Tre të vdekur në Messinia dhe një personi i zhdukur në Selanik. Është ky bilanci tragjik nga përmbytjet në Greqi. Autoritetet kanë dhënë alarmin se moti i keq do të vazhdojë, duke rritur frikën se numri i viktimave mund të rritet.

Një grua invalide ka humbur jetën në një fshat të Messinisë, në Peloponez. Në Kalamata, dy të moshuar janë gjetur të vdekur në shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjeve.

Sipas policisë, në disa vende është ndërprerë edhe qarkullimi i makinave, pasi është përmbytur rruga nacionale që lidh gadishullin me Athinën.

Reshjet e shumta u shoqëruan me erëra të fuqishme, duke shkatërruar shumë toka bujqësore, shira të rrëmbyeshëm janë regjistruar edhe në shumë zona turistike si Sivota, Parga, por edhe në ishujt e detit Jon në Korfuz, Zakintho dhe Kefaloni./tvklan.al