“Pallati i Endrrave” është vepra e radhës e Ismail Kadaresë që përkthehet në gjuhën serbe. Është shtëpia botuese “Samizdat B92” që sjell për lexuesin e saj një nga romanet, i cilësuar si një nga kryeveprat e shkrimtarit shqiptar.

“Palata Snova” prezantohet për lexuesin serb, përmes kritikës së intelektualit nga Kosova, Shkëlzen Maliqit.

“Një kryevepër e vërtetë në mesin e librave të tij është” Pallati i Ëndrrave në të cilin Ismail Kadare përshkruan një sistem të mbyllur të despotizmit oriental mishëruar në Perandorinë Osmane, një vizion të veçantë të ferrit si një shtet totalitar ku çdo gjë është nën kontroll, duke përfshirë edhe ëndrrat njerëzore,”

shkruan Maliqi.

Vepra e parë e Ismail Kadaresë përkthyer në serbisht është “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” në vitin 1968, në Krushavec dhe më pas në Beograd, në 1977. Në të njëjtin vit u botua edhe në Prishtinë, romani tjetër “Kështjella”.

Letërsia e shkrimtarit më të njohur dhe më të përkthyer shqiptar, do të mbërrinte edhe në Sarajevë me “Kronikë në Gur” dhe “Pallati i Ëndrrave”, në atë që njihej si gjuha serbo-kroate para se të niste shpërbërja e ish -Jugosllavisë në fund të viteve 80. Romani i fundit i botuar në gjuhën serbe është  “Viti i mbrapshtë” në Nisën e 1997.

Letërsia e Ismail Kadaresë rikthehet në Serbi pas thuajse dy dekadash, me “Pallatin e Ëndrrave” që përkon edhe me 80 vjetorin e lindjes së shkrimtarit.

Tv Klan