Inva Mula

Është prova e parë me orkestër e “Pagliaçit”, opera që rikthen zërin ndërkombëtar të muzikës lirike, Inva Mula.

Sopranoja shqiptare merr përsipër të ngrejë shfaqjen e fundit dhe më të madhe të sezonit në shtëpinë e operas.

Vetes i ka ngarkuar një detyrë të re, atë të inskenimit si regjisore të veprës së Ruggero Leoncavallo.

Inva Mula do të guxojë të kapercejë konturet e një opere. Shfaqja do t’i ngjajë një filmi. Protagonistja kryesore është gruaja e dhunuar shqiptare në një skenografi që shëmbëllen me Tiranën kaotike në stil dhe formë.

“Pagliaçi” shqiptar është masiv. Ai do të ngjisë në skenë edhe trupën e baletit, korin e Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe artistët e cirkut të Tiranës. Shpenzimet për një produksion të tillë, që do të sjellë nga Italia tre tenorë dhe dirigjentin e njohur Michelangelo Mazza, u mbuluan me ndihmën e sopranos së skenave botërore.

Të ardhurat që Inva Mula mori nga pjesëmarrja në koncertin e zhvilluar për Ditën e Europës në qytetin antik të Butrintit ia dhuroi Teatrit të Operas për të bërë të mundur këtë shfaqje, ku Inva Mula edhe si shumë artiste të tjera nuk paguhen.

E kthyer në traditë, prova gjenerale e 29 Majit do të jetë e hapur ndërsa premiera absolute do të jetë në 31 Maj.

Tv Klan