Me argumentin se nuk është e mundur gjetja e autorit prokuroria e Tiranës ka pezulluar hetimet për çimkën e përgjimit gjetur në zyrën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Hetimi nisi në muajin maj të vitit të kaluar, ku në dhomën para zyrës së Tahirit në tavolinën, ku qëndronte sekretarja e tij u gjet një pajisje përgjimi. Ajo u gjet pranë grirëses së letrave.

Prokuroria gjatë këtyre 8 muajve hetim nuk arriti të gjejë autorin pavarësisht se u morën në pyetje disa persona dhe u sekuestruan hyrje-daljen në zyrën e ministrit. Pajisja e gjetur ishte një përçues analog i përgjimeve ambientale në distancë.

Pjesa tjetër e pajisjes, ajo qe kryen regjistrimin, nuk u gjet asnjëherë. Ditën kur u gjet, pajisja ishte e fikur pikërisht, pasi i kishte mbaruar bateria. Në pajisje u gjetën disa gjurmë gishtat, të cilat nuk i shërbyen hetimit për të zbardhur këtë ngjarje. Prokuroria thotë se për momentin dosja do të qëndrojë e pezulluar. Nëse do të ketë të dhëna të reja që mund të çojnë drejt autorit atëherë prokuroria pritet të rihapë hetimin.

Tv Klan