Misioni i OSBE/ODIHR-së, procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni e ka vlerësuar kryesisht në rregullt, të administruar mirë dhe pa incidente të mëdha. Në një raport të saj, OSBE/ODIHR thotë se:

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit ishin një hap thelbësor në zgjidhjen e krizës të thellë politike dy vjeçare. Forcat kryesore politike ranë dakord për një varg ndryshimesh ligjore dhe institucionale për të siguruar një fushë ligjore për këto zgjedhje. Fushata ishte konkurruese, por u zhvillua në një mjedis të karakterizuar nga mosbesimi publik në institucione dhe në sistemin politik, si dhe akuzat për shtrëngimin e votuesve. Administrata zgjedhore sfidoi me përgatitjet për zgjedhjet dhe tejkaloi një numër të afateve. Dita e zgjedhjeve në përgjithësi u administrua mirë dhe vazhdoi pa incidente të mëdha”,

 thuhet në raportin e OSBE-ODIHR-së

Nga OSBE ODIHR thanë se vonesa e informacioneve përfundimtare nga Komisioni Shteror i Zgjedhjeve, përderisa është një rezultat shumë i ngushtë, duhet kuptuar si kujdes më i theksuar nga ana e këtij institucioni.

Ndërkohë, partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social – demokrate tha se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, i publikuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, mund të pësojë ndryshime, pasi disa raporte të komisioneve vendore, të arritura dje në formë elektronike në KSHZ, nuk përputhen me origjinalin që sot mblidhet nga tereni.

“I mbledhim raportet origjinale të këshillave vendore dhe mund të them se asgjë nuk është definitive. Mund të ketë ndryshime në numrin e mandateve të fituara”,

 tha Damjan Mancevski i LSDM-së.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë ankesa nga partitë politike për përsëritjen e zgjedhjeve, megjithëse jo zyrtarisht mësohet se të gjitha partitë politike do të paraqesin ankesa për përsëritjen e votimeve në disa qendra të votimit.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se përsëritja e zgjedhjeve në disa vendvotime, për të cilat organizatat jo qeveritare njoftuan për shfaqjen e më shumë parregullsive, mund të çojë në ndryshimin e rezultatit zgjedhor, i cili është shumë i ngushtë mes forcave politike maqedonase.

Alajdin Demiri, politolog, thotë se njësia zgjedhore gjashtë, që përfshin Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën, me numrin më të madh të votuesve, ka hapur shumë dilema me rezultatin e dalë nga zgjedhjet e parakohshme.

“Shihni kur kemi një rezultat kaq të ngushtë zgjedhor; çdo intervenim në njësitë zgjedhore mund të sjellë deri tek përmbysja e rezultateve aktuale, për faktin se në njësinë zgjedhore numër gjashtë, gara mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së ishte shumë e egër. Katër deputetë për të parën dhe tre ose katër për të dytën.”

Nuk është çudi se si ka fituar tre ose katër deputetë LSDM-ja, që ka marrë shumë vota nga shqiptarët, por pyetja është në çfarë forme arriti të sigurojë katër deputetë VMRO DPMNE-ja e ish kryeministrit Nikolla Gruevski në vendbanimet shqiptare. Kjo do të thotë se ky rezultat i ngushtë bën që partitë politike gjithë arsenalin që kanë ta vendosin në favor të ndryshimit të baraspeshës së rezultatit zgjedhor”, vlerëson Demiri./ Burimi: (REL)