Rreth 20 milionë Euro të tjera do të shpenzohen për blerjen e energjisë ne muajin gusht. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hapur tenderin për të siguruar furnizimin me energji në këtë periudhë thatësire që ka kapur vendin.

Kompania e shpërndarjes është duke parë ofertat që kanë mbërritur, por kjo nuk do ta shpëtojë atë nga fatura e kripur që do të paguajë për shkak të rritjes së çmimit të energjisë. Çmimi mesatar për 1 megavat orë sot është 60 euro, i njëjtë me atë që OSHEE bëri importe gjatë korrikut.

Thatësira dhe ulja e sasisë së prodhimit nga ana e KESH detyroi kompaninë e shpërndarjes të shkurtojë një pjesë të shpenzimeve për investime, të cilat duket se do të ulen më tej. Për gushtin, qeveria autorizoi koorporatën elektroenergjetike të përdorë fondin 22.4 milion euro të kredisë së Bankës Botërore për Rimëkëmbjen e Sektorit Energjitik, për kryerjen e importeve në raste krizash, por kjo shumë nuk është alokuar ende.

Burime zyrtare nga KESH thanë për  televizionin Klan se Banka nuk ka kthyer ende përgjigje për të përdorur paratë, edhe pse janë në bisedime prej dy javë e gjysmë. KESH sqaroi se në momentin që do të marrë fondet, do të nisë menjëherë importin. Fatura e thatësirës në lumenjtë e Shqipërisë, e kryesisht në kaskadën e Drinit duket se do të kalojë vlerën 60 milionë euro, pasi niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës parashikohet të mbetet në të njëjtat kuota edhe për shatorin.

TV KLAN