Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama se po hesht ndaj fakteve që sipas saj provojnë implikimin  e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako në blerjen e votave me paratë e krimit e drogës në zgjedhjet e 25 qershorit.

Sipas nënkryetarit të demokratëve Edi Paloka kryeministri po i jep mbrojtje politike krimit duke synuar marrjen nën kontroll të prokurorisë.

“Edi Rama dhe Vangjush Dako nuk u japin asnjë shpjegim shqiptarëve. Qëllimi i tyre është të heshtin derisa të kapin plotësisht Prokurorinë.  Marrja nën kontroll  e prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë e bën Vangjush Dakon të ndjehet i paprekshëm. Edi Rama po e trajton Kryetarin e Bashkisë së Durrësit njësoj si Saimir Tahirin. Po i jep mbrojtje politike nga drejtësia, sepse gjithçka dhe të gjithë lidhen me Edi Ramën.” 

Demokratët thonë se modeli i politikës së bërë njësh me krimin nuk është vetëm Durrësi. Një ditë më parë kreu i opozitës denoncoi përfshirjen e kryebashkiakut të Durrësit gjatë përgjimeve të kryera nga shërbimet sekrete, duke premtuar tendera kriminelëve në këmbim të blerjes së votave.

Tv Klan