Biznesmeni Kastriot Ismailaj është i detyruar t’i kthejë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike 9,5 milion euro. Gjykata Civile e Tiranës vendosi këtë të enjte që të pranojë padinë e OSHEE, e cila kishte kërkuar paratë, që Ismailaj dyshohet se i ka vjedhur gjatë mbledhjes së borxheve që invide apo biznese i kishin kompanisë çeke CEZ.

Sipas vendimit të gjykatës, përveç dëmit prej 694 milionë lekësh të reja, ish – administratori i kompanisë DIA duhet të paguajë kamatëvonesat, si dhe shpenzime të tjera të cilat llogariten në total 9,5 milion euro.

Një vit më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda sekuestroi më shumë se 4 milion dollarë, të cilat ishin në emër të Kastriot Ismailaj dhe familjarëve të tij. Këto para, sipas gjykatës ishin produkt i aktivitetit kriminal dhe nuk justifikoheshin nga biznesmeni.

Ndërsa në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës këtë të enjte u zhvillua seanca e radhës ndaj Ismailajt, ku ai akuzohet për mashtrim me pasojë vjedhjen e 5 milion eurove.

Në këtë seancë ishte thirrur për të dëshmuar Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri i thirrur nga mbrojtja. Mungesa e ministrit është bërë shkak për shtyrjen e gjyqit për javën e ardhshme.

Tv Klan