të zonjës.

Gazetarja – Dhe normalisht, zarfi ju ka ardhur prapë juve mbrapsht.

Punonjësja – Po!

Gazetarja – Data 4 (Tetor) është ridërgimi?

Punonjësja – Po!

Drejtori i shkollës “Dom Nikollë Kacorri”, ka nisur vendimin e pushimit nga puna të Hamide Qamiranit, më datë 29 Shtator, por me adresa të gabuara dhe pikërisht pas ballafaqimit me gazetaren e emisionit “STOP” dhe specialistin e Zyrës Arsimore Kamëz, më datë 4 Tetor ai e ka ridërguar vendimin.

“Ju falenderoj shumë që ju ishit shkaku që unë do të disponoj të drejtën time që të kem mundësi të ankimoj!”/ tvklan.al

 

Kategori
AktualitetLajme nga EmisionetTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*






Emisione