KacajSalvador Kacaj e ka mësuar përmes medias se ndaj tij dhe dy punonjësve të Komunës Shëngjin është bërë kallëzim penal në prokurori.

Kaçaj dhe dy vartësit e tij akuzohen për fshehje të të ardhurave dhe shpërdorim të detyrës.

Në komunikatën e policisë që mban datën 25 Korrik thuhet se proçedimi ndaj tyre filloi pasi gjatë kontrollit të ushtruar në hapësirat publike të bregdetit, përgjatë shëtitores, janë evidentuar 11 raste që kanë marrë hapësira publike pa licensën përkatëse.

Po ashtu sipas kësaj komunikate, punonjësi i Komunës Oliks Gila ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme një hapësirë publike ku kishte vendosur 40 çadra dhe 80 shezllona.

Por referuar dokumentacionit Kaçaj sqaron se dhënia me qera e çdo hapësire publike në plazhin e Shëngjinit është bërë konform ligjit.

Kaçaj thotë se policia dhe Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave në Lezhë kanë ushtruar kontrolle në kundërshtim me ligjin, pa njoftuar më parë autoritetet e Komunës.

Kreu i Komunës së Shëngjinit flet për një sulm me prapavijë politike dhe thotë se do të vërë në dispozizion të prokurorisë të gjithë dokumentacionin, ndërsa paralajmëron se do të padisë penalisht personat që qëndrojnë pas këtij kallëzimi.

Duke iu referuar komunikatës së dalë nga Drejtoria e Policisë në Lezhë, Kaçaj u ka kërkuar titullarëve të këtij institucioni që të shmangin kontrollet antiligjore dhe t’u shërbejnë qytetarëve.

Tv Klan